2013
Studimi i Bisedave të Konferencës së Bashku
Prill 2013


Bllok Shënimesh për Konferencën e Prillit

Studimi i Bisedave të Konferencës së Bashku

Greg Beti jeton në Juta, SHBA.

Ndryshimi i mënyrës se si e rishikonim konferencën i rriti shumë diskutimet tona për ungjillin si familje.

Për vite, ne gëzoheshim me leximin e revistës së konferencës si familje, duke i lexuar artikujt një e nga një. Kur filluam, ne thjesht mblidheshim përreth tavolinës dhe secili lexonte me radhë nga një paragraf me zë të lartë. Por vumë re se po e lexonim atë që ta mbaronim, pa ndaluar për ta përvetësuar mesazhin.

Për të marrë më shumë nga ajo që po lexonim, gruaja ime dhe unë blemë një kopje të revistës së konferencës për çdo anëtar të familjes dhe planifikuam se sa biseda duhej të studionim çdo javë, me qëllim që të mund t’i lexonim të gjitha përpara konferencës së përgjithshme të ardhshme. Disa javë lexonim një bisedë dhe javë të tjera lexonim dy, por çdonjëri duhej ta studionte bisedën dhe të nënvizonte pjesët që i pëlqenin. Më pas, për mbrëmjen familjare ne do ta mësonim njëri-tjetrin nga pjesët tona të nënvizuara.

Shpesh fëmijët tanë kishin pyetje që hapnin diskutime, ose gruaja ime dhe unë bënim pyetje nga studimi ynë. Ne e çmonim shumë kur dëgjonim adoleshentët tanë t’i shpjegonin përgjigjet e tyre ndaj atyre pyetjeve, duke treguar gjëra që i mësonin në seminar, në kishë ose gjatë studimit të tyre vetjak. Kjo u bë një mënyrë shumë e mirë e të dëgjuarit të dëshmive të thjeshta të njëri-tjetrit në mënyrë të rregullt, në një atmosferë shumë të rehatshme, të çlirët.

Shpejt mësuam se studimi i shkrimeve të shenjta në mëngjes mori të njëjtin ton. Disa ditë ne do të lexonim vetëm pak vargje, përpara se koha do të shkonte shpejt prej diskutimit rreth atyre vargjeve dhe mënyrës se si zbatoheshin ato te gjërat që po ndodhin përreth nesh.

Mëngjeset tona mbushen tani me bashkëbisedim, të qeshura dhe harmoni, përpara se secili prej nesh të shkojë në aktivitetet përkatëse. Ne kemi dëshmi të forta për këshillën e profetit tonë për të studiuar dhe për t’u lutur së bashku çdo ditë. Familja jonë është ndryshuar në një familje ku ne mësojmë nga njëri-tjetri dhe e forcojmë njëri-tjetrin. E gjithë kjo është pasojë e dëshirës për të fituar diçka më shumë nga konferenca e përgjithshme.

Fotoilustrim nga Aubry Startin © IRI