Për Forcën e Rinisë
Çfarë Është një Mik i Vërtetë?
Përkufizimi i një miku ka ndryshuar në botën e sotme me lidhje teknologjike. Sot ne mund të mendojmë se kemi shumë “miq”. Është e vërtetë: ne vërtet kënaqemi me aftësinë që të informohemi dhe të dimë në çdo kohë se çfarë po ndodh në jetën e shumë të njohurve tanë, si edhe të miqve të tanishëm e të mëparshëm, dhe madje edhe të njerëzve që nuk i kemi takuar personalisht, të cilët i quajmë miq.
Në lidhje me median shoqërore, termi “mik” shpesh përdoret për të përshkruar kontakte më tepër se sa marrëdhënie. Ju keni aftësinë për t’iu dërguar “miqve” tuaj një lajm, por kjo nuk është e njëjtë me të pasurin e një marrëdhënieje me një njeri ballë për ballë.
Nganjëherë shqetësimi ynë është të kemi miq. Ndoshta duhet të përqendrohemi te të qenit mik.
Ka shumë përkufizime se çfarë do të thotë të jesh një mik. Kurrë nuk do ta harroj kur dëgjova Plakun Robert D. Hejls, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, të fliste rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh një mik dhe ndikimit të fuqishëm të miqve në jetën tonë. Përkufizimi i tij ka pasur ndikim të përhershëm në jetën time. Ai tha: “Miqtë janë njerëz që ta bëjnë më të lehtë të jetosh ungjillin e Jezu Krishtit”1. Në këtë kuptim, të kërkuarit e së mirës më të madhe për një njeri tjetër, është thelbi i miqësisë së vërtetë. Është të vënit e dikujt tjetër para vetes. Është të qenit tërësisht i ndershëm, besnik dhe i dëlirë në çdo veprim. Ndoshta është fjala zotim që zbulon kuptimin e vërtetë të miqësisë.
Kur bija ime, Emi, ishte 15 vjeçe, ajo mori vendim se çfarë lloj miqsh do të kërkonte. Një mëngjes ajo vuri re që kopja e saj e Librit të Mormonit ishte hapur tek Alma 48. Ajo kishte shënuar vargjet që përshkruajnë kapiten Moronin: “Moroni ishte njeri i fortë dhe i fuqishëm; ai ishte njeri me kuptim të përsosur. … Po, dhe ai ishte një njeri i vendosur në besimin e Krishtit” (vargjet 11, 13). Në anë ajo kishte shkruar: “Unë dua të shoqërohem dhe të martohem me një burrë si Moroni”. Ndërsa shihja Emin dhe llojin e të rinjve me të cilët u shoqërua dhe më vonë doli në takime kur mbushi 16 vjeç, mund të shihja se ajo vetë po shërbente si shembull i atyre cilësive dhe po i ndihmonte të tjerët të jetonin në lartësinë e identitetit të tyre si bij të Perëndisë, mbajtës të priftërisë dhe etër e udhëheqës të ardhshëm.
Miqtë e vërtetë i ndikojnë ata me të cilët shoqërohen, për t’u “ngritur pak më lart [dhe] pak më mirë”2. Ju mund ta ndihmoni njëri-tjetrin, veçanërisht të rinjtë, për t’u përgatitur dhe për të shërbyer misione të nderuara. Ju mund ta ndihmoni njëri-tjetrin që të qëndroni të pastër moralisht. Ndikimi dhe shoqëria juaj e drejtë mund të kenë një pasojë të përjetshme, jo vetëm në jetën e atyre me të cilët shoqëroheni, por edhe për brezat që do të vijnë.
Shpëtimtari i quajti dishepujt e Tij miqtë e Tij. Ai tha:
“Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.
Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.
Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.
Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq; sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im” (Gjoni 15:12–15; theksimet të shtuara).
Ndërsa jetoni dhe ndani ungjillin e Jezu Krishtit, ju do të tërhiqni te vetja njerëz që do të duan të jenë miku i juaj – jo thjesht një kontakt në një faqe të medias shoqërore, por ai lloj miku që siç qe Shpëtimtari me fjalët e Tij dhe shembullin e Tij. Ndërsa përpiqeni fort të jeni mik me të tjerët dhe e lejoni dritën tuaj të shkëlqejë, ndikimi juaj do të bekojë jetën e shumë vetëve me të cilët shoqëroheni. E di se, ndërsa përqendroheni për të qenë mik për të tjerët, siç përcaktohet nga profetët dhe nga shembujt e shkrimeve të shenjta, ju do të jeni të lumtur dhe do të jeni një ndikim për mirë në botë dhe, një ditë, do të merrni premtimin e lavdishëm, të përmendur në shkrimet e shenjta rreth miqësisë së vërtetë: “Po ai shoqërim që ekziston mes nesh këtu, do të ekzistojë mes nesh atje, veçse do të jetë me lavdi të përjetshme” (DeB 130:2).