2020
Një Mesazh i Veçantë për Kohë të Trazuara
COVID19: Mesazhe Besimi


Një Mesazh i Veçantë për Kohë të Trazuara

Material shtesë për revistën Liahona, maj 2020

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Të gjithë ne jemi prekur nga pandemia e kohëve të fundit dhe ngjarje të tjera sfiduese nëpër botë. Është e kuptueshme që këto ndërprerje mund të nxitin disa ndjenja mërzitjeje, ankthi dhe frike. Por Perëndia nuk na ka braktisur. Ai mund të na ndihmojë të ecim përpara me besim.

Të Përgatitur për Kohë me Rreziqe

“Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime” (Doktrina e Besëlidhje 1:17).

Ai model i zbulesës udhërrëfyese vazhdon sot. Zoti na ka përgatitur për ngjarje si këto nëpërmjet profetëve të sotëm, përfshirë udhëheqësin tonë të tanishëm, Presidentin Rasëll M. Nelson.

“Ne jetojmë në një epokë të jashtëzakonshme kur e shohim në mënyrë konstante dorën e Zotit në jetën e fëmijëve të Tij”, dëshmoi profeti kohët e fundit në një material filmik në internet. “Ati Ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, na njohin, na duan dhe po kujdesen për ne.”

Këto sfida na japin një mundësi që ta vëmë në zbatim atë që kemi mësuar për adhurimin ungjillor të përqendruar te shtëpia. Me një zemër për dhënie shërbese, ne mund t’u drejtohemi me dhembshuri njerëzve që janë përreth nesh.

Paqe në Krisht

Në gjithçka që kalojmë, Zoti na ofron një paqe më të fuqishme se paniku.

“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po ua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27).

Më poshtë ka burime që shpresojmë se do t’ju ndihmojnë t’i kaloni mundimet e të sotmes. Dijeni se ju duan. Si fëmijë të Perëndisë, ne do t’ia dalim së bashku kësaj sfide.

Pyetje e Përgjigje

1. Ku mund t’i gjej orientimet më të fundit mbi aktivitetet e Kishës?

Faqja kryesore e Kishës (ChurchofJesusChrist.org) do të përditësohet rregullisht me informacion mbi mbledhjet e së dielës dhe aktivitete të tjera të Kishës. Për shembull, Presidenca e Parë u ka kërkuar peshkopëve dhe presidentëve të kunjeve që të përcaktojnë së bashku se si ta vënë sakramentin në dispozicion të anëtarëve të paktën një herë në muaj. Faqja kryesore gjithashtu paraqet mesazhe ngushëlluese që ju mund ta merrni parasysh t’i përdorni për të përhapur shpresë te njerëzit përreth jush. Kujtoni se burimi juaj më me vlerë është Fryma e Shenjtë, që mund t’ju japë zbulesë vetjake se si t’i ndihmoni njerëzit që i udhëhiqni.

2. Si mund t’u jap shërbesë të tjerëve duke qëndruar në siguri gjatë kësaj kohe?

Për ata që jetojnë me njerëz të dashur, një pjesë e dhënies së shërbesës më të vyer mund të bëhet brenda mureve të vetë shtëpive të tyre. Sugjerime për të ndihmuar rininë dhe fëmijët mund të gjenden në fund të këtij artikulli. Për t’u lidhur me njerëzit jashtë shtëpisë, teknologjia na jep shumë mundësi. Merrni në telefon, dërgoni mesazhe me celular ose gjeni mënyra të tjera për t’iu drejtuar atyre për të cilët shqetësoheni. Përveç interesimit për nevojat e tyre fizike, mendoni për atë që mund të bëni që t’i ndihmoni të ndihen më të lidhur me njerëzit dhe më pak të veçuar.

Udhëheqësit gjithashtu mund të marrin parasysh mënyrat se si teknologjia mund t’i ndihmojë të sigurohen që po plotësohen nevojat e çdo anëtari. Burime për dërgime mesazhi përfshijnë programin elektronik Mjetet e Anëtarit, qarqet e programit elektronik Gospel Living dhe Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.

3. Po për konferencën e përgjithshme?

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve na kanë ftuar të gjithëve që të përgatitemi për konferencën e përgjithshme dhe të marrim pjesë në të. Edhe pse shenjtorët nuk do të mblidhen fizikisht në Qendrën e Konferencave apo në shtëpi mbledhjesh më 4-5 prill, teknologjia na mundëson të mblidhemi në mënyrë elektronike dhe të jemi të bashkuar në shpirt teksa lexojmë, shikojmë dhe dëgjojmë së bashku. Kjo konferencë do të na ndihmojë ta kujtojmë dhe kremtojmë Vegimin e Parë që ndodhi 200 vjet më parë, dhe Rivendosjen e vazhdueshme të Ungjillit të Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme.

