2020
Çfarë më Mësoi Kisha në Shtëpi rreth Mbledhjes së Bashku
COVID19: Mesazhe Besimi


Vetëm në Format Elektronik: Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Çfarë më Mësoi Kisha në Shtëpi rreth Mbledhjes së Bashku

U trishtova kur mbledhjet e Kishës u pezulluan përkohësisht për shkak të pandemisë. Tani jam mirënjohëse për atë që mësova.

Pamja
Grua duke i mbajtur shkrimet e shenjta të hapura

Autorja jeton në Skania, Suedi.

Shkuarja në kishë ka qenë gjithnjë një nga gjërat më të bukura të javës sime. Më pëlqente shumë të bëhesha bashkë me miqtë dhe familjen dhe t’i lija mënjanë shqetësimet e botës teksa adhuronim së bashku.

Pastaj gjithçka filloi të ndryshonte për shkak të pandemisë. Në atë kohë, nuk kishim shumë raste me virusin korona në Suedi dhe shkolla po vazhdonte si zakonisht, ndaj nuk e kuptoja në të vërtetë pse udhëheqësit e Kishës ndien nevojën për t’i pezulluar mbledhjet. Duke parë sa e përkeqësuar ishte situata në gjithë botën, mezi prisja të takohesha me miqtë e mi të dielave. Por mësova se mbledhjet e Kishës u pezulluan përkohësisht dhe se adhurimi do të bëhej në shtëpi. Isha e trishtuar dhe e acaruar në të njëjtën kohë.

Kur erdhi e diela, vesha fustan dhe bëra grim, hëngra mëngjes dhe u ula me prindërit e mi. Pashë se im atë e kishte përgatitur sakramentin me kujdes me një cohë të bardhë të hedhur mbi bukën dhe ujin dhe i kishte hapur shkrimet e shenjta te lutjet e sakramentit.

Shpejt erdhi koha për të kënduar himnin e sakramentit. Kur babai im filloi ta copëtonte bukën, e ndjeva Shpirtin shumë fort. M’u duk sikur Ai po më thoshte se Shlyerja e Jezu Krishtit ishte posaçërisht për mua. Fillova të qaja dhe kur hodha sytë nga nëna ime, pashë se ajo po qante e po më buzëqeshte – edhe ajo po e ndiente Shpirtin.

Ndonëse isha skeptike në fillim, tani e di se marrja e sakramentit në shtëpi është një mundësi intime dhe e bukur. Gjatë javëve të fundit, kam ndier më tepër mirënjohje për priftërinë dhe për ungjillin e rivendosur, i cili na ofron ngushëllim dhe paqe gjatë kohëve të trazuara. E kam ndier gjithashtu dashurinë që Ati Qiellor ka për të gjithë fëmijët e Tij. Dhe jam ndier veçanërisht mirënjohëse për profetin, i cili na ndihmon të dimë se çfarë të bëjmë, edhe kur nuk e kuptojmë arsyen.

Që kur morëm udhëzimet e para për t’i bërë mbledhjet e kishës në shtëpi, virusi COVID-19 është përhapur në mijëra njerëz në Suedi dhe vazhdon të prekë thuajse çdo vend në tokë. Dhe ndërkohë që më pëlqen shumë intimiteti i zhvillimit të kishës me pak njerëz të dashur, e kam kuptuar edhe që nuk është njësoj si shkuarja në kishë dhe adhurimi së bashku si lagje ose degë. Lartësimi nga njëri-tjetri në mbledhjen e sakramentit dhe mbledhje të tjera është i pazëvendësueshëm.

Sikurse Plaku D. Tod Kristoferson i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim: “Një arsye madhore pse Zoti ka një kishë, është që të krijojë një komunitet shenjtorësh që do ta mbështetin njëri‑tjetrin në ‘shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme’ [2 Nefi 31:18]”1.

E kam kuptuar se kisha ka të bëjë më shumë sesa thjesht të mblidhesh bashkë me miqtë çdo javë. Ajo ka të bëjë me marrjen e sakramentit, pasjen e një ndjesie përkatësie, përkrahjen e njëri-tjetrit dhe ndërtimin e komunitetit të besimit në mbretërinë e Perëndisë. Do të jem gjithnjë mirënjohëse për bekimin e të qenit në gjendje ta bëjmë kishën në shtëpi gjatë kësaj kohe të virusit COVID-19 dhe për pikëpamjet e reja që kam marrë rreth rëndësisë së mbledhjes së bashku. Mbledhja e sakramentit do të na duket edhe më e veçantë kur të jemi në gjendje të mblidhemi së bashku përsëri.

Shënim

  1. D. Tod Kristoferson, “Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108,)

Shtyp në Letër