Çfarë Besojmë Ne
Fryma e Shenjtë Ngushëllon, Frymëzon dhe Dëshmon
Dhurata e Frymës së Shenjtë është një nga bekimet më të mëdha që mund të marrim në këtë jetë, sepse Fryma e Shenjtë na ngushëllon, frymëzon, paralajmëron, pastron dhe udhëzon. Ai mund të na mbushë “me shpresë dhe dashuri të pastër” (Moroni 8:26). Ai na mëson “të vërtetën e të gjitha gjërave” (Moroni 10:5). Ne marrim zbulesë dhe dhurata shpirtërore nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Më e rëndësishmja, ne marrim dëshmitë tona për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Përpara se të pagëzoheshit, ju mund ta ndienit Frymën e Shenjtë herë pas here. Por vetëm nëpërmjet marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë pas pagëzimit tuaj, ju mund të gëzoni shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, me kusht që të jeni të denjë. Kjo dhuratë u dha nga një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke me anë të vendosjes së duarve (shih Veprat e Apostujve 19:6; DeB 33:15). Çdo ditë Shabati që nga ajo kohë, ju mund t’i ripërtërini besëlidhjet tuaja të pagëzimit ndërsa merrni sakramentin dhe në këtë mënyrë merrni bekimin e Zotit që ju të mund të “ken[i] gjithmonë Shpirtin e Tij” të jetë me ju (DeB 20:77).
Fryma e Shenjtë, të cilin shpesh e quajmë Shpirti, është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne” (DeB 130:22).
“Pasi Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë” (Helamani 4:24), ne duhet të jemi të denjë për shoqërimin e Tij. Ne e bëjmë këtë, ndërmjet të tjerash, duke pasur mendime të virtytshme, duke jetuar me integritet dhe duke u përpjekur të mbajmë urdhërimet.
Pas marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë, ne mund të bëjmë shumë gjëra për ta ftuar ndikimin e Tij në jetën tonë:
Lutemi.
Studiojmë shkrimet e shenjta.
Marrim me denjësi sakramentin.
Adhurojmë në tempull.
Shikojmë media të shëndetshme, përdorim gjuhë të pastër dhe kemi mendime të virtytshme.