2013
Misionarët e Rinj me Shërbim në Kishë Gjejnë Gëzim kur Shërbejnë
Prill 2013


Misionarët e Rinj me Shërbim në Kishë Gjejnë Gëzim kur Shërbejnë

Plaku [Eldër] Ernesto Sarabia mbajti një etiketë të zezë misionari çdo ditë të misionit të tij. Por detyra e tij e misionit qe e veçantë nga shumë të tjera – Plaku [Eldër] Sarabia shërbeu si misionar i ri me shërbim në Kishë (MRSHK) në zyrën e Misionit Hermozilo të Meksikës.

“Ne e pranojmë se mund të mos jetë e udhës që disa të rinj e të reja të përballojnë stresin fizik e emocional dhe sfidat e një misioni kohëplotë”, ka thënë Plaku M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Por kjo, tha ai, nuk do të thotë që ata nuk mund të marrin pjesë në bekimet e shërbimit misionar (“One More”, Liahona, maj 2005, f. 69).

Plaku Rasëll M. Nelson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Një mision është një gjest vullnetar shërbimi ndaj Perëndisë dhe njerëzimit” (“Pyetni Misionarët! Ata Mund t’Ju Ndihmojnë!” Liahona, nëntor 2012, f. 18), dhe ka shumë mënyra për ta dhënë atë shërbim.

Për ata që janë liruar me nder nga shërbimi në misione predikuese kohëplota, ose për ata që duhet të kthehen në shtëpi herët, programi i MRSHK-së mund të sigurojë përvoja domethënëse misioni.

Kushtet për të Shërbyer

MRSHK-të duhet të jenë fizikisht, mendërisht, shpirtërisht dhe emocionalisht në gjendje për të kryer detyrat e thirrjeve të tyre, të cilat u caktohen me kujdes.

Detyrat e MRSHK-ve zgjasin nga 6 deri në 24 muaj dhe mund të përfshijnë shërbimin rreth dy ditë në javë deri në shërbimin me kohë të plotë. Ka mundësi për të shërbyer si në komunitet ashtu edhe nga shtëpia. Detyrat e mundshme të MRSHK-ve përfshijnë kërkimet për historinë familjare, teknologjinë e informacionit, ndihmën në zyrën e misionit, në depot e peshkopit e të tjera.

Mbështetja nga Familja dhe Priftëria

Prindërit, udhëheqësit e priftërisë dhe anëtarët e Kishës mund t’i ndihmojnë MRSHK-të e mundshëm që të shërbejnë në misione.

Familja e motrës Eliza Xhoi Jang ka qenë një mbështetje e fortë për të, duke e çuar dhe duke e marrë atë me makinë nga zyrat e Kishës në Sidni, Australi.

Plaku [Eldër] Majkëll Hillam, i cili punon në Qendrën e Shpërndarjes së Hong-Kongut, tha: “Mësuesit e mi të seminarit herët në mëngjes dhe udhëheqësit e Të Rinjve më ndihmuan të përgatitem”.

Sakrifica Sjell Bekime

Motra Jang sakrifikoi ditët e saj të pushimit nga puna me kohë të pjesshme për të shërbyer një mision shërbimi në Kishë. Ajo tha: “Ndihem më pranë Atit tim Qiellor duke e ditur se po e ndihmoj”.

Përveç bekimeve shpirtërore, kryerja e një misioni me shërbim në Kishë u jep misionarëve të rinj mundësi sociale dhe profesionale me vlerë. “Misioni im më ka treguar se jam e aftë të punoj në një punë të pavarur”, tha Motra Jang. (Më parë ajo kishte punuar vetëm në punë me ndihmues.)

Ndonëse jo të gjithë të rinjtë në moshë madhore që do të dëshironin të shërbenin, mund të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, është bërë një përpjekje e madhe për të mirëpritur çdo të ri në moshë madhore të denjë. Të rinjve dhe të rejave që do t’u pëlqente të shërbenin në këtë mënyrë, mund të flasin me peshkopin ose presidentin e degës së tyre, i cili mund të gjejë mundësi të përshtatshme për ta.

Lexoni më shumë te news.lds.org duke kërkuar me fjalët “young church-service missionaries” [“misionarë të rinj me shërbim në kishë”].