2013
Zgjedhja e Pjesës më të Mirë
Prill 2013


Zgjedhja e Pjesës më të Mirë

Nganjëherë duhet të heqësh dorë nga diçka e mirë për diçka më të mirë.

Zoltan Syçi nga Seged, Hungari, e habiti trajnerin e tij në sportin e kajakut duke i thënë se nuk do të shkonte në Gjermani për një garë.

“Ishte në të njëjtën ditë me pagëzimin tim, kështu që thashë jo”, tha Zoltani.

Në moshën 17-vjeçare, Zoltani kishte fituar shumë gara në sportin e kajakut. Ai është një sport mjaft i përhapur në Hungari dhe Zoltani ishte i mirë – aq i mirë sa bërja profesionist ishte një mundësi e vërtetë. Përveç vendimit për të mos shkuar në një garë, Zoltani shpejt do të hiqte dorë nga sporti i kajakut tërësisht. Ai kishte diçka më të mirë për të bërë.

Sporti i kajakut kishte qenë diçka e mirë për Zoltanin. Gjatë viteve që kishte punuar me trajnerin e tij, ai kishte mësuar vetëkontroll, bindje dhe të punonte shumë. Zoltani gjithashtu kishte mësuar se si t’i shmangte lëndët dhe zakonet që mund ta dëmtonin arritjen e tij. Nuk ishte një jetë e lehtë; ishte e vetmuar dhe bërja profesionist do të zinte më shumë kohë. Profesionistët praktikojnë 12 orë në ditë dhe duhet të konkurrojnë të dielën.

“Sporti i kajakut më zuri shumicën e kohës time”, tha Zoltani. “Isha shumë i zellshëm. Për shkak të saj, lashë shumë gjëra jashtë jetës sime.”

Kjo ishte arsyeja përse Zoltani vendosi që nuk mund t’ia kushtonte veten si ungjillit, ashtu edhe sportit të kajakut. Në 2004 ai i tha trajnerit të tij se nuk do të shkonte më me kajak.

Në fillim të atij viti, misionarët filluan t’i jepnin mësimet nënës së Zoltanit. Ai nuk mori pjesë në mësime. E pranoi pa qejf ftesën e nënës së tij për në pagëzimin e saj. Por zemra e tij u prek nga ajo që ndieu, sapo u fut në ndërtesën e kishës. Zoltani ra dakord të takohej me misionarët, pjesërisht sepse mund të krahasohej me ta.

“Misionarët ishin interesantë për mua, sepse ishin njerëz normalë, por jetonin një standard më të lartë”, tha ai.

Për shkak të standardit më të lartë që Zoltani po jetonte tashmë si sportist kajaku, ai i pranoi me gatishmëri si të vlefshme mësimet e ungjillit. Ai u pagëzua dy muaj më vonë.

Në fillim mendoi se mund ta vazhdonte sportin e kajakut, por të mos bënte gara të dielave. Por, ngaqë ai ishte lloji i njeriut që, kur zotohej ndaj një aktiviteti ose kursi, dëshironte të dilte me sukses në të, ai zgjodhi të hiqte dorë nga sporti tërësisht.

E provoi njëherë të shkonte me kajak si hobi pas pagëzimit. Kur e bëri, trajneri i tij i kërkoi ta ndihmonte atë duke u dhënë mësim të tjerëve dhe duke organizuar udhëtime, meqë ai nuk do të konkurronte. Por ai nuk donte të bënte zotime ndaj sportit të kajakut – ose ndonjë aktiviteti tjetër – që mund t’i dilte pengesë në rrugën e tij të qenies dishepull.

Kështu Zoltani e la sportin e kajakut dhe ia përkushtoi veten shërbimit në Kishë, në një vendim të ngjashëm me atë që bëri Presidentit Hauard W. Hanter (1907–1995) kur u martua. Presidenti Hanter ishte një muzikant i përkryer, i cili luante shumë vegla muzikore. Mbrëmjeve kishte luajtur në një orkestër, por mënyra e jetesës së atyre me të cilët shoqërohej, binte ndesh me standardet e ungjillit. Kështu Presidenti Hanter i la mënjanë veglat e tij muzikore dhe i nxirrte vetëm në rastet kur këndonin si familje.1

Zoltanin e merr malli për sportin e kajakut, por ai e kuptoi se dashuria e tij për kajakun ishte mjaft e fortë sa të ndeshej me, dhe ndoshta ta mposhtte, dashurinë e tij për Zotin, nëse ai do të qëndronte pranë sportit.

I njëjti parim mund të zbatohet me çdo aktivitet që na largon nga ai njeri që Perëndia na dëshiron të jemi. Për secilin prej nesh mund të jetë më mirë ta kalojmë jetën pa disa gjëra – edhe nëse ato janë gjëra të mira – se sa të rrezikojmë jetën tonë të përjetshme për t’i pasur ato.

“Kisha u bë jeta ime”, thotë Zoltani. “Duke e ditur se sporti i kajakut nuk mund të ishte jetesë, në qoftë se doja të isha aktiv dhe se do të ishte thjesht një hobi, u bë e lehtë të hiqja dorë. Në vend të tij, doja ta bëja Atin Qiellor përqendrimin tim.”

Zoltani filloi ta studionte ungjillin me të njëjtën fuqi që i kushton çdo aktiviteti. Ai caktoi si qëllim të shërbente në një mision. Donte të qëndronte në vendin e tij dhe të mësonte të tjerët.

Ai shërbeu në Hungari dhe tani punon si mësues i gjuhës angleze në një shkollë të mesme. Ai vazhdon t’i vendosë përparësitë e tij duke u bazuar tek ungjilli. “Ka gjëra nga të cilat na duhet të heqim dorë, sepse ato na bëhen pengesë në rrugën e Perëndisë”, thotë ai. “Është e lehtë të heqësh dorë nga e liga, kur e di se duhet. Shpesh nuk e kuptojmë se kur duhet të heqim dorë nga diçka e mirë për diçka më të mirë. Ne mendojmë se, ngaqë nuk është e keqe, ne mund të mbahemi tek ajo dhe prapëseprapë të vazhdojmë të ndjekim planin e Perëndisë.” Por Zoltani e dinte se ne duhet të heqim dorë nga e mira, në qoftë se ajo na mban larg nga ndjekja e planit të Perëndisë për ne.

Shënim

  1. Shih Eleanor Knowles, Howard W. Hunter (1994), f. 81.

Zoltan Syç nga Seged, Hungari hoqi dorë nga sporti i kajakut për të pasur më shumë kohë për ungjillin.

Lart: fotografi © Thinkstock; poshtë: fotografi nga Adam C. Olson