2013
Përgjigjja ndaj Thirrjes për më Shumë Misionarë: Krijimi i një Mendësie Misionare në Shtëpi dhe në Kishë
Prill 2013


Përgjigjja ndaj Thirrjes për më Shumë Misionarë: Krijimi i një Mendësie Misionare në Shtëpi dhe në Kishë

Peshkopi Viktor Nogales i Lagjes Parke Çakabuko, në Kunjin Kongreso në Buenos-Ajres, Argjentinë, ulet përpara një stende buletinësh të mbuluar me fotografitë e 37 të rinjve e të rejave në lagjen e tij. Kur njëri prej tyre niset për një mision, ai vendos një shënim pranë fotografisë.

“Të rinjtë e mi emocionohen shumë kur vijë në zyrën time dhe shohin fotografitë e shënimet”, tha ai. “Kjo i nxit ata të përgatiten për misionet e tyre vetjake.”

Kjo lagje në Buenos-Ajres është shembull për shpirtin e punës misionare. Në gjashtë muajt e parë të 2012-ës, 19 të rinj – 14 prej tyre të kthyer në besim – lanë shtëpitë e tyre për të shërbyer në misione kohëplota në tetë shtete. Më shumë se 80 përqind e të rinjve të përshtatshëm për misione janë zotuar që të shërbejnë.

Në vitet e fundit, udhëheqësit e Kishës kanë bërë disa kërkesa që në misione të shërbejnë më shumë të rinj.

Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 2005, pak pasi u botua manuali Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar, Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i këshilloi familjet dhe udhëheqësit që të krijojnë një shpirt misionari dhe të përgatisin më shumë të rinj e të reja që të shërbejnë me nder duke i ndihmuar ata të kuptojnë cilët janë dhe duke u mësuar doktrinën (shih “One More”, Liahona, maj 2005, f. 69).

Njoftimi i Presidentit Tomas S. Monson gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2012 që kufijtë e moshës misionare do të uleshin, shërbeu si një kujtues tjetër që Zoti po e shpejton punën e Tij.

Sot, shumë familje dhe udhëheqës të Kishës po i marrin seriozisht këto mesazhe dhe po ndërtojnë një traditë të pasur të shërbimit misionar në zonat e tyre.

Të Ndihmuarit e Rinjve që të Kuptojnë Cilët Janë

Në përgjigje të pyetjes: “Si keni mundur të përgatisni kaq shumë prej të rinjve tuaj që të jenë të gatshëm të shërbejnë?” Peshkopi Nogales tha: “Kur u thirra si peshkop, shqetësimi im kryesor qe rinia e lagjes sime dhe ua bëra të qartë udhëheqësve të tjerë të lagjes që duhej të ishim pjesë e jetës së tyre”.

Për shembull, të gjithë misionarët e Çakabukos kishin thirrje në lagje para largimit të tyre. Shpesh të sapokthyerit në besim dhe anëtarët më pak aktivë ftoheshin të shërbenin si mësues, gjë që i ndihmoi ata të përgatiteshin për të dhënë mësim ungjillin.

Peshkopi Nogales gjithashtu bëri të mundur që rinia të përgatitet shpirtërisht për një mision duke punuar me misionarët kohëplotë vendorë.

Teksa udhëheqësit dhe anëtarët vendorë të Kishës ia kanë përkushtuar veten rinisë së lagjes, ata janë shpërblyer duke e parë shpirtin misionar të rritet pa masë.

Një Familje me Shpirt Misionar

Garth dhe Eloiza Endrjus nga Drejpëri në Juta, SHBA, e dinë ç’do të thotë të kesh një familje me shpirt misionari. Ata kanë 17 nipër e mbesa që kanë shërbyer në misione dhe kanë shërbyer në gjashtë misione vetë.

Krijimi i shpirtit të shërbimit misionar në familje është diçka që fillon që nga koha kur fëmijët janë të vegjël, tha vëllai Endrjus.

Motra Endrjus qe në një mendje. “Ju nuk e lini shërbimin në një mision si një pritshmëri të heshtur, por flisni me fëmijët dhe nipërit e mbesat tuaja rreth saj si të mos jetë një gjë e pasigurt [thoni] – kur të shkosh në mision, jo sikur”, tha ajo.

