Të Rinjtë në Moshë Madhore
Marrja e Vendimeve: Liria e Zgjedhjeskundrejt Zbulesës
Autorja jeton në Juta, SHBA.
Kur bëhet fjalë për vendime të mëdha, sa duhet të mbështetemi te Perëndia për të na treguar se çfarë duhet të bëjmë?
Çdo ditë secili prej nesh përballet me shumë vendime. Disa janë më të zakonshme, si: “Çfarë të vesh?” “Çfarë të ha për drekë?” “A është koha për të blerë një makinë të re apo mund ta mbaj të vjetrën pak më gjatë?” Por shpesh ne ndeshemi me një vendim të madh – “A duhet të kthehem në shkollë?” “A duhet ta pranoj këtë punë?” “A duhet të shpërngulem në një qytet të ri?” “A duhet të blej një shtëpi?” “A duhet të dal në takime me këtë person?” “A duhet të martohem me këtë person?” e kështu me radhë.
Kur ballafaqohemi me vendime të mëdha, ne priremi – me vend – të duam pak më shumë kohë për të bërë një zgjedhje. Ne e ndjekim këshillën që iu dha Oliver Kaudërit te Doktrina e Besëlidhje 9:8–9, ku Zoti thotë:
“Por, vër re, unë të them se ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë dhe nëse është e drejtë, unë do të bëj që kraharori yt do të digjet përbrenda; si rrjedhim, do ta ndiesh që është e drejtë.
Por nëse nuk është e drejtë, ti nuk do të kesh ndjenja të tilla, por do të kesh një mpirje të mendimit që do të të bëjë ta harrosh gjënë që është e gabuar”.
Megjithëse kjo me siguri është një këshillë e mirë, kur bëhet fjalë për vendime të mëdha, nganjëherë ne mbështetemi pak si shumë te pjesa ku Perëndia na tregon se çfarë është e drejtë dhe jo mjaftueshëm te pjesa ku Ai na thotë ta studiojmë në mendjen tonë. Ne shqetësohemi kaq shumë duke pritur që Perëndia t’i miratojë vendimet tona, saqë ne lëmë të kalojnë mundësi të jashtëzakonshme. Ne madje mund ta pranojmë edhe rolin e lirisë së zgjedhjes, por tmerrohemi nga marrja e një vendimi që mund të na largojë nga “plani” ynë i paracaktuar dhe të përfundojmë duke hamendësuar se çdo gjë përveç djegies në kraharor ose një zë nga qielli nënkupton se vendimi ynë është i gabuar. Për shumë prej nesh, ky tension i pashprehur ndërmjet lirisë së zgjedhjes dhe zbulesës vetjake çon në një pyetje domethënëse: Cili është roli i Perëndisë për të na ndihmuar të marrim vendime?
Roli i Perëndisë në Vendimmarrjen Tonë
Ndoshta kjo pyetje trajtohet më së miri nëpërmjet historisë së vëllait të Jaredit. Ekziston një model interesant i rritjes në këtë histori që na mëson për mënyrën se si pret Perëndia që ne të marrim vendime. Pasi në Kullën e Babelit u ngatërruan gjuhët, Jaredi i kërkon vëllait të tij që ta pyetë Zotin a duhet të largohen nga vendi dhe nëse po, ku duhet të shkojnë (shih Ethëri 1:36–43). Vëllai i Jaredit pyet, dhe Zoti i udhëheq drejt bregut të detit. Ndërsa udhëtojnë, Zoti u flet atyre në një re dhe drejton çdo hap të udhëtimit të tyre. Përfundimisht ata mbërrijnë në breg të detit, ku qëndrojnë për katër vjet.
Në fund të katër viteve, Perëndia i thotë vëllait të Jaredit të ndërtojnë maune dhe të përgatiten që të kalojnë oqeanin. Kur vëllai i Jaredit e kupton se anijet nuk do të kenë ajër, ai ndjek të njëjtin model të njohur duke shkuar te Perëndia për ta pyetur se çfarë duhet të bëjë. Siç pritej, Zoti i përgjigjet duke i dhënë udhëzime të hollësishme për të bërë vrima në majat dhe fundet e anijeve. Vëreni modelin e zbulesës deri më tani: Perëndia u jep atyre një plan, ata bëjnë pyetje rreth mënyrës se si ta përmbushin planin dhe Perëndia u përgjigjet me përgjigje të hollësishme e përfundimtare.
