2019
A po e Jetoni Ungjillin me Gjysmë Zemre?
Prill 2019


Vetëm në Format Elektronik

A Po e Jetoni Ungjillin me Gjysmë Zemre?

Qëndrimi ynë kundrejt përgjegjësive tona në Kishë me të vërtetë bën një ndryshim.

“A duhet me doemos?”

A e keni pasur ndonjëherë këtë mendim më parë? Më ka ardhur ndërmend shumë herë. Dhe kam mësuar se një mendim i tillë, në dukje i parëndësishëm, është një tregues i rëndësishëm i qëndrimit tim. Sigurisht që ne të gjithë mund t’i ndihmojmë dhe mund t’u shërbejmë të tjerëve, ne mund t’i pranojmë dhe përmbushim thirrjet tona në Kishë dhe mund të marrim pjesë në mbledhjet tona të Kishës. Edhe të bëra me gjysmë zemre, këto gjëra mund të bëjnë një ndryshim në jetën tonë. Por a e kufizon kjo aftësinë e Perëndisë për t’ju përdorur ju? A e kufizon kjo aftësinë e Perëndisë për t’ju ndryshuar? Për mua, mendoj se po.

Kjo ide më bën të mendoj për Lamanin dhe Lemuelin, që vërtet u larguan nga Jerusalemi, që vërtet u kthyen për të marrë fletët, që vërtet ndihmuan për ta ndërtuar anijen, që vërtet bënë një sërë gjërash që treguan bindje – por ata i bënë këto gjëra me ngurrim dhe me gjysmë zemre. Ata nuk lejuan që përvojat e tyre t’i ndryshonin ata për mirë. Përkundrazi, ata gjithmonë murmuritën dhe kishin qëndrime të kalbura në çdo rrethanë që u gjendën. Dhe pasi e kuptova këtë, vërtet nuk dëshiroj të jem një laman ose një lemuel.

Gjeni një çast për të menduar njëmend për arsyet që fshihen pas veprimeve tuaja. A i ndihmoni të tjerët me një përqendrim te bekimet që janë në ruajtje për ju? Apo i ndihmoni të tjerët sepse me sinqeritet dëshironi t’u shpërndani dritë dhe dashuri? A e bëni çdo gjë që kërkohet nga thirrja juaj sepse ajo është çka pritet nga ju? Apo po e bëni sepse dëshironi t’i shërbeni Zotit dhe atyre rreth jush?

Këto janë llojet e pyetjeve që përpiqem t’i bëj vetes hera-herës. A po bëj gjithçka mundem për të jetuar si një pasuese e vërtetë e Krishtit me qëllim të vërtetë? Apo zemra ime nuk është tërësisht aty? Mendoj se Peshkopi Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues, e tha fare mirë: “A jemi ne aktivë në ungjill apo jemi thjesht të ngarkuar me detyra në Kishë?” (“E Gjitha Ka të Bëjë me Njerëzit”, Liahona, maj 2018, f. 112.)

Aktiv kundrejt i Ngarkuar

Për mua, kur jam vetëm “e ngarkuar” në Kishë, tinëzisht shpërfillja ka hyrë në mendjen time. Kjo shpërfillje mund të vijë nga një qëndrim më pak se entuziast ose edhe nga lejimi i detyrave më pak të rëndësishme në programin tim që të ndërhyjnë tek ato që vërtet kanë rëndësi. Kjo shpërfillje hyn tinëzisht kur jam ulur në mbledhjen e sakramentit dhe nuk po i kushtoj vëmendje, kur jam duke bërë lutjet e mia të çdo nate dhe në mendje filloj të bluaj gjëra të tjera, kur i hedh një sy të shpejtë shkrimeve të mia të shenjta pa i përsiatur ose kur ndihmoj dikë thjesht sa për të thënë sesa të përpiqem sinqerisht ta ndihmoj.

Ndonjëherë madje ndiej zemërim kur nuk shoh ndonjë përparim në jetën time – kur thjesht jam moskokëçarëse dhe e “ngarkuar” në ungjill – dhe këto ndjenja vazhdojnë derisa e kuptoj se cili është problemi. Nganjëherë më duhet të ndalem, të rilidhem dhe të pyes veten: “A po i kushtoj kësaj thirrjeje ose këtij personi apo kësaj lutjeje ose këtij shkrimi të shenjtë të gjithë vëmendjen dhe zemrën time pikërisht tani?”

Kur kam këtë lloj zbulese ose pikëpamjeje, kjo është pikërisht koha kur ndodh vërtet ndryshimi në jetën time. Kur vërtet lutem që t’i shoh të tjerët në mënyrën që i sheh Ati Qiellor, kur lutem për mundësi për të dhënë shërbesë, kur lutem për udhërrëfim në thirrjen time, në karrierën time dhe në jetën time të përditshme, dhe më e rëndësishmja, kur veproj sipas nxitjeve që Ai më jep, kur veprimet e mia pasqyrojnë dëshirën time të brendshme për t’u bërë më e mirë – kjo është koha kur jam aktive në ungjill. Kjo është koha kur ndiej një ndryshim të vërtetë në qëndrimin tim, në zemrën time dhe në shpirtin tim. Kjo është koha kur shoh të shpalosen gjëra të mrekullueshme. Kjo është koha kur ndiej që lumturia e vërtetë hyn në jetën time. Kjo është koha kur njëmend po përpiqem të ndryshoj për më mirë.

Veprimet kundrejt Ndjenjave

Mendoj se të gjithë ne mund të shohim pas te disa çaste në jetën tonë kur veprimet tona ishin të fisme, por ndjenjat tona pas tyre nuk ishin dhe aq. Ndonjëherë jeta vërtet ngarkohet, ndonjëherë nuk jemi gjithmonë të lumtur plotësisht me rrethanat tona dhe ndonjëherë gjërat mund të mos funksionojnë përherë në mënyrën që ne duam. Ne nuk jemi të përkryer, por nëse i kërkojmë Atit Qiellor të na ndihmojë për ta vendosur zemrën tonë plotësisht te gjërat, ndonjëherë të lodhshme ose që kërkojnë kohë, që na kërkohet t’i bëjmë, ne mund të mësojmë që t’i bëjmë në një mënyrë më të ngjashme me atë të Krishtit.

Mund të mendoj për raste kur kam rënë dakord pa dëshirë për të bërë një projekt shërbimi, por që vetëm më ka zbutur dhe ndryshuar zemrën pas përvojës. Ose kur kisha një thirrje dhe ankohesha se më merrte shumë kohë, por që vetëm më ka bërë të mbërthehesha në lot trishtimi e gëzimi kur lirohesha nga thirrja sepse kisha mësuar ta pëlqeja shumë.

Ne mund të shpërndajmë dritë, t’i përmbushim përgjegjësitë tona dhe të marrim përgjigje për lutjet tona në mënyrën më të efektshme nëse zemrat tona janë në vendin e duhur. Nëse gjejmë kohë për t’i analizuar qëndrimin dhe qëllimet që fshihen pas veprimeve tona dhe bëjmë çdo gjë që mundemi “me një zemër të sinqertë [dhe] me qëllim të vërtetë” (Moroni 10:4), ne do të jemi në gjendje ta dallojmë më mirë udhërrëfimin e Atit Qiellor, të gjejmë gëzim më të madh dhe të bëjmë akoma më shumë ndryshim në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.