Dhënia Mësim Adoleshentëve dhe FËMIJËVE MË TË Vegjël
Përballja me Tragjedinë
Herët ose vonë, fëmijët do të ndeshen me tragjedinë, qoftë pranë apo larg shtëpisë. Por “edhe kur bota është në trazirë kudo rreth nesh, ne mund të marrim bekimin e paqes së brendshme”1. Ja ku janë disa gjëra që mund të bëni për t’i ndihmuar fëmijët ta ndiejnë atë paqe.
Stabilitet
Kur ndodh diçka tragjike, fëmijët mund të ndihen sikur bota e tyre nuk është e drejtpeshuar. Jini një shembull qëndrueshmërie për ta. Flisni me qetësi e me besim rreth çështjes. Mbani vijueshmëri sa më shumë që mundeni. Bëni gjithçka që mundeni që të vazhdoni të bëni mbrëmje familjare, studim të shkrimeve të shenjta, lutje dhe zakone të tjera familjare. Me kalimin e kohës, fëmijët mund të mësojnë që edhe kur bota e tyre tronditet, ungjilli sjell ardhmëri dhe jeta vazhdon.
Respekt
Tregoni respekt për emocionet e fëmijëve. Dëgjojini fëmijët dhe njihuni me mënyrën se si ndihen ata. Tregojuni se jeni duke i marrë seriozisht shqetësimet e tyre. Jepuni hapësirë nëse u nevojitet, por bëjuni të ditur se jeni në dispozicion kur ata të jenë gati për të folur. Përgjigjuni me sinqeritet pyetjeve që lindin, në një mënyrë të përshtatshme për moshën. Bëjuni të ditur fëmijëve tuaj se ata gjithmonë mund të flasin me ju për frikën dhe shqetësimet e tyre.
Udhërrëfim
Fëmijët tuaj mund të pyesin: “Pse Perëndia lejon që të ndodhin gjëra të këqija?” Shpjegoni se të dyja, si kohët e mira dhe kohët e këqija, janë pjesë e jetës dhe pjesë e planit të përjetshëm të Perëndisë. Ai e lejon çdo person që të bëjë zgjedhjet e veta dhe ndonjëherë njerëzit bëjnë zgjedhje të këqija që shkaktojnë vuajtje. Herë të tjera, tragjeditë nuk janë faji i askujt, por janë thjesht pjesë e natyrës. Pavarësisht nga kjo, Ati Qiellor është atje për ne. Me ndihmën e Tij, ne mund të mësojmë dhe të rritemi, madje edhe nga përvoja të dhimbshme. Ne mund t’i drejtohemi Atij për të gjetur paqe.
Fuqizim
Tregojuni fëmijëve se ata kanë fuqinë për të bërë një ndryshim duke u dhënë atyre një mënyrë për të ndihmuar. Për shembull, ata mund të ndihmojnë në mbledhjen e dhurimeve për viktimat nga fatkeqësitë, të vizitojnë një shok të sëmurë ose të lënduar në spital, t’ia ngrenë moralin dikujt që po përballet me një humbje familjare ose të luten për ata që po hasin vështirësi. Ne nuk mund të ndreqim gjithçka, por kemi aftësinë për të bërë shumë të mira dhe ne “punojmë për paqe sa herë që ndihmojmë në lehtësimin e vuajtjeve të një tjetri”2.
Ngushëllim
Kujtojuni fëmijëve tuaj se Perëndia i do ata dhe se ju i doni ata. Mos jepni premtime të rreme se asgjë e keqe nuk do t’u ndodhë ndonjëherë, por sigurojini se janë të sigurt pikërisht tani dhe se do të bëni gjithçka që mundeni për t’i mbrojtur ata. Sigurojini se Ati Qiellor do t’i ndihmojë të kalojnë çdo sprovë që hasin në udhën e tyre.
Kur e shikoni veten të zhgënjyer nga fatkeqësitë, mbani mend se në fund, e mira do të triumfojë mbi të keqen. “Ne po luftojmë kundra mëkatit, … por nuk duhet të dëshpërohemi”, dha mësim Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018). “Është një luftë të cilën mundemi dhe do ta fitojmë. Ati ynë në Qiell na ka dhënë mjetet që na nevojiten për ta bërë këtë. Ai është në timon. Nuk kemi pse të frikësohemi”.3