2013
Pyetje e Përgjigje
Prill 2013


Pyetje & Përgjigje

“Si t’ia shpjegoj mikut tim se të thyesh ligjin e dëlirësisë është një ide e gabuar?”

Ati Qiellor na do të jemi të lumtur dhe të denjë për Shpirtin e Shenjtë, prandaj Ai na jep urdhërime për të na ndihmuar t’i mbajmë mendimet, fjalët dhe veprimet tona brenda kufijve të duhur. Ligji i dëlirësisë na ndihmon ta ruajmë fuqinë e krijimit të jetës brenda lidhjeve të martesës. Një arsye pse Ai urdhëron që fuqia e krijimit të jetës të shprehet vetëm midis bashkëshortit dhe bashkëshortes, është ngaqë “fëmijët kanë të drejtën të linden brenda lidhjeve të martesës”1.

Ju mund të ndani një kopje të broshurës Për Forcën e Rinisë me shokun ose shoqen tuaj. Ajo jep disa arsye përse është e mirë të mbahet ligji i dëlirësisë: “Kur jeni seksualisht të pastër, ju e përgatisni veten për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e shenjta në tempull. Ju e përgatisni veten për të ndërtuar një martesë të fortë dhe për të sjellë në botë fëmijë si pjesë e një familjeje të përjetshme dhe të dashur. Ju mbroheni nga dëmet shpirtërore dhe emocionale që vijnë nga ndarja e intimitetit seksual jashtë martesës. Ju gjithashtu e mbroni veten nga sëmundjet e dëmshme. Të qëndruarit të pastër seksualisht ju ndihmon të jeni të sigurt e vërtet të lumtur dhe rrit aftësinë tuaj për të marrë vendime të duhura tani dhe në të ardhmen.”2

Tempulli

Ati ynë Qiellor ka qëllim hyjnor për të gjithë ne dhe ai qëllim mund të përmbushet në tempull. Ne duhet të jemi të denjë për të hyrë në tempull, në mënyrë që familjet tona të mund të vulosen përgjithmonë. Ne do të jetojmë me Atin tonë Qiellor përsëri dhe, më e rëndësishmja, ne do të kemi një gëzim të pafundëm, të cilin nuk mund ta kenë të padenjët.

Alofa M., mosha 18 vjeç, Samoa

Martesa dhe Familja

Ne nxitemi të jemi të pastër seksualisht, me qëllim që të mund të jemi të denjë për të hyrë në tempull dhe për të mbajtur besëlidhje të shenjta. Nëse e ndjekim ligjin e dëlirësisë, ne mund të ngremë një martesë dhe familje të fortë në të ardhmen. Satani gjithmonë gjendet që të na tundojë, por nëpërmjet lutjes, shkrimeve të shenjta dhe miqve të mirë, ne mund ta mposhtim atë.

Resti M., mosha 16 vjeç, Filipinet

Pasojat Negative

Ka shumë pasoja negative kur thyhet ligji i dëlirësisë, por ju nuk mësoni për të gjitha ato në klasën e shëndetit. Thyerja e ligjit të dëlirësisë mund ta largojë Shpirtin nga jeta juaj, mund t’i lëndojë ata që ndodhen pranë jush dhe mund t’ju bëjë të ndiheni keq rreth vetes suaj. Ju sugjeroj të shihni një video në Mesazhet Mormone, të quajtur “Dëlirësia: Cilat Janë Kufijtë?” [në youth.lds.org në anglisht, portugalisht dhe spanjisht].

Methju T., mosha 17 vjeç, Juta, SHBA

Pastërtia dhe Respekti

Duke ndjekur ligjin e dëlirësisë, ne mbetemi të pastër në sytë e Perëndisë, ne e respektojmë veten tonë dhe i ndihmojmë të tjerët të na respektojnë ne gjithashtu. Nëse i bindemi ligjit të dëlirësisë, ne tregojmë se jemi fëmijë të Perëndisë dhe se mbështesim standarde të larta. Ne do t’i shmangim keqardhjet. Kur i bindemi Atit tonë Qiellor, veçanërisht lidhur me këtë ligj, jeta jonë do të jetë më e lumtur këtu në tokë dhe në botën që vjen.

Aliana G., mosha 19 vjeç, Filipinet

Një Dhuratë e Shenjtë

Në qoftë se dhurata e krijimit të jetës merret me shkujdesje, kjo dhuratë e çmuar nga Perëndia do të trajtohej si diçka e zakonshme. Dhënia e një dhurate nuk duket shpërblyese, në qoftë se njeriu të cilit ia dhatë atë, nuk mendon se ajo është e veçantë. Gjithmonë duhet ta trajtojmë krijimin e jetës me shenjtëri; sepse ne të gjithë jemi tempuj të Perëndisë dhe duhet të qëndrojmë të pastër dhe të dëlirë si një tempull.

Xhejrën Z., mosha 15 vjeç, Ajdaho, SHBA

Shpirti me Ne

Kur qëndroni të pastër nga mëkati, do të jeni shumë më të lumtur dhe do të bekoheni. Trupat tanë janë si tempujt dhe Ati Qiellor “nuk jeton në tempuj që nuk janë të shenjtë” (Alma 7:21). Prandaj kur qëndrojmë të pastër nga mëkati, Shpirti mund të banojë me ne.

Marian P., mosha 14 vjeç, Arkansas, SHBA

Pyetje të Rëndësishme

I jepni përgjigje pyetjes së shokut tuaj duke bërë disa pyetje: “Po sikur bashkëshortja jote e ardhshme të të shihte tani?” Të gjithë njerëzve për të cilët kam dëgjuar, që e kanë thyer ligjin e dëlirësisë, iu ka ardhur keq që e bënë atë. “Po sikur fëmija juaj i ardhshëm t’ju pyesë nëse e keni thyer ligjin e dëlirësisë?” Shoku juaj ka nevojë të mësojë se sa i rëndësishëm është tani ligji i dëlirësisë, përpara se një bir ose një bijë ta bëjë atë pyetje. Ju duhet ta mbani veten të pastër dhe të dëlirë që të gëzoni një jetë të lumtur, të shëndetshme, pa ndjenjën e fajit për thyerjen e ligjit të shenjtë.

Robin K., mosha 13 vjeç, Juta, SHBA

Virtyti dhe Dëlirësia

Zoti gëzohet në virtytin dhe dëlirësinë dhe gjithçka duhet të ndodhë në kohën e saj të duhur. Ligji i dëlirësisë është një urdhërim nga Zoti. Lutja dhe shoqërimi i Shpirtit janë kombinimi i përsosur për të ditur se të jesh i dëlirë është një bekim.

Selena R., mosha 18 vjeç, Nikaragua

Brenda Martesës

Unë do t’i shpjegoja shokut tim se shkelja e ligjit të dëlirësisë është një ide e keqe, sepse fuqia e krijimit të jetës është bërë vetëm për çiftet e martuara ligjërisht. Kur e shkelim ligjin e dëlirësisë, ne e humbasim Frymën e Shenjtë në jetën tonë.

Agustina A., mosha 15 vjeç, Gana

Shënime

  1. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  2. Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 35.