2019
Ta Bësh të Gëzueshme Dhënien e Shërbesës
Prill 2019


Parimet e Dhënies së Shërbesës

Ta Bësh të Gëzueshme Dhënien e Shërbesës

Të shërbyerit me dashuri i sjell gëzim si dhuruesit ashtu edhe marrësit.

Jesus with the leper

LEBROSI QË THA “FALEMINDERIT” NGA John Steel

Ndonjëherë kërkimi ynë për lumturinë në këtë jetë mund të duket si vrapimi në një tapet vrapimi. Vrapojmë e vrapojmë dhe prapë ndiejmë se nuk kemi vajtur gjëkundi. Për disa, mendimi i dhënies së shërbesës ndaj të tjerëve thjesht të bën të ndihesh sikur po të shtohen më shumë gjëra për të bërë.

Por Ati ynë Qiellor do që ne të përjetojmë gëzim dhe na ka thënë se “njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Dhe Shpëtimtari dha mësim se t’u japësh shërbesë të tjerëve është një pjesë themelore e mënyrës se si ne sjellim gëzim në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.

Çfarë Është Gëzimi?

Gëzimi është përkufizuar si “një ndjenjë kënaqësie dhe lumturie”1. Profetët e ditëve të mëvonshme kanë dhënë sqarim se nga vjen gëzimi dhe se si gjendet ai. “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”, tha Presidenti Rasëll M. Nelson. “… Gëzimi vjen prej [Jezu Krishtit] dhe për shkak të Tij. Ai është burimi i të gjithë gëzimit.”2

Dhënia e Shërbesës Sjell Gëzim

Kur Lehi mori nga fruti i pemës së jetës, shpirti i tij u mbush “me gëzim jashtëzakonisht të madh” (1 Nefi 8:12). Dëshira e tij e parë ishte që ta ndante këtë frut me ata njerëz që ai i donte.

Gatishmëria jonë për t’u dhënë shërbesë të tjerëve mund të na e sjellë këtë lloj gëzimi neve dhe atyre. Shpëtimtari u mësoi dishepujve të Tij se fruti që japim kur jemi të lidhur me Të, ndihmon për të na sjellë një plotësi gëzimi (shih Gjoni 15:1–11). Ta bësh punën e Tij duke shërbyer dhe duke kërkuar t’i sjellësh të tjerët tek Ai mund të jetë një përvojë e gëzueshme (shih Lluka 15:7; Alma 29:9; Doktrina e Besëlidhje 18:16; 50:22). Ne mund ta përjetojmë këtë gëzim edhe kur përballemi me kundërshtimin dhe vuajtjen (shih 2 Korintasve 7:4; Kolosianëve 1:11).

Shpëtimtari na tregoi shembullin e përsosur se një nga burimet më të mëdha të gëzimit të vërtetë në jetën në vdekshmëri gjendet te shërbimi. Kur u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona ashtu siç bëri Shpëtimtari, me dashuri hyjnore dhe dashuri në zemrat tona, mund të përjetojmë gëzimin që kalon përtej lumturisë së thjeshtë.

“Ndërsa [e] pranojmë [dhënien e shërbesës] me zemra të gatshme, ne do të jemi më afër bërjes një popull i Sionit dhe do të ndiejmë gëzim të jashtëzakonshëm me ata që kemi ndihmuar përgjatë shtegut të dishepullimit”, dha mësim Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës.3

Si Mund ta Bëjmë Dhënien e Shërbesës më të Gëzueshme?

Ka shumë mënyra për të sjellë gëzim më të madh në dhënien e shërbesës sonë. Ja disa ide:

  1. Kuptoni qëllimin tuaj në dhënien e shërbesës. Ka shumë arsye për të dhënë shërbesë. Përfundimisht, përpjekjet tona duhet të përputhen me qëllimet e Perëndisë që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Ndërsa e pranojmë ftesën e Presidentit Rasëll M. Nelson për t’i ndihmuar të tjerët përgjatë shtegut të besëlidhjes, ne mund të gjejmë gëzim te pjesëmarrja në punën e Perëndisë.4 (Për më shumë [informacion] mbi qëllimin e dhënies së shërbesës, shih “Ministering Principles: The Purpose That Will Change Our Ministering”, në revistën Liahona, janar 2019.)

  2. Bëjeni dhënien e shërbesës një çështje njerëzish, jo detyrash. Presidenti Tomas S. Monson shpesh na kujtonte: “Mos lejoni kurrë që zgjidhja e një problemi, të bëhet më e rëndësishme se një person që ka nevojë ta doni”5. Dhënia e shërbesës ka të bëjë me dashurinë për njerëzit, jo me gjërat që duhet të bëjmë. Kur arrijmë të duam ashtu siç deshi Shpëtimtari, ne do të jemi më të hapur ndaj gëzimit që vjen duke u shërbyer të tjerëve.