T’u mësosh të rinjve se cilët janë duke dhënë shembull të shërbimit misionar është gjithashtu e rëndësishme. Vëllai dhe Motra Endrjus e pranuan thirrjen e tyre të parë në 1980-ën, pikërisht kur djali i tyre më i vogël po largohej për në misionin e tij.

Një nip u shkroi atyre pasi mori një dhuratë që ata i dërguan për ta ndihmuar atë të përgatitej për mision. “Ai na falënderoi [për dhuratën], por tha: ‘Shumë më e rëndësishme është t’ju falënderoj për shembullin që më keni dhënë’”, tha Motra Endrjus.

Mësimdhënia e Doktrinës

“Të rinjtë tanë kanë të drejtën të presin që prindërit dhe udhëheqësit e Kishës dhe mësuesit do të sigurohen se ata e dinë dhe e kuptojnë ungjillin e Jezu Krishtit”, tha Plaku Ballard. “Fryma e Shenjtë do të pohojë të vërtetën në zemrat e tyre dhe do të ndezë Dritën e Krishtit në shpirtrat e tyre. Dhe atëherë ju do të keni një tjetër misionar të përgatitur tërësisht” (M. Russell Ballard, “One More”, f. 71).

Rreth 6.000 milje (9.600 km) larg Buenos-Ajresit, Dega Horsshu Bend pranë Boizit në Ajdaho, SHBA, ka parë gjithashtu një rritje të ndjeshme në shërbimin misionar teksa familjet dhe udhëheqësit i kanë përforcuar përpjekjet për t’ua mësuar ungjillin të rinjve të tyre.

Nga një degë e vogël me 75 anëtarë, nëntë të rinj po shërbejnë në misione.

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi arsyet dhe dobitë e shërbimit. “Të gjithë misionarët … shërbejnë me të vetmen shpresë për t’ua bërë jetën më të mirë njerëzve të tjerë”, tha ai. “Vendimi për të shërbyer në një mision do t’i japë formë fatit shpirtëror të misionarit/es, bashkëshortes së tij apo bashkëshortit të saj dhe pasardhësve të tyre për brezat që do të vijnë. Dëshira për të shërbyer është një pasojë e natyrshme e kthimit në besim, denjësisë dhe e përgatitjes së dikujt” (“Pyetni Misionarët! Ata Mund t’Ju Ndihmojnë!” Liahona, nëntor 2012, f. 18).

Martin Uolker, presidenti i Kunjit Emet në Ajdaho, qe dakord me këtë. “Shërbimi në mision e vendos një të ri në një shteg që do të prekë breza të tërë”, tha ai. “Si kunj, ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i përgatitur të rinjtë për shërbim misionar.”

Një pjesë e asaj përgatitjeje është t’u jepet mësim ungjilli të rinjve. Rinia në Degën Horsshu Bend ka të drejtë të ndjekë një orë mësimore javore mbi përgatitjen për mision të dhënë mësim nga një president i mëparshëm misioni – trajnim që e plotëson trajnimin për misionarët të siguruar nga mbledhja mujore e kunjit mbi përgatitjen për mision për rininë dhe Kampin vjetor të Priftërisë Aarone.

LaRen Adam – një nga gjashtë fëmijët e Vëllait dhe Motrës Endrjus – shërbeu krah të shoqit, Xhimit, në Misionin e Danimarkës, në Kopenhagë nga viti 2007 deri në 2009. Ajo dëshmoi për rëndësinë që ka t’u mësosh fëmijëve ungjillin në shtëpi.

“Një nga gjërat më të mira që mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të ndërtojnë një dëshmi për punën misionare, është të mbani mbrëmjet tuaja familjare dhe studimin e shkrimeve të shenjta si familje”, tha ajo. “Nëse u jepni atë bazë të fortë të studimit të ungjillit dhe dijes rreth ungjillit, ata janë shumë më të përgatitur dhe dinë shumë më tepër rreth ungjillit.”

Peshkopi Viktor Nogales qëndron te stenda e buletinëve që paraqet të gjithë rininë e lagjes së tij, përfshirë ata që po shërbejnë tani në misione.

Fotografi me mirësinë e Paul L. Garvin