2020
Katër Mësime me Dritë për Kohë të Zymta
COVID19: Mesazhe Besimi


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Katër Mësime me Dritë për Kohë të Zymta

Teksa pandemia qëndron si një re e zymtë mbi botën, ka ende mënyra për ta lejuar dritën të hyjë brenda.

Grua duke parë nga drita

Autorja jeton në Voronezh–Oblast, Rusi.

Teksa po shëtitja qenin kohët e fundit, vura re një re gri nëpër të cilën depërtonin rreze dielli. Kjo më kujtoi pandeminë e tanishme. Ndonëse rrethanat mund të duken të zymta dhe të vranëta si ajo reja, dashuria e Zotit për ne është shumë më e fuqishme, si dielli.

Një thënie e njohur në anglisht është: “Çdo re ka një vijëzim të argjendtë” që do të thotë se fatkeqësia mund të na mësojë diçka dobiprurëse. Teksa mendoja për atë që më ka ndihmuar të rrija e qetë gjatë këtyre pak muajve të shkuar dhe ato që nuk kanë qenë aq të dobishme, e kuptova se ka katër të vërteta të rëndësishme që ndiej se do të vazhdojnë ta bekojnë jetën time për shumë kohë pasi të mbarojë kjo krizë.

1. Siguria Gjendet te Ndjekja e Profetit

Publikimet në median shoqërore rreth fundit të botës dhe raportimet e lajmeve të rreme rreth mënyrave krijuese për ta shkatërruar virusin nuk më bënë të ndihem më mirë për jetën. Edhe pse këto mesazhe kishin për qëllim t’i ndihmonin njerëzit të mbeteshin të mbrojtur e të shëndetshëm, ato thjesht më bën të ndihesha më e trembur nga sa isha tashmë. Për shembull, pasi pashë historinë e gjashtë rreth mënyrës se si disa erëza të caktuara gjoja mund ta vrisnin virusin korona, më kujtohet se u stresova për faktin a kishim një furnizim të mjaftueshëm erëzash në qilar, si dhe pyesja veten a ishte e afërt vdekja ime.

Gjatë një konference të përgjithshme rreth dy vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson, na ftoi të merrnim pjesë në një agjërim 10-ditor nga çdo mjet informimi që na sillte në mendje mendime negative dhe të papastra.1 Këshilla e tij më tingëlloi si një paralajmërim, ndaj ndalova së përdoruri disa programe të medias shoqërore që kishin përpirë shumicën e kohës sime të lirë. U bëra më e lumtur dhe pata më pak ankth.

Tani e kuptoj se duhet t’i heq sërish zakonet e mia lidhur me pajisjet elektronike. Vështroj prapa me mahnitje dhe çudi: “A e dinte Presidenti Nelson në atë kohës se media shoqërore mund të ishte një burim i tillë dëshpërimi e negativiteti sot, gjatë kësaj kohe krize? Vërtet, siguria gjendet te ndjekja profetit. Fjalët e udhëheqësve të Kishës sonë janë si një rreze dielli, që çan tejpërtej pështjellimin dhe i bën dritë shtegut drejt paqes.

2. Përgatitja e Lufton Frikën

Diçka tjetër që më ka bërë të ndihem e pështjelluar ka qenë të dëgjoja njerëz që, ashtu si në ditët e Noeut, tallen me të tjerët për përgatitjen dhe kthjelltësinë e tyre të mendjes. Mendoj se disa njerëz kanë zhvilluar qëndrime të shkujdesura ndaj së ardhmes. Ata që janë vërtet të mençur ndjekin këshillat e profetëve dhe përpiqen me kujdes që të bëhen të mbështetur te vetja.

Për vite me radhë, udhëheqësit e Kishës na kanë mësuar të jemi të lirë nga borxhet, të marrim arsimim që të sigurojmë më shumë të ardhura për veten dhe të tjerët, të kemi ca ushqim dhe ujë në ruajtje dhe të kursejmë para nëse është e mundur. E di se çdo situatë është e ndryshme dhe disa vende nuk ua lejojnë qytetarëve që të ruajnë ushqime ose furnizime të tjera materiale. Por edhe me ato lloj kufizimesh, duket sikur secili prej nesh mund të përcaktojë diçka që mund të bëjmë për të qenë më të përgatitur për të ardhmen.

