2013
Diçka nuk Shkonte me Avionin Tim
Prill 2013


Diçka nuk Shkonte me Avionin Tim

Kreg Uilli, Juta, SHBA

Një mbrëmje, ndërsa po e çoja avionin tim plot me pasagjerë për te pista e nisjes, pata një ndjenjë se diçka nuk shkonte me sistemin e drejtimit të avionit. Për ta pohuar përshtypjen time shpirtërore, e nxora avionin nga pista dhe bëra disa kthime 360-gradëshe. Çdo gjë dukej në rregull.

Vrava mendjen: “A duhet të nisem dhe t’i çoj pasagjerët në vendmbërritjen e tyre në kohë, apo duhet të kthehem te porta e nisjes?” E dija se kthimi do të krijonte një vonesë të gjatë. Pistat e nisjes janë me një drejtim. Do të më duhej të prisja që kontrolli në tokë të krijonte një hapësirë për mua që ta lëvizja avionin kundër rrymës së trafikut. Më pas do të na duhej të prisnim që ekuipazhin i mirëmbajtjes ta kontrollonte aeroplanin. Vonesat mund të shkaktonin probleme për kompaninë ajrore dhe për pasagjerët që kishin njerëz për të takuar dhe linja të tjera avionësh për të marrë. Gjithashtu mendova se si do të reagonte departamenti i mirëmbajtjes ndaj raportit tim se aeroplani kishte një problem, kur s’kisha asgjë për ta vërtetuar përveçse një ndjenje të fortë.

Si kapiten i avionit, unë isha përgjegjës për sigurinë tonë, kështu që vendosa të ndjek ndjenjën që pata dhe të kthehem.

Kur arritëm te porta, i thashë mekanikut që ndieja se diçka nuk shkonte me aeroplanin, por nuk e dija se cili ishte shqetësimi. Ai nuk besoi se kishte një problem.

“Është ndoshta thjesht pista e lagur”, tha ai. “Mund të kesh shkarë në asfalt.” Ai ra dakord, megjithatë, që t’i hidhte një sy ingranazhit drejtues në timonin e përparmë. Pasi e kontrolloi, më kërkoi t’i zbrisja pasagjerët që të mund ta merrte aeroplanin për një rrugë testimi.

Kur u kthye pas 30 minutash, ishte shumë i shqetësuar. Gjatë rrugës së testimit, ai kishte dëgjuar një tingull të mprehtë me ndërprerje. Kur i përdori frenat, ndërsa po kthehej për të ardhur përsëri te porta, e humbi kontrollin e aeroplanit dhe pothuajse doli jashtë pistës.

Një inspektim i hollësishëm zbuloi se frenat nuk kishin pasur mirëmbajtjen e duhur një mbrëmje më parë. Po ta kisha ulur aeroplanin pas fluturimit tonë, frenat nuk do të kishin funksionuar dhe do ta kisha humbur kontrollin e aeroplanit.

Unë mora një avion tjetër për ta pilotuar dhe i zbrita pasagjerët të sigurt në vendmbërritjen e tyre tri orë më vonë.

Gëzohem që i dëgjova pëshpërimat e Shpirtit. E di se Shpirti do të na drejtojë, në qoftë se kërkojmë udhëheqjen e Zotit dhe i dëgjojmë nxitjet që vijnë.