2013
Pirja nga Burimi
Prill 2013


Kur Prapë të Takohemi

Pirja nga Burimi

Jezu Krishti është burimi i ujit të gjallë.

Kur flasim rreth bukurisë së tempujve, ne përmendim veçanërisht majat, dritaret dhe afresket. Ne flasim me nderim për vaskat pagëzimore, dhomat e indaumentit, dhomat e vulosjes dhe dhomat çelestiale.

Por kur një profet ia përkushton një tempull Zotit, ai e përkushton të gjithë godinën, jo vetëm pjesët e bukura që u bien në sy të gjithëve. Në lutjen përkushtuese për Tempullin e Kanzas-Sitit në Mizuri, Presidenti Tomas S. Monson tha: “Ne përkushtojmë tokën mbi të cilën qëndron ky tempull. Përkushtojmë çdo pjesë të kësaj strukture të bukur, nga pikëmbështetjet e papara deri te figura e madhërishme e Moronit, që kurorëzon pikën e tij më të lartë.”1 Kur Presidenti Jozef Filding Smith shqiptoi lutjen përkushtuese për Tempullin e Ogdenit në Juta, ai përkushtoi “themelet, muret, dyshemetë, tavanet, kullën dhe të gjitha pjesët e ndërtetës” dhe u lut për mbrojtjen e të “gjitha pjesëve mekanike, përcjellësve dhe instalimeve të ndriçimit, sistemit të ventilimit dhe ashensorëve, dhe të gjitha gjërat që i përkasin kësaj godine”2.

Jam mirënjohës që Zoti i frymëzon profetët e Tij për të përkushtuar çdo pjesë të çdo tempulli. Edhe pse një menteshë dere apo një instalim drite, qartazi, ka një qëllim më të vogël se sa një altar në një dhomë vulosjeje, pjesë të tilla më të vogla luajnë rol në qëllimin përfundimtar të tempullit për të ekzaltuar.

Një nga këto pjesët më të vogla më ka ndihmuar të mësoj një mësim të qëndrueshëm. Një ditë isha në Tempullin e Solt-Lejkut, duke u përgatitur që të largohesha nga dhoma e veshjes, pasi kisha marrë pjesë në një ordinancë për të vdekurit. Kur pashë një çezmë për të pirë ujë, e kuptova se isha i etur, kështu që u përkula për të pirë pak ujë. Një lajm më erdhi në mendje:

E pi këtë ujë në tempull, por a e pi me të vërtetë ujin e gjallë që është i disponueshëm këtu?

Nuk ishte një mallkim goditës – thjesht një qortim i butë dhe një pyetje që përshkonte shpirtin.

Përgjigjja ime ndaj asaj pyetjeje ishte jo. Nuk po e pija plotësisht ujin e gjallë të tempullit. Duhej ta pranoja, mendja ime ishte endur për të tjera gjëra disa minuta më parë, ndërsa merrja ordinancat për të vdekurit. Edhe pse kisha bërë një punë të mirë për njerëzit që kishin nevojë për ndihmën time, nuk e kisha lejuar veten që të merrja të gjithë ndihmën që më nevojitej.

Tani, sa herë që shkoj në tempull, kërkoj për një çezmë uji dhe ndaloj për të pirë. E pyes veten se sa thellësisht po pi nga çezma e ujit të gjallë. Përgjigjja ime: Ende jo aq thellë sa të mjaftojë. Por etja ime po rritet.

Shënime

  1. Thomas S. Monson, në “Kansas City Missouri Temple: ‘Beacon of Divine Light’—an Offering of Hands and Hearts”, Church News, 12 maj 2012, ldschurchnews.com.

  2. Joseph Fielding Smith, në “Ogden Temple Dedicatory Prayer”, Ensign, mars 1972, f. 12.

Fotografi © iStockphoto.com/Amphotora