2013
Telefoni u Mbyll
Prill 2013


Telefoni u Mbyll

Seda Meliksetian, Armeni

Në mars 1997, ndërsa jetonim në qytetin rus të Rostov-mbi-Donit, bashkëshorti im dhe unë u pagëzuam në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Kur studioja doktrinat e Kishës, shumë prej pyetjeve të mia merrnin përgjigje. Ishte interesante të mësoja rreth planit të shpëtimit, përfshirë praktikën e pagëzimit për të vdekurit. U habita kur mësova se ne mund të pagëzoheshim për paraardhësit tanë në vdekur.

Një vit pas pagëzimit tonë, presidenti i misionit na ftoi të përgatiteshim për të shkuar në tempull. Si pjesë e përgatitjes sonë, ne filluam të bënim kërkim për historinë familjare. Një ditë kur po mendoja rreth bërjes së kësaj pune, ra telefoni. Ishte vjehrra ime. I kërkova nëse mund të më dërgonte një listë të paraardhësve të vdekur të familjes nga ana e bashkëshortit tim. Ajo u mahnit dhe më tha se pagëzimi për të vdekurit nuk ishte doktrinë e Krishtit, por më tepër diçka që e kishin sajuar mormonët. Nuk isha e sigurt se si t’i përgjigjesha asaj, sepse nuk i dija referencat nga shkrimet e shenjta që e mbështetnin doktrinën.

Ndërsa po mendoja se si t’i përgjigjesha, telefoni u mbyll. Nuk isha e sigurt për një minutë se çfarë kishte ndodhur, por e ula telefonin dhe shkova në dhomën time të gjumit. Mora Dhiatën e Re në duart e mia, u ula në gjunjë për t’u lutur dhe i kërkova Atit Qiellor të më tregonte ku mund ta gjeja përgjigjen.

Në fund të lutjes sime, hapa Biblën. Ndieva sikur dikush të më kishte thënë të lexoja vargun 29-të në po atë faqe që kisha hapur. Isha në kapitullin e 15-ë të 1 Korintasve, që flet për doktrinën e pagëzimit për të vdekurit.

U preka dhe u habita që Ati Qiellor i ishte përgjigjur lutjes sime tamam në atë çast. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme.

Po mendoja thellë rreth kësaj përvoje, kur papritur telefoni ra përsëri. Ishte vjehrra ime, duke më pyetur përse ishte mbyllur telefoni. I thashë se nuk e dija, por më pas i kërkova të hapte Biblën e saj dhe të lexonte 1 Korintasve 15:29.

Pak ditë më vonë, një listë të afërmish të vdekur ishte mbi tryezën time. Vjehrra ime e kishte lexuar shkrimin e shenjtë dhe tani besonte se Shpëtimtari, nëpërmjet apostullit Pal, na kishte mësuar doktrinën e pagëzimit për të vdekurit.

Perëndia u ka premtuar bekime të mëdha atyre që bëjnë këtë punë shëlbuese. E di se kjo është e vërtetë.