2019
Palltoja e Humbur
Prill 2019


Palltoja e Humbur

Autorja jeton në Ajoua, SHBA.

“Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 64:10).

The Missing Coat

“Ma, palltoja ime nuk është më këtu!” tha Bredi. Ishte koha për të shkuar në shtëpi pas kishe, por Bredi nuk mund ta gjente pallton e tij te varësja e rrobave.

“A je i sigurt se e vare këtu?” pyeti Mamaja.

“Po. Ishte pikërisht këtu.” Palltoja e Bredit ishte blu dhe e kuqe e ndezur. Ishte e vështirë të mos e shihje.

“Ndoshta e kanë lëvizur. Le të shohim përreth ndërtesës”, tha Babai.

Mami, Babi dhe Bredi u ndanë për të kontrolluar në dhoma të ndryshme. Ata panë te kutia e gjërave të humbura dhe të gjetura, te godina kishtare, te klasa e Shkollës të së Dielës së Bredit, te klasa e Fillores dhe në çdo varëse palltosh. Madje panë edhe në tualete, por nuk e gjetën atë.

“Dikush ndoshta e mori atë padashje. Jam i sigurt se do të ta kthejnë javën tjetër sapo ta kuptojnë se nuk është e tyrja”, tha Babai.

“Ndërkohë mund të veshësh pallton tënde të vjetër”, tha Mamaja.

Bredi rrudhi vetullat. Atij nuk i pëlqente palltoja e vjetër. Ishte e hollë, i kishte dalë boja dhe ishte shumë e vogël për të. Atij i pëlqente shumë se si palltoja e re e kuqe dhe blu e bënte të dukej si një superhero.

“Dikush ndoshta e pa se sa e bukur ishte palltoja ime dhe e vodhi”, mendoi Bredi. Si mund të ndodhë kjo në kishë? Çdonjëri atje supozohet të jetë i ndershëm. Bredi nuk do ta lejonte atë hajdut të largohej me pallton. Ai kishte një plan. Të dielën tjetër, ai do të kontrollonte me kujdes për të parë se kush po e mbante veshur pallton e tij. Pastaj ai do ta rrokte sërish dhe do të bërtiste: “Ndalo, hajdut!” Atyre do t’u vinte keq që e morën me të parën.

Bredi mezi po e priste të dielën për ta përmbushur planin e tij. Por e diela e ardhshme ishte shumë e nxehtë për të veshur pallto dhe ashtu ishte edhe e diela tjetër.

Pas dy të dielash, Bredi i vështroi i dyshimtë në Fillore të gjithë djemtë, duke vrarë mendjen se kush ia vodhi pallton. Mos ishte ai djali i gjatë? Ose ndoshta ishte vajzë. Ndiente se nuk mund t’i besonte askujt. Bredit nuk i pëlqente ajo lloj ndjenje.

Pas kishe Bredi shpejtoi rreth ndërtesës duke parë familjet që vishnin palltot e tyre. Por nuk e pa pallton e tij asgjëkundi. Ai madje e kontrolloi sërish kutinë me gjëra të humbura dhe të gjetura … por nuk kishte asnjë pallto. Ku mund të ishte vallë?

Rrugës për në shtëpi, Bredi mendoi një plan të ri. Ai do të lutej. Ai e dinte se Ati Qiellor mund t’i gjente gjërat e humbura. Atë natë Bredi u lut dhe tha: “Atë Qiellor, të lutem më thuaj se kush ma mori pallton. E dua mbrapsht.”

Bredi priti që t’i vinte ndërmend emri ose fytyra e hajdutit. Por përkundrazi ai filloi të mendonte për shokun e tij, Karlin. Bredi zakonisht ulej afër Karlit në Fillore. Ata bënin shaka dhe qeshnin shumë së bashku. Por Karli nuk kishte qenë në kishë prej pak javësh. Bredin e kishte marrë malli për të.

Po sikur Karli t’ia kishte marrë pallton? Ndoshta Karli tani kishte frikë që të vinte në kishë sepse mendonte se Bredi nuk do të ishte më shoku i tij. Bredi donte që Karli të vinte përsëri në Kishë. Nëse Karli do ta kishte marrë pallton e tij, Bredi vendosi se nuk do t’i bërtiste atij. Ai do ta falte atë.

Bredi hipi në krevat duke u ndier më mirë.

Të dielën tjetër në Fillore, Karli nuk ishte atje por ishte një djalë i ri. Ai kishte veshur një kollare me viza të kuqe dhe blu.

“E bukur kollarja”, tha Bredi, duke u ulur afër djalit të ri. “Të bën të dukesh si një superhero.”

Djali buzëqeshi.

Edhe Bredi buzëqeshi. Ai nuk po kërkonte më për hajdutë. Ai po kërkonte miq. ●