Nga e Di
Ftesa Ime drejt Shpëtimit
Kur isha i ri, unë vizitova shumë grupe fetare dhe u hutova, sepse secili prej tyre jepte mësim interpretime të ndryshme të shkrimeve të shenjta. Nuk ndihesha mirë prej mungesës së nderimit që gjeta te disa prej tyre, kështu që hoqa dorë nga përpjekja për të gjetur një kishë ku të merrja pjesë.
Disa vite më vonë, një miku im, Kleiton Lima, u pagëzua në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ai nuk ma përmendi këtë, edhe pse ishim miq të mirë, por ndërsa koha kalonte, fillova të shoh ndryshime tek ai. Të dielave, zakonisht shkoja te shtëpia e tij në mëngjes, që të mund të luanim futboll, por kurrë nuk munda ta gjej në shtëpi. Kjo ndodhi dy ose tri të diela me radhë. Më së fundi, Kleitoni më tha se nuk mund të luante më futboll të dielave, sepse po nderonte ditën e Zotit. Unë i thashë: “Kjo kishë po të luan nga mendtë”.
Atëherë Kleitoni më ftoi të shkoja në kishë. I thashë një shfajësim, sepse akoma s’kisha dëshirë për fenë. Për 10 muaj, Kleitoni i solli misionarët për të më mësuar, por unë gjithmonë gjeja ndonjë shfajësim ose u thoja se isha shumë i zënë. Por ai nuk hoqi dorë kurrë.
Një ditë në qershor, ai më ftoi të shkoja në një mbrëmje vallëzimi të Kishës. E ngacmova: “A do të ketë ushqim falas dhe shumë vajza?” Duke qeshur, ai tha po!
Duhet të pohoj se u mposhta nga stomaku im. E vizitova kishën dhe më pëlqeu shumë. Më mirëpritën të gjithë, hëngra shumë dhe pata interesim për të ndjekur një mbledhje. Kur arrita në kishë të dielën, takova shumë njerëz dhe dëgjova dëshmitë e tyre. Nuk dija gjë për Librin e Mormonit, por e ndieva Shpirtin e Zotit kur anëtarë të ndryshëm të Kishës dëshmuan: “E di se Libri i Mormonit është i vërtetë, se kjo është Kisha e Jezu Krishtit dhe se Jozef Smithi ishte një profet i thirrur nga Perëndia”. Nuk isha ndier kurrë kaq mirë. Ende nuk doja të takohesha me misionarët, por ajo mbledhje dëshmish më preku.
Javën më pas, Kleitoni përsëri më ftoi të shkoja në kishë. Nuk munda, sepse kisha një detyrim tjetër. Mund ta shihja trishtimin në fytyrën e tij, kur i thashë se nuk e dija nëse mund të shkoja.
Megjithatë, të dielën në mëngjes u zgjova me dëshirën që të shkoja në kishë. U ngrita nga shtrati në 6:50, gjë që ishte e vështirë për mua, dhe u bëra gati e prita të vinte Kleitoni. Ai u habit kur më pa të veshur dhe duke pritur. Atë të diel, peshkopi dha një mësim rreth priftërisë. E ndieva fuqishëm Shpirtin dhe pata përshtypjen se duhej t’i merrja mësimet e misionarëve. Në fund të mbledhjes së Të Rinjve, e dija se do të pagëzohesha.
Kur mbaroi kisha, i thashë Kleitonit: “Unë dua të pagëzohem!”
Ai mendoi se po bëja shaka. Por më pas tha: “Nëse i marr në telefon pleqtë [elderat], a do të takohesh me ta?” Iu përgjigja po.
Më dhanë mësim pleq [eldera] të shkëlqyeshëm. Kur e dëgjova mesazhin e Rivendosjes, pata një pohim akoma më të madh se duhej të pagëzohesha. Por doja të dija vetë për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Pleqtë [elderat] e shënuan Moroni 10:3–5 në Librin tim të Mormonit dhe më ftuan të lutem dhe t’i kërkoj Perëndisë, në se ai është i vërtetë.
Mbrëmjen që pasoi, më kujtohet se ende nuk e kisha lexuar Librin e Mormonit. Kur fillova të lexoja, ndieva një shpirt shumë të fortë. U luta dhe, para se të mbaroja, e dija se Libri i Mormonit është i vërtetë. I jam mirënjohës Perëndisë që iu përgjigj lutjes sime. Unë u pagëzova në korrik 2006.
Më vonë shërbeva si misionar në misionin e Brazilit, Kuiabá dhe miku im Kleitoni shërbeu në misionin e Brazilit, Santa-Maria. Ne bëjmë atë që Kleitoni bëri për mua: i ftuam njerëzit të vijnë te Krishti dhe i ndihmuam të merrnin ungjillin e rivendosur, përmes ushtrimit të besimit te Jezu Krishti, pendimit, të qenit të pagëzuar dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë.
Le t’i ftojmë gjithmonë miqtë dhe të afërmit tanë që të mësojnë për këtë ungjill, pasi Shpëtimtari ftoi çdo njeri kur tha: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28). E di se kjo është Kisha e Jezu Krishtit dhe se tani është koha për ta ftuar çdo njeri që të vijë tek Ai.