2013
Ai Është Ngritur
Prill 2013


Mesazhi i Presidencës së Parë

Ai Është Ngritur

Presidenti Henri B. Ajring

Një dëshmi e realitetit të Ringjalljes së Jezu Krishtit është një burim si shprese ashtu edhe vendosmërie. Dhe mund të jetë e tillë për çdo fëmijë të Perëndisë. Ishte për mua, në një ditë vere në qershor 1969 kur më vdiq nëna; ka qenë të gjithë vitet që atëherë dhe do të jetë derisa ta shoh atë përsëri.

Trishtimi prej ndarjes së përkohshme u zëvendësua menjëherë me lumturi. Ishte më shumë se shpresë për një ribashkim të lumtur. Sepse Zoti ka zbuluar kaq shumë nëpërmjet profetëve të Tij dhe sepse Fryma e Shenjtë më ka pohuar të vërtetën e Ringjalljes, unë mund ta shoh në mendjen time se si do të jetë ribashkimi me njerëzit tanë të dashur, të shenjtëruar dhe të ringjallur:

“Këta janë ata që do të dalin në ringjalljen e të drejtëve. …

… Këta janë ata, emrat e të cilëve shkruhen në qiell, ku Perëndia dhe Krishti janë gjykatësi i të gjithëve.

Këta janë ata që janë njerëz të drejtë, të bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij” (DeB 76:65, 68–69).

Sepse Jezu Krishti i theu prangat e vdekjes, të gjithë fëmijët e Atit Qiellor, të lindur në botë, do të ringjallen në një trup që nuk do të vdesë kurrë. Kështu dëshmia ime dhe e juaja për atë të vërtetë të lavdishme, mund të largojë dhembjen e humbjes së një anëtari të dashur të familjes ose të një miku dhe e zëvendëson atë me parashikimin e hareshëm dhe vendosmërinë e patundur.

Zoti na ka dhënë të gjithëve dhuratën e ringjalljes, nëpërmjet së cilës shpirtrat tanë vendosen në trupa që nuk kanë papërsosmëri fizike (shih Alma 11:42–44). Nëna ime do të shfaqet e re dhe rrezatuese, pasojat e moshës dhe të viteve të vuajtjes fizike të hequra. Ajo do t’i vijë asaj dhe do të na vijë ne si dhuratë.

Por ata prej nesh, që dëshirojmë shumë të jemi me të përgjithmonë, duhet të bëjmë zgjedhje që të cilësohemi për atë shoqërim, për të jetuar atje ku Ati dhe Biri i Tij i Dashur, i ringjallur banojnë në lavdi. Atje është i vetmi vend ku jeta familjare mund të vazhdojë përjetësisht. Një dëshmi e asaj të vërtete e ka rritur vendosmërinë time për ta cilësuar veten time dhe ata që i dua, për shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale, nëpërmjet veprimit të Shlyerjes së Jezu Krishtit në jetën tonë (shih DeB 76:70).

Në këtë kërkim për jetën e përjetshme, Zoti na ofron një udhëzues në lutjet e sakramentit, që më ndihmon mua dhe mund t’ju ndihmojë juve. Ne ftohemi t’i ripërtërijmë besëlidhjet tona të pagëzimit në çdo mbledhje sakramenti.

Ne premtojmë ta kujtojmë gjithmonë Shpëtimtarin. Emblemat e flijimit të Tij na ndihmojnë të çmojmë madhësinë e çmimit që Ai pagoi për të thyer lidhjet e vdekjes, për të na ofruar mëshirë dhe për të na siguruar falje për të gjitha mëkatet tona, në qoftë se zgjedhim të pendohemi.

Ne premtojmë të mbajmë urdhërimet e Tij. Leximi i shkrimeve të shenjta dhe i fjalëve të profetëve të gjallë, dhe dëgjimi i folësve të frymëzuar në mbledhjet tona të sakramentit, na sjellin ndër mend besëlidhjet tona për të bërë kështu. Fryma e Shenjtë na sjell në mendjet dhe zemrat tona urdhërimet që duhet të mbajmë më shumë atë ditë.

Në lutjet e sakramentit, Perëndia premton të dërgojë Frymën e Shenjtë që të jetë me ne (shih Moroni 4:3; 5:2; DeB 20:77, 79). Kam gjetur në atë çast se Perëndia mund të më japë atë që e ndiej si një intervistë vetjake. Ai më sjell në vëmendjen time çfarë kam bërë që e kënaqin Atë, nevojën time për pendim e falje dhe emrat e fytyrat e njerëzve që Ai dëshiron t’u shërbej për Të.

Me kalimin e viteve, ajo përvojë e përsëritur e ka kthyer shpresën në ndjenja të dashurisë hyjnore dhe ka sjellë një siguri që mëshira u çlirua për mua nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit.

Unë dëshmoj se Jezusi është Krishti i ringjallur, Shpëtimtari ynë, shembulli dhe udhërrëfyesi ynë i përsosur për te jeta e përjetshme.

Mësimdhënia nga Ky Mesazh

Ne duhet t’i “përshta[sim] të gjitha shkrimet e shenjta për ne, që ato të mund të jenë për përfitimin dhe mësimin tonë” (1 Nefi 19:23). Merrni parasysh leximin e lutjeve të sakramentit, që gjenden në Doktrina e Besëlidhje 20:76–79. Pas leximit të mësimeve të Presidentit Ajring rreth lutjeve të sakramentit, ju mund të dëshironi t’i ftoni ata, të cilëve po u jepni mësim, të mendojnë për mënyra se si këto lutje mund ta orientojnë jetën e tyre dhe mund t’i ndihmojnë të kthehen për të jetuar përsëri me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Fotografi nga Matthew Reier; Ai Është Ngritur, nga Del Parson, nuk mund të kopjohet