Por pasi bën vrimat në anije, vëllai i Jaredit kupton se anijet nuk do të kenë dritë. E pyet edhe një herë Perëndinë se çfarë duhet të bëjë. Megjithatë, në vend që të përgjigjet, Perëndia pyet: “Ç’do që të bëj që të keni dritë në barkat tuaja?” (Ethëri 2:23). Në vend që të jepte udhëzime të hollësishme siç kishte bërë më parë, këtë herë Zoti pret që vëllai i Jaredit të vendosë se çfarë të bëjë.
Kjo lloj përgjigjeje nga Zoti është ndoshta më e vështira për t’u kuptuar kur përpiqesh të marrësh një vendim. Neve na është mësuar të lutemi dhe të presim për një përgjigje, kështu që natyrisht shqetësohemi kur nuk dëgjojmë asgjë në përgjigje. Shpesh pyetim a cilësohet mungesa e një përgjigjeje të qartë si “mpirje [e] mendimit” që tregon se zgjedhja jonë është e gabuar. Herë të tjera pyetim veten a do të thotë kjo se nuk jemi mjaftueshëm të drejtë sa ta dëgjojmë përgjigjen, apo që nuk po kërkojmë me “qëllim të vërtetë” (shih Moroni 10:4). Por ka një mundësi të tretë, që nganjëherë ne nuk e marrim parasysh – ndoshta, ashtu si me vëllanë e Jaredit, Perëndia po pret që ne ta marrim vetë vendimin tonë.
Marrja e një Vendimi
Kohët e fundit u ndesha me një situatë që e sfidoi mënyrën se si mendoja për lirinë e zgjedhjes dhe zbulesën vetjake. Ndërsa po i afrohesha fundit të shkollës pasuniversitare, pata disa oferta të ndryshme pune në qytete të ndryshme dhe nuk mund të vendosja se cilën të zgjidhja. Ashtu si vëllai i Jaredit, unë kisha përjetuar shumë çaste kur isha lutur për një vendim të madh dhe Perëndia u përgjigj me një përgjigje mjaft të qartë. Duke u mbështetur në ato përvoja të mëparshme, fillova të lutesha dhe t’i kërkoja Perëndisë që të më ndihmonte të vendosja se cilën punë duhet të pranoja. Gjithashtu po bëja pjesën time duke mësuar rreth mundësive të secilës punë dhe duke u këshilluar me shumë njerëz. Por pavarësisht nga sa u luta ose agjërova, qiejt qëndruan të heshtur dhe nuk mora asnjë përgjigje.
Afati i fundit për marrjen e një vendimi po afrohej dhe fillova të isha në panik. Sigurisht ky ishte lloji i vendimit që Zotit duhet t’i interesojë, prandaj pse nuk po përgjigjej Ai? Ndoshta Atij nuk i interesonte se cilën punë zgjidhja, por Atij duhet t’i interesonte se në cilin qytet vendosesha, pasi pa dyshim do të kishte ndikim në jetën time. Zotit përherë i kishin interesuar vendimet e mia në të shkuarën, pra përse nuk do t’i interesonte edhe kjo?
Megjithatë, pa marrë parasysh sa shumë u përpoqa, nuk erdhi asnjë përgjigje. Fillova ta pyesja veten a isha larguar nga Perëndia aq shumë saqë nuk mund ta dëgjoja përgjigjen e Tij. Gjithashtu pyesja veten a mos ndoshta nuk po dëgjoja ngaqë, nënvetëdijshëm, nuk doja ta dëgjoja përgjigjen. Më në fund, ditën para afatit të fundit, e dija se duhej të bëja një zgjedhje, kështu që përdora gjykimin tim dhe mora një vendim. Atë natë thjesht u luta, duke i kërkuar që Ai të më tregonte nëse përgjigjja ime ishte e gabuar. Prapë nuk erdhi asnjë përgjigje kështu që vazhdova dhe e pranova punën.