  3. Thjeshtojeni dhënien e shërbesës. Presidenti M. Rasëll Ballard, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na thotë: “Gjëra të mëdha bëhen përmes gjërave të vogla e të thjeshta. … Veprat tona të vogla e të thjeshta të mirësisë dhe shërbimit do të mblidhen në një jetë mbushur me dashuri për Atin Qiellor, përkushtim ndaj punës së Zotit Jezu Krisht dhe një ndjesi paqeje dhe gëzimi çdo herë që ne zgjasim duart për të dashur njëri‑tjetrin.”6

  4. Hiqeni stresin nga dhënia e shërbesës. Nuk është përgjegjësia juaj të punoni për shpëtimin e dikujt. Kjo është mes individit dhe Zotit. Përgjegjësia jonë është t’i duam ata dhe t’i ndihmojmë të kthehen te Jezu Krishti, i cili është Shpëtimtari i tyre.

Jesus with children

KRISHTI DHE FËMIJËT E LIBRIT TË MORMONIT, nga Del Parson

Mos e Vononi Gëzimin e të Shërbyerit

Ndonjëherë njerëzit hezitojnë të kërkojnë ndihmën që u nevojitet, kështu që ofrimi i shërbimit tonë mund të jetë pikërisht ajo që u nevojitet. Por as t’u imponohemi të tjerëve nuk është zgjidhja. Të kërkoni leje para se të jepni shërbesë është një ide e mirë.

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi për një nënë të vetme që e zuri lija e dhenve – dhe pastaj u sëmurën edhe fëmijët e saj. Shtëpia që normalisht ishte e pastër u bë rrëmujë dhe e çrregullt. Enët dhe rrobat e palara u bënë dëng.

Në një çast kur ndihej plotësisht e dërrmuar, motrat e Shoqatës së Ndihmës trokitën në derën e saj. Ato nuk thanë: “Na thuaj nëse mund të të ndihmojmë”. Kur e panë situatën, ato u hodhën në veprim.

“E pastruan kaosin, sollën dritë e qartësi në shtëpi dhe morën në telefon një mikeshë për të sjellë disa ushqime tepër të nevojshme. Kur më së fundi e mbaruan punën e tyre dhe i thanë mirupafshim, ato e lanë nënën e re duke derdhur lot – lot mirënjohjeje dhe dashurie.”7

Edhe dhurueset edhe marrësja ndien ngrohtësinë e gëzimit.

Kultivoni Gëzim në Jetën Tuaj

Sa më shumë gëzim, paqe dhe kënaqësi që mund të kultivojmë në jetën tonë, aq më shumë do të jemi në gjendje të ndajmë me të tjerët ndërsa japim shërbesë. Gëzimi vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë (shih Galatasve 5:22 dhe Doktrina e Besëlidhje 11:13). Është diçka për të cilën ne mund të lutemi (shih Doktrina e Besëlidhje 136:29) dhe ta ftojmë në jetën tonë. Ja disa ide që ta kultivojmë gëzimin në vetë jetën tonë:

  1. Numëroni bekimet tuaja. Ndërsa e merrni në shqyrtim jetën tuaj, shkruani në ditarin tuaj gjërat me të cilat ju ka bekuar Perëndia.8 Vërejeni gjithë të mirën përreth jush.9 Kushtojini vëmendje asaj që mund t’ju pengojë për ta ndier gëzimin dhe shkruani mënyra për t’i zgjidhur ose kuptuar më mirë ato. Gjatë kësaj stine Pashke, gjeni kohë për të kërkuar një lidhje më të madhe me Shpëtimtarin (shih Doktrina e Besëlidhje 101:36).

  2. Ushtroni maturi. Gëzimi mund t’ju gjejë më lehtë në çaste meditimi të qeta.10 Dëgjojeni me kujdes se çfarë ju sjell gëzim (shih 1 Kronikave 16:15). Koha larg mediave shoqërore ndonjëherë mund të jetë e nevojshme për të ushtruar maturi.11

  3. Shmangeni krahasimin e vetes. Është thënë se krahasimi është hajduti i gëzimit. Pali paralajmëroi se njerëzit e “duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend” (2 Korintasve 10:12).

  4. Kërkoni zbulesë vetjake. Shpëtimtari dha mësim: “Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie, që të mund të dish misteret dhe gjërat paqësore – ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme” (Doktrina e Besëlidhje 42:61).

Ftesë për të Vepruar

Si mund ta shtoni gëzimin që gjeni në jetën tuaj nga dhënia e shërbesës?

Shënime

  1. “Joy”, en.oxforddictionaries.com

  2. Rasëll M. Nelson, “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82.

  3. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 107.

  4. Shih Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 4–7.

  5. Tomas S. Monson, “Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 86.

  6. M. Rasëll Ballard, “Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit të Përzemërt”, Liahona, maj 2011, f. 49.

  7. Shih Diter F. Uhtdorf, “Të Jetuarit e Ungjillit Plot Gëzim”, Liahona, nëntor 2014, f. 122–123.

  8. Shih Henri B. Ajring, “O, Kujtoni, Kujtoni”, Liahona, nëntor 2007, f. 67.

  9. Shih Xhin B. Bingham, “Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Liahona, nëntor 2017, f. 87.

  10. Shih Diter F. Uhtdorf, “Për Gjërat që Kanë më Shumë Rëndësi”, Liahona, nëntor 2010, f. 21.

  11. Shih Geri E. Stevenson, “Eklipsi Shpirtëror”, Liahona, nëntor 2017, f. 46.