Udhëheqëset e Të Rejave dhe të Shoqatës së Ndihmës Vizituan Zonën e Azisë
Për nëntë ditë në nëntor të 2012-ës, Meri N. Kuk, këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, dhe Linda S. Rivs, këshilltare e dytë në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, i udhëzuan dhe i frymëzuan motrat e reja e ato në moshë përqark Zonës së Azisë.
Udhëtimi përkoi me njoftimin e programit të rishikuar mësimor për rininë, Ejani, Më Ndiqni, të cilin Të Rinjtë, Të Rejat dhe klasat e Shkollës të së Dielës për të rinjtë do të fillojnë ta përdorin në janar 2013. Programi i ri mësimor është hartuar për t’i ndihmuar mësuesit ta japin mësimin më shumë siç e dha Shpëtimtari dhe të zhvillojnë marrëdhënie më të forta me pjesëtarët e klasës.
Pas vizitës së Motrës Kuk dhe Motrës Rivs në Zonën e Azisë, shumë të rinj aziatikë dhe prindërit menduan se tani kanë më shumë shtysë për ta pastruar dhe ripërqendruar jetën e tyre dhe për t’u bërë shembull për komunitetet e tyre vendore.
Në Hong-Kong, Motra Rivs u premtoi të rinjve: “Nëse do të qëndroni të pastër në jetën tuaj, ju mund t’i dilni përpara çdokujt me besim në vetvete!”
E frymëzuar nga fjalët e saj, 12-vjeçarja Tang Kak Kei u shpreh pas takimit: “E di se duhet ta lexoj Librin e Mormonit çdo ditë. Mënyra si të pendohem dhe të jetoj drejtësisht është ajo që më ka mësuar të bëj broshura Për Forcën e Rinisë, që Drita e Krishtit dhe lumturia e vërtetë të mund të rrezatojnë përmes meje.”
Në Indi, Motra Kuk u takua me anëtarët në shtëpinë e re të mbledhjes në Distriktin Çenai të Indisë dhe me anëtarët e Kunjit të ri të Hiderabadit në Indi dhe i paralajmëroi të rinjtë në moshë madhore që të përgatiteshin për të ardhmen. “Kualifikojeni veten nga ana arsimore”, bëri thirrje ajo, “me aftësi që do t’ju ndihmojnë të ndërtoni mbretërinë. Përqendrohuni te familja juaj dhe tek ajo që mund të bëni për t’i bekuar pjesëtarët e familjes suaj, dhe te përgatitja juaj shpirtërore që të jeni të denjë për ato nxitje shpirtërore, dhe kështu do ta dini ku të shkoni e çfarë të bëni.”
Në Indonezi, Motra Rivs mori pjesë në konferencën e parë të kunjit në Kunjin e ri Surakarta të Indonezisë. “Ne i ndiem shpirtrat e tyre të përulur e të dashur. Çfarë anëtarësh besnikë!” tha ajo.
Motra Rivs më pas vizitoi Malajzinë, ku diskutoi me një grup motrash të Shoqatës së Ndihmës për problemet më të ngutshme të Shoqatës së Ndihmës si organizatë në Malajzi dhe për mënyrën se si Kisha mund të sigurojë udhëzim e frymëzim.
Në Tajvan, Motra Rivs foli rreth forcës dhe përkushtimit të anëtarëve vendorë. “Jemi kaq të lumtura që të dimë rreth jetës së tyre besnike dhe frekuentimit të vazhdueshëm të tempullit. … Anëtarët janë shembuj dashamirës për miqtë dhe fqinjët e tyre”, tha ajo.