Misionari i Vogël i Gjyshe Denit
Emilia Maria Guimaraes Korrea jeton në Distriktin Federal në Brazil.
“Kur një njeri flet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve” (2 Nefi 33:1).
Vitori jetonte me nënën dhe motrën e tij në shtëpinë e gjyshe Denit. Gjyshja e Vitorit u sëmur dhe nuk mundi ta linte shtratin për shumë javë. Ajo ishte e vetmuar në dhomën e saj.
Vitori vendosi se ai mund t’i bënte shoqëri gjyshes Deni. Çdo ditë, kur kthehej nga shkolla, çonte një kopje të Liahonës në dhomën e gjyshes dhe i lexonte asaj histori nga faqet e fëmijëve.
Pasi i lexoi të gjitha kopjet e Liahonës që kishte familja e tij, ai filloi t’i lexonte asaj Librin e Mormonit dhe Biblën. Gjyshja Deni nuk ishte anëtare e Kishës, por kishte shumë dëshirë ta dëgjonte Vitorin t’i lexonte. Ajo ishte e gëzuar të mësonte rreth ungjillit.
Gjyshja bëri shumë pyetje. Nëse Vitori nuk i dinte përgjigjet, pyeste mësuesen e tij të Fillores ose shihte në shkrimet e shenjta. Gjyshja e thërriste Vitorin ‘misionari i saj i vogël’.
Gjyshja Deni i tha Vitorit se kishte mësuar shumë prej tij. Ajo premtoi se do të vinte me të në kishë kur të bëhej mirë. Çfarë kishte mësuar, e bëri atë të dëshironte të bëhej më mirë dhe të studionte më shumë rreth ungjillit.
Kur gjyshja u bë mirë, ajo e mbajti premtimin. Shkoi në kishë me Vitorin për të mësuar më shumë rreth asaj që i kishte mësuar ai. Nuk kaloi shumë kohë para se gjyshja të pagëzohej dhe të konfirmohej. Vitori e kishte ndihmuar atë të mësonte se ungjilli është i vërtetë.
Kur Vitori u rrit, ai u bë një misionar me kohë të plotë në Misionin e Masaçusetsit, Boston. Përpara se të largohej, ai shkoi në tempull – me gjyshe Denin.