2013
Trajnimi Mbarëbotëror i Udhëheqjes – një Përqasje e Re
Prill 2013


Trajnimi Mbarëbotëror i Udhëheqjes – një Përqasje e Re

Në muajt në vijim, anëtarët e Kishës përqark botës do të marrin pjesë në një përqasje të re frymëzuese të Trajnimit Mbarëbotëror të Udhëheqjes.

Ndryshe nga mbledhjet e mëparshme të trajnimit, Trajnimi Mbarëbotëror i Udhëheqjes për këtë vit nuk do të transmetohet si një ngjarje e vetme për udhëheqësit e lagjeve dhe kunjeve. Përkundrazi, është ndarë në nëntë fragmente të shkurtra – në një DVD dhe te LDS.org – që nxit diskutimin tek të gjithë udhëheqësit, anëtarët dhe familjet gjatë gjithë këtij viti e më tej.

Pika ku do të përqendrohet trajnimi është “Forcimi i Familjes dhe i Kishës nëpërmjet Priftërisë”. Në trajnim, anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, bashkë me Autoritetet e tjera të Përgjithshme dhe drejtuesit e përgjithshëm, japin udhëzim të frymëzuar mbi:

  • Mënyrën si familjet mund të gjejnë forcë dhe paqe nëpërmjet fuqisë së priftërisë.

  • Mënyrën si të ndihmohet çdo familje që të përjetojë bekimet e priftërisë.

  • Mënyrën si t’i forcojnë shtëpitë dhe familjet ata që mbajnë çelësat e priftërisë.

  • Mënyrën si të kryejmë shërbesë sipas mënyrave të Krishtit.

  • Mënyrën si t’i rrisim fëmijët në dritë e të vërtetë.

Të gjitha njësitë e Kishës do të marrin kopje të DVD-së dhe këshillave të lagjeve e kunjeve u kërkohet ta shohin të plotë. Ata më pas duhet të këshillohen së bashku rreth mënyrës si t’i ndihmojnë anëtarët e lagjes e të kunjit që të kenë dobi nga udhëzimi.

Anëtarët mund t’i shohin dhe të diskutojnë për fragmentet e ndara të DVD-së në mbledhje dhe orë mësimore. Familjet dhe individët mund t’i shohin fragmentet, së bashku me burimet shtesë për të zgjeruar studimin e tyre, te wwlt.lds.org.

Në çdo mjedis, pjesa më e fuqishme e trajnimit do të ndodhë pasi një fragment të përfundojë dhe të nisë diskutimi. Teksa udhëheqësit, anëtarët dhe familjet meditojnë, tregojnë dhe dëshmojnë rreth asaj që panë e dëgjuan, Fryma e Shenjtë do t’i frymëzojë e do t’u mësojë atyre si ta vënë në zbatim udhëzimin në rrethanat e tyre vetjake. Nëpërmjet këtyre përvojave, ky Trajnim Mbarëbotëror i Udhëheqjes do të ndihmojë që të forcohen familjet dhe Kisha anekënd botës.

Plaku L. Tom Peri, Plaku Donald L. Hallstrom dhe Peshkopi Din M. Dejvis, drejtuan një panel diskutimi mbi rëndësinë e përdorimit të çelësave të priftërisë.

Duke qëndruar jashtë shtëpisë së Meri Filding Smithit në Parkun e Trashëgimisë: Ky është Vendi, Plaku M. Rasëll Ballard, Linda K. Barton, Plaku Ronald A. Rasband, Elen S. Dalton, Rozmari M. Uiksom dhe Peshkopi Geri E. Stivenson diskutojnë për bekimet e të pasurit të priftërisë në çdo shtëpi.