Përse na Nevojitet Libri i Mormonit
Disa njerëz mund t’ju pyesin përse na nevojitet Libri i Mormonit, kur ne tashmë e kemi Biblën. Në fakt, Jezu Krishti dëshmoi se kjo do të ndodhte (shih 2 Nefi 29:3). Ka shumë arsye përse Libri i Mormonit është i rëndësishëm në jetën tonë (për shembull, shih 2 Nefi 29:7–11). Këto janë vetëm pak arsye përse ai është thelbësor.
Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit
Shkrimet e shenjta na tregojnë një model të përdorimit të dëshmitarëve të shumtë për të themeluar të vërtetën në Kishën e Krishtit. Libri i Mormonit i shton një dëshmitar të dytë Biblës si një dëshmi për Krishtin. Plaku Mark E. Petersen (1900–1984), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dikur tha: “Arsyeja kryesore që e kemi Librin e Mormonit, është që në gojën e dy ose tre dëshmitarëve do të qëndrojnë të gjitha gjërat. (Shih 2 Korintasve 13:1.) Ne kemi Biblën; ne gjithashtu kemi Librin e Mormonit. Ata përbëjnë dy zëra – dy vëllime shkrimesh të shenjta – nga dy popuj të lashtë gjerësisht të veçuar, që të dy duke dhënë dëshmi për hyjninë e Zotit Jezu Krisht.”1 Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) ka shtuar: “Nuk duhet të harrojmë se Zoti Vetë e dha Librin e Mormonit si dëshmitarin e Tij kryesor”2.
Plotësia e Ungjillit
Ne e dimë se “gjërat e qarta dhe të çmueshme … janë hequr prej” Biblës gjatë historisë (1 Nefi 13:40). Libri i Mormonit e qartëson doktrinën e Krishtit dhe sjell plotësinë e ungjillit në tokë përsëri (shih 1 Nefi 13:38–41). Për shembull, Libri i Mormonit na ndihmon të dimë se pagëzimi duhet të kryhet me anë të zhytjes (shih 3 Nefi 11:26) dhe se fëmijët e vegjël nuk kanë nevojë të pagëzohen (shih Moroni 8:4–26).
Qendror për Kishën e Rivendosur
Jozef Smithi dëshmoi se Libri i Mormonit është “gurthemeli i besimit tonë”3. Ngaqë e dimë këtë, nuk duket rastësi që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u krijua më 6 prill 1830, vetëm 11 ditë pasi Libri i Mormonit u vu në dispozicion për herë të parë për shitje në publik më 26 mars 1830. Kisha nuk u organizua derisa shkrimi gurthemel i shenjtë ishte në dispozicion të anëtarëve të saj.
Një Bekim në Jetën Tonë
Lidhur me Librin e Mormonit, Jozef Smithi tha se “një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”4. Ka fuqinë për të ndryshuar jetë – përfshirë tuajën dhe jetën e atyre me të cilët e ndani Librin e Mormonit. Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Parë i Presidencës së Parë, ka dëshmuar: “Efekti i Librit të Mormonit në karakterin, fuqinë dhe guximin tuaj për të qenë dëshmitar i Perëndisë është i sigurt. Doktrina dhe shembujt e guximshëm në atë libër do t’ju lartësojnë, udhëzojnë dhe do t’ju japin guxim. …Studimi me lutje i Librit të Mormonit do të ndërtojë besim në Perëndinë, Atin, në Birin e Tij të Dashur dhe në ungjillin e Tij. Ai do të ndërtojë besimin tuaj te profetët e Perëndisë, të lashtët dhe të kohës sonë. … Ai mund t’ju afrojë më shumë me Perëndinë se çdo libër tjetër. Ai mund ta ndryshojë jetën për më mirë.”5