Disa muaj më vonë, ende po e vija në diskutim vendimin tim, prandaj kërkova një bekim priftërie për të fituar siguri. Në bekim m’u tha se nuk mora një përgjigje për lutjen time ngaqë Zoti ishte i lumtur çfarëdo vendimi të merrja. Ky bekim e përforcoi këshillën e dhënë më parë nga presidenti im i misionit, i cili më tha se shpeshherë nuk ka rëndësi se çfarë vendimi marrim. Perëndia dëshiron që ne të mësojmë se si të qëndrojmë në këmbët tona dhe të vendosim se si ta jetojmë jetën tonë. Presidenti im i misionit më kujtoi gjithashtu se Perëndia, si Ati ynë Qiellor, nuk do të na dënojë dhe nuk do t’i largojë mundësitë e premtuara nëse përpiqemi sinqerisht të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë.
Vëllai i Jaredit me gjasë mund të kishte sugjeruar pothuajse çdo zgjidhje për t’i ndriçuar maunet, dhe Zoti do të ishte i kënaqur nga kjo. Qëllimi i përvojës nuk ishte vetëm që vëllai i Jaredit ta forconte besimin e tij, por gjithashtu të mësonte se si të merrte një vendim.
Ushtrimi i Lirisë së Zgjedhjes
Nga një këndvështrim i përjetshëm, ushtrimi i lirisë së zgjedhjes është një përbërës i domosdoshëm i rritjes vetjake. Pa të, ne nuk mund të marrim ato lloj vendimesh që do të na ndihmojnë të arrijmë potencialin tonë të plotë. Rritja, ashtu si çdo gjë tjetër në ungjill, vjen “rresht pas rreshti, parim pas parimi” (2 Nefi 28:30). Perëndia dëshiron që ne të jemi një popull i përgatitur, jo një popull i paralizuar, dhe Ai pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për ta jetuar jetën tonë sa më mirë që mundemi.
Sapo të mësojmë të gjejmë ekuilibër midis lirisë së zgjedhjes dhe zbulesës, ne mund të përjetojmë një rritje të vërtetë shpirtërore. Kjo është ajo që i ndodhi vëllait të Jaredit. Pasi e mendoi mirë, ai punoi për të shkrirë 16 gurë nga një shkëmb dhe i kërkoi Perëndisë t’i prekte dhe t’i bënte të shkëlqenin (shih Ethëri 3:1–5). Këtë herë, kur Perëndia u përgjigj, gjithçka ndryshoi. Në vend që ta dëgjonte zërin e Perëndisë në një re, vëllai i Jaredit në të vërtetë pa Zotin, i cili jo vetëm që u shfaq personalisht, por gjithashtu i tregoi vëllait të Jaredit vegime të jashtëzakonshme për botën dhe çdo gjë që do të vinte (shih Ethëri 3: 6–26). Ka mundësi që vëllai i Jaredit nuk do të kishte qenë i përgatitur shpirtërisht për ta marrë atë vegim nëse ai nuk do ta kishte përjetuar më parë rritjen vetjake që erdhi nga marrja e vendimit të tij.
Ndërsa marrim vendime, ne sigurisht që duhet ta ndjekim këshillën e Almës që të “këshilloh[emi] me Zotin për të gjitha veprimet [tona]” (Alma 37:37). Kur Zoti ka nevojë që ne të marrim një vendim të posaçëm, Ai do të na e bëjë të ditur dhe do të na ndihmojë që të mos shkojmë në udhë të gabuar. Por edhe ne duhet të jemi të përgatitur që të ngrihemi dhe të ecim përpara në besim, pavarësisht nëse vjen apo jo një përgjigje. Për sa kohë i mbajmë besëlidhjet tona dhe qëndrojmë të vërtetë ndaj ungjillit të Jezu Krishtit, ne mund të ndiejmë vetëbesim në vendimet tona të drejta dhe paqe se Zoti është i kënaqur me përpjekjet tona.