Si të Shërbeni në Thirrjet e Priftërisë
Nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 1987
A keni menduar ndonjëherë thellë për vlerën e një shpirti njerëzor? A e keni vrarë mendjen ndonjëherë lidhur me potencialin që ndodhet brenda secilit prej nesh?
Një herë ndodhesha në një konferencë kunji, ku presidenti im i mëparshëm i kunjit Pol C. Çajlld u kthye tek Doktrina e Besëlidhje 18 dhe filloi të lexonte: “Kujtoni që vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (vargu 10).
Presidenti Çajlld atëherë pyeti: “Cila është vlera e një shpirti njerëzor?” Ai shmangu thirrjen e një peshkopi, presidenti kunji apo këshilltari të lartë për një përgjigje. Në vend të saj, ai zgjodhi presidentin e një kuorumi pleqsh.
Burri, i zënë në befasi, qëndroi i heshtur për çka u duk si përjetësi dhe më pas shpalli: “Vlera e një shpirti njerëzor është aftësia e tij për t’u bërë si Perëndia”.
Të gjithë të pranishmit e menduan thellë atë përgjigje. Presidenti Çajlld vijoi me mesazhin e tij, por unë vazhdova të reflektoja rreth asaj përgjigjeje të frymëzuar.
T’i ndikojmë, t’i mësojmë, t’i prekim shpirtrat e çmuar, të cilët Ati ynë i ka përgatitur për mesazhin e Tij, është një detyrë madhështore. Suksesi rrallëherë është i thjeshtë. Në përgjithësi paraprihet nga lotë, sprova, besim dhe dëshmi.
Shërbëtorët e Perëndisë gjejnë ngushëllim nga siguria e Mësuesit: “Unë jam me ju gjithë ditët” (Mateu 28:20). Ky premtim i madhërishëm ju mbështet ju, vëllezër të Priftërisë Aarone, të cilët u thirrët në detyra udhëheqjeje në kuorumet e dhjakëve, mësuesve dhe priftërinjve. Ju nxit në përgatitjet tuaja për të shërbyer në fushën e misionit. Ju ngushëllon gjatë atyre çasteve të humbjes së kurajës, që vijnë tek të gjithë.
“Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë”, thotë Zoti, “sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.
Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme” (DeB 64:33–34). Një besim i palëkundur, një mirëbesim i vazhdueshëm dhe një dëshirë e përzemërt gjithmonë i kanë karakterizuar ata që i shërbejnë Zotit me gjithë zemër.
Nëse ndonjë nga vëllezërit, brenda tingullit të zërit tim, ndihet i papërgatitur, madje i paaftë që t’i përgjigjet një thirrjeje për të shërbyer, për të sakrifikuar, për të bekuar jetën e të tjerëve, kujtoni të vërtetën: “Atë që Perëndia e thërret, Perëndia e kualifikon”.