Mësimdhënie nga Për Forcën e Rinisë
Rëndësia e Miqve të Mirë
Miqtë kanë një ndikim të fortë në veprimet tona, veçanërisht kur jemi të rinj. “Ata do të ndikojnë në mënyrën se si mendoni e veproni dhe madje do të ndihmojnë për të përcaktuar se çfarë njeriu do të bëheni.”1 Dhe kur zgjidhni miq të mirë, “ata do të jenë një forcë dhe bekim i madh për ju. … Do t’ju ndihmojnë të bëheni një njeri më i mirë dhe do t’jua bëjnë më të lehtë që të jetoni ungjillin e Jezu Krishtit.”2
Në faqet 52-53 të këtij numri, Elen S. Dalton, presidente e përgjithshme e Të Rejave, na mëson rreth rëndësisë së kërkimit dhe bërjes së një miku të mirë. “Të kërkuarit e së mirës më të madhe për një njeri tjetër, është thelbi i miqësisë së vërtetë”, thotë ajo.
Ngritja e miqësive mbi këto parime do ta ndihmojë rininë të formojë marrëdhënie jetëgjata dhe aftësi shoqërore, të cilat shkojnë përtej thjesht të bërit “miq” në faqet shoqërore të internetit. Si prind, ju mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të kuptojnë rëndësinë e të qenit një mik i mirë dhe të zgjedhjes së miqve që do t’i nxisin ata ta jetojnë ungjillin. Sugjerimet vijuese mund të jenë të dobishme.
Sugjerime për të Mësuar Rininë
Si familje, hetoni shkrimet e shenjta për shembuj të miqve të mirë. Diskutoni se cilat cilësi i bënë ato miqësi të forta. Merrni parasysh Davidin dhe Jonathanin (shih 1 Samuelit 18–23), Ruthin dhe Naomin (shih Ruthi 1–2) dhe Almën dhe bijtë e Mosias (shih Mosia 27–28; Alma 17–20).3
Rishikoni seksionin për miqtë në broshurën Për Forcën e Rinisë. Tregojuni adoleshentëve tuaj se si ndikuan miqësitë në jetën tuaj. I ftoni të tregojnë se si kanë ndikuar ata te miqtë e tyre dhe se si janë ndikuar prej miqve të tyre.
Lexoni artikullin e motrës Dalton në këtë numër. Flisni rreth qëllimit të bijës së saj, Emit, për të kërkuar miq të mirë. I ndihmoni fëmijët tuaj të caktojnë qëllime lidhur me llojin e miqve që dëshirojnë të kërkojnë dhe të jenë.
Merrni në shqyrtim mbajtjen e një mbrëmjeje familjare për të ndarë ide për krijimin e miqësive, të tilla si: “Që të keni miq të mirë, jini mik i mirë. Tregoni interesim të sinqertë për të tjerët; buzëqeshni dhe bëjuani të ditur se kujdeseni për ta. Trajtojini të gjithë me mirësi e respekt dhe përmbahuni nga gjykimet dhe kritikat për ata që ju rrethojnë.”4
Sugjerime për të Mësuar Fëmijët
Të qenit mik përfshin të ndihmuarin e të tjerëve. Lexoni “Standing Up for Caleb” në Liahonën e marsit 2009 dhe flisni me fëmijët tuaj rreth mënyrave se si mund të jenë të mirë me këdo që takojnë.
Në të gjitha situatat, ne duhet të vendosim se çfarë lloj miku do të jemi. Këndoni së bashku “Përpiqem t’Jem si Jezusi”5 dhe më pas flisni me fëmijët tuaj rreth mënyrave se si mund të zgjedhin të jenë një mik i mirë, si Shpëtimtari, në mjedise të ndryshme.