4. Si mund të adhuroj më së miri jashtë mbledhjeve të Kishës?

familje duke vështruar një libër

Shenjtorët përreth botës po i përdorin shkrimet e shenjta, muzikën për ungjillin, programin Eja, Më Ndiq, revistat e Kishës, faqen në internet Sabbath.ChurchofJesusChrist.org dhe burime të tjera të Kishës që t’i mbushin me adhurim ditët e tyre të Shabatit. Disa familje kanë thënë se këto mbledhje të përqendruara te shtëpia janë nga përvojat më shpirtërore që ata kanë pasur si familje! Nëse ndiheni të mbingarkuar, mos hiqni dorë! Nuk ka problem që t’i bëni gjërat thjesht – një këngë, një histori nga shkrimet e shenjta dhe një dëshmi e shkurtër mund të jenë një përvojë e mrekullueshme adhurimi.

Mesazhe Shprese dhe Ngushëllimi

Me raporte lajmesh shkurajuese që shtillen rrotull nesh, na nevojitet të gjejmë kohë për t’u larguar nga stresi dhe për ta ushqyer shpirtin tonë. Artikujt më poshtë mund ta ftojnë Shpirtin dhe të japin këndvështrim për sfidat. Le të jemi sidomos të vëmendshëm për atë që po përjetojnë sot rinia dhe fëmijët, dhe të ndjeshëm ndaj ndërprerjes së rutinës dhe zhgënjimeve me të cilat përballen. Si të rritur që jemi, është detyra jonë t’u japim atyre përgjigjet dhe ndihmën që u nevojitet.

Nga Konferencat e Kaluara

  • Vizitoni gc.ChurchofJesusChrist.org dhe klikoni te “Topics” [“Temat”] që të gjeni lehtë biseda të kaluara të renditura sipas temave si shërimi, mirënjohja dhe dashuria.

Mbi Gjetjen e Paqes

  • Peace in This Life” [“Paqe në Këtë Jetë”] (Liahona, dhjetor 2016): Presidenti Ajring dëshmon për sakramentin dhe paqen nga premtimet e Shpëtimtarit.

  • Sources of Peace and Power” [“Burime Paqeje dhe Fuqie”] (Liahona, mars 2019): Plaku Godoi na nxit t’i japim Zotit më të mirën tonë dhe t’i mirëbesojmë hirit të Tij.

  • Gjetja e Paqes për Veten dhe të Tjerët në Kohë të Vështira” (Liahona, prill 2019): Tetë sugjerime për të gjetur dhe shpërndarë paqe.

Mbi Përballimin e Fatkeqësive Natyrore

  • Natural Disasters—We Don’t Have to Be Afraid” [“Fatkeqësitë Natyrore – Nuk na Duhet të Frikësohemi”] (Liahona, gusht 2012): Plaku Elis jep sugjerime për kohën përpara, gjatë dhe pasi të godasë një fatkeqësi natyrore.

Mbi Pranimin e Vullnetit të Zotit

  • Accepting the Lord’s Will and Timing” [“Pranimi i Vullnetit dhe Kohës së Zotit”] (Liahona, gusht 2016): Plaku Bednar tregon histori të shenjtorëve besnikë.

  • But If Not” [“Por Nëse Jo”] (konferenca e përgjithshme e tetorit 2002): Plaku Uikman na nxit të mos ta vëmë në dyshim mirësinë e Perëndisë edhe kur ndodh diçka tragjike.

Mbi Hidhërimin

  • Sunday Will Come” [“E Diela do të Vijë”] (konferenca e përgjithshme e tetorit 2006): Plaku Uirthlin na kujton se mund të presim për shërimin.

Për të Ndihmuar Fëmijët

  • Përballja me Tragjedinë” (Liahona, prill 2019): Burime për të ndihmuar adoleshentët dhe fëmijët që të gjejnë qendrueshmëri dhe ngushëllim.

  • Unë do ta Shoh Atë Përsëri” (Liahona, prill 2019): Motra Aburto dëshmon për Ringjalljen. Faqja e dytë përfshin karta me citime ngushëlluese.

  • Vizitoni lessonhelps.ChurchofJesusChrist.org dhe klikoni tek tema si “Frika/Shqetësimi”.