Ndihem më e sigurt kur kam bërë një përpjekje për të qenë e bindur dhe mund t’i qasem Zotit me vetëbesim kur i kërkoj ndihmë. Kjo përgatitje është si një rreze tjetër dielli, që e përshkon frikën tej për tej dhe e nxjerr në pah shpresën.

3. Qëndrimi Sjell Ndryshim

Kjo pandemi më ka bërë edhe më mirënjohëse për njerëzit që më japin zemër me mesazhe lartësuese, mprehtësi shpirtërore dhe humor të shëndetshëm. Këta miq të dashur gjithnjë ma ndriçojnë ditën. Ata më kujtojnë se mund të zgjedhim si do të reagojmë ndaj çfarëdo gjëje që po ndodh përreth nesh.

U përpoqa të ndiqja këtë shembull kur u pezulluan mbledhjet e Kishës. Në vend që t’u nënshtrohesha pyetjeve të mia instiktive me “pse” dhe “si”, zgjodha të përqendrohesha në aspektet pozitive të të mësuarit të ungjillit me përqendrim te shtëpia. Tani mund ta shoh se përforcimi me vetëdije i një qëndrimi pozitiv, sado i vështirë që ishte nganjëherë, më ka ndihmuar të qëndroj më e fortë shpirtërisht nga sa do të kisha qenë po ta lija hidhësinë të mbizotëronte. Si një rreze e tretë dielli, një qëndrim i mirë mund ta davaritë dyshimin e të na e ripërtërijë shpirtin.

4. Fryma e Shenjtë Është një Aleat i Fuqishëm

Një ditë, kur po ndihesha e trishtuar dhe e vetmuar, vendosa të dëgjoja kanalin e Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit] në internet. Muzika gjithnjë më ndihmon ta ndiej ndikimin e Frymës së Shenjtë. Kishte një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë në atë kanal dhe ishte diçka argëtuese të shihje njerëz të shprehnin dashurinë dhe mirënjohjen e tyre nga e gjithë bota! U ndjeva e bashkuar me ta. Ndërsa ndikimi i Frymës së Shenjtë ma lehtësoi zemrën e lënduar, mora më tepër zemër dhe u qetësova.

E kam parë herë pas herë se, nëse bëj një përpjekje për ta ftuar Frymën e Shenjtë në jetën time, Ai do të më ndihmojë për çfarëdo që të më duhet. Ai është një aleat i fuqishëm që pret me padurim të na sjellë dhuratat e paqes, ngushëllimit dhe të të kuptuarit. Si një rreze dielli, Ai mund ta largojë errësirën dhe të zbulojë atë që është e vërtetë.

Gjejeni Rrezen e Diellit

Zoti është më i fortë se çdo mundim. Ashtu sikurse thotë vargu i dytë i himnit 45:

Zoti më ësht’ drit’ nëse ret’ shfaqen,

Besim[i] shum’ i fort drejt qiellit çohet,

Kur Jezusi përher’ në lavdi mbret’ron.

Si mundem që un’ n’err’sir’ gjithmon’ t’qëndroj?2

Do të doja të dilnim për një shëtitje së bashku sot. Mund të vështronim lart drejt qiellit, të merrnim rreze dielli dhe të bisedonim rreth të vërtetave që na e ndriçojnë jetën. Jam e sigurt se do të kishit ide të shkëlqyera se si t’ua shpërndanit atë dritë të tjerëve. Ndoshta mund të përfytyroni një shëtitje si kjo herën tjetër që stuhitë emocionale na e mbulojnë horizontin. Zoti është me ne dhe nuk ka pse të kemi frikë.

Shënime

  1. Shih Rasëll M. Nelson, “Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 69.

  2. “Zoti më Ësht’ Drit’”, Himne, nr. 45.