2011
Konferenca e Përgjithshme – Bekim i Pazakontë
shtator 2011


Mesazhi i Presidencës së Parë, september 2011

Konferenca e Përgjithshme – Bekim i Pazakontë

Një anëtar i mrekullueshëm i Kishës po fliste me një fqinj që nuk ishte i besimit tonë. Kur tema e diskutimit erdhi te konferenca e përgjithshme, fqinji pyeti: “Ju thoni se keni profetë dhe apostuj? Dhe dy herë në vit në një konferencë të përbotshme ata zbulojnë fjalën e Perëndisë?”

“Absolutisht”, u përgjigj anëtari me besim.

Fqinji mendoi rreth asaj për një çast. Ai dukej vërtet i interesuar dhe pastaj pyeti: “Çfarë thanë ata në konferencën e fundit?”

Në këtë pikë anëtari i mirë i Kishës që ndihej i emocionuar deri tani rreth ndarjes së ungjillit, filloi të ndihej në siklet. Sado që u përpoq, nuk mund të mendonte për hollësitë e as edhe një bisede të vetme.

Miku i tij e pa këtë shqetësim dhe tha: “Ju doni të më tregoni që Perëndia i flet njeriut në ditët tona dhe ju nuk mund ta kujtoni çfarë Ai tha?”

Vëllai u ndje i përulur nga ky shkëmbim. Ai u betua se do të përpiqej më shumë që t’i kujtonte fjalët e thëna nga shërbëtorët e Zotit në konferencë të përgjithshme.

Ne të gjithë e dimë sa e vështirë është të mbash mend çdo mesazh të një konference të përgjithshme, dhe unë besoj se nuk është nevoja të sikletosemi nëse nuk kujtojmë çdo gjë. Gjithsesi, ka mesazhe në çdo konferencë të përgjithshme të dhëna si dhuratë dhe bekim nga qielli posaçërisht për situatat tona vetjake të jetës.

Në përgatitje për konferencën e përgjithshme, më lejoni të sugjeroj tre koncepte bazë që mund të na ndihmojnë të marrim, kujtojmë dhe zbatojmë më mirë fjalët e thëna nga shërbëtorët e Zotit.

1. Anëtarë të Kishës fitojnë të drejtën për zbulesë vetjake kur dëgjojnë dhe studiojnë fjalët e frymëzuara që thuhen në një konferencë të përgjithshme.

Ndërsa përgatiteni për konferencën e përgjithshme, unë ju ftoj të mendoni mbi pyetje që keni nevojë për përgjigje. Për shembull, ju mund të jeni të etur për drejtim dhe udhëzim nga Zoti lidhur me sfida me të cilat po përballeni.

Përgjigje për lutjet tuaja të posaçme mund të vijnë drejtpërdrejt nga një bisedë e veçantë apo një fjali konkrete. Herë të tjera përgjigjet mund të vijnë nga një fjalë, fjali apo këngë në dukje pa lidhje. Një zemër e mbushur me mirënjohje për bekimet e jetës dhe një dëshirë e sinqertë për të dëgjuar dhe ndjekur fjalët e këshillës do të përgatisin rrugën për zbulesë vetjake.

2. Mos e shpërfillni një mesazh thjesht sepse tingëllon i njohur.

Profetët gjithmonë na kanë mësuar nëpërmjet përsëritjes, ajo është ligj i të mësuarit. Ju do të dëgjoni përsëritje në tema dhe doktrina në konferencë të përgjithshme. Më lejoni t’ju siguroj përsëri: kjo nuk është për mungesë force krijuese apo fantazie. Ne vazhdojmë të dëgjojmë mesazhe mbi çështje të ngjashme, sepse Zoti po na mëson dhe lë mbresa në mendjet dhe zemrat tona për parime themelore të një rëndësie të përjetshme që duhet të kuptohen dhe të vihen në zbatim përpara se të kalojmë te gjëra të tjera. Një ndërtues i urtë në fillim hedh themelin përpara se të ngrejë muret dhe çatinë.

3. Fjalët e thëna në konferencën e përgjithshme duhet të jenë një busull që tregon rrugën për ne gjatë muajve të ardhshëm.

Nëse ne u mbajmë vesh dhe i ndjekim nxitjet e Shpirtit, ato do të shërbejnë si Liahona, duke na drejtuar nëpër të panjohurën, lugina dhe male sfidues që na presin (shih 1 Nefi 16).

Që nga fillimi i botës, Perëndia ka ngritur profetë që u thonë vullnetin e qiellit njerëzve të kohës së tyre. Është përgjegjësia jonë t’i dëgjojmë dhe pastaj t’i zbatojmë mesazhet që Zoti jep për ne.

Ati ynë i mëshirshëm dhe i dashur Qiellor nuk i ka braktisur dhe nuk do t’i braktisë fëmijët e Tij. Sot, si edhe në kohët e kaluara, Ai ka caktuar apostuj dhe profetë. Ai vazhdon t’u zbulojë fjalën e Tij atyre.

Çfarë privilegj i mrekullueshëm është të dëgjosh mesazhet e Perëndisë për secilin prej nesh gjatë një konference të përgjithshme! Le të përgatitemi mirë për këtë bekim të madh të drejtimit hyjnor dhënë nga shërbëtorët e Tij të zgjedhur.

Sepse ky nuk është një bekim i zakonshëm.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

  • Lexojeni artikullin së bashku. Nxiteni familjen të përcaktojë gjëra që do t’i mbajë vesh gjatë një konference të përgjithshme.

  • Për të ndihmuar fëmijët e vegjël zbatoni këshillën e dhënë nga Presidenti Uhtdorf, tregojuni atyre një skemë të Autoriteteve të Përgjithshme (gjendet në botimin e Liahonës për konferencën). U tregoni se Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve do të flasin në një konferencë të përgjithshme. Nxitini fëmijët të mbajnë vesh konferencën dhe të bëjnë një vizatim që t’u ndihmojë të mbajnë mend atë që mësuan. Prindërit mund të vizitojnë conferencegames.lds.org për më shumë aktivitete të konferencës për fëmijë.

Djathtas: Foto nga Les Nilsson

Shtyp në Letër