“Kjo Është!”
Riçard J. Anderson
Juta, SHBA
Një natë dimri mbërrita vonë në shtëpi, pas kryerjes së shumë intervistave si peshkop. Isha i sfilitur. Puna kishte qenë stresuese për disa javë dhe familja dhe përgjegjësitë në Kishë më bënin të ndihesha i tendosur përtej kufijve të mi.
Atë mbrëmje, m’u desh të rregulloja makinën që të mund të shkoja në punë të nesërmen. Ndërsa vesha kominoshet, ndryshova rolet nga peshkop në mekanik. U shtriva në dyshemenë e ftohtë të garazhit nën makinë dhe fillova të punoja. Pse duhet të ngrija së ftohti, të isha i rraskapitur dhe të vrisja kyçet e gishtave, pasi kisha punuar tashmë aq shumë atë ditë? Po humbisja durimin dhe fillova një lutje ankuese, përgjëruese ndaj Atit Qiellor.
“A është e mundur që Ti të më ndihmosh pak?” thashë unë. “Po jap më të mirën time për të qenë një baba, bashkëshort dhe peshkop i mirë dhe t’i jetoj urdhërimet. A nuk do të shërbeja më mirë po të mund të çlodhesha pak? Të lutem, më ndihmo ta mbaroj këtë, që të mund të shkoj në shtrat.”
Papritmas, tri fjalë të qarta dhe të dallueshme erdhën guximshëm në mendjen time: “Kjo është!”
“Çfarë?” iu përgjigja.
Fjalët erdhën sërish: “Kjo është!”
Mendja dhe zemra ime filluan të mbusheshin me kuptim, kur fjalët erdhën për të tretën herë: “Kjo është!” Këto fjalë mbartnin një mesazh për shpirtin tim. “Kjo” ishte jeta në vdekshmëri, dhe unë po përjetoja një çast rritjeje, e caktuar për të më ndihmuar të bëhem çka Ati Qiellor dëshiron që unë të bëhem. Ishte sikur Shpirti të më thoshte: “A prisje që ky udhëtim tokësor të mos kishte vështirësi?” Kur u ngrita nga ajo dysheme e ftohtë çimentoje, nuk isha më njësoj.
Në varësi të mënyrës se si u përgjigjemi sprovave, ato mund të shihen si dhurata nga një Atë i dashur në Qiell. Ai na jep mundësinë të përballemi me sprova, që të mund të mësojmë t’i drejtohemi Atij. Kur e bëjmë këtë, ne bekohemi me rritje nga pikëpamja e të nxënit dhe ajo shpirtërore.
Dy fjalët që erdhën në mendjen time gjatë asaj nate të ftohtë në dyshemenë prej çimentoje të garazhit tim, më kanë bekuar për më shumë se 35 vjet. Përpiqem shumë që të shoh se asnjë sprovë nuk shkon kot. I shoh sprovat si mundësi për të mësuar gjëra që mund të mos i mësoj kurrë në ndonjë mënyrë tjetër.