2021
Një Mesazh Shprese për Ata që Janë të Burgosur
Janar 2021


Një Mesazh Shprese për Ata që Janë të Burgosur

Drita e Perëndisë mund të jetë pjesë e së ardhmes suaj.

man in prison cell with light shining through window

Ilustrimet nga David Green

Vite më parë, po vizitoja një burg ku takova një burrë që quhej Erik. Kishte qenë i burgosur për 17 vjet. Gjatë kësaj kohe, Eriku rrallë mungonte në kishë. Lutej shpesh me të tjerët dhe ndihmonte shumë njerëz që të mësonin rreth shkrimeve të shenjta. Kur e takova Erikun, ai po vuante nga sfida të rënda shëndetësore. Pata mundësinë të takohesha me të në dhomën e tij të spitalit të burgut.

Teksa flisnim, Eriku më tha se sa mirënjohës ishte për anëtarët e shumtë të Kishës që e kishin përkrahur atë gjatë viteve. Ai shprehu dëshminë dhe besimin e tij te Jezu Krishti. Më pas, me një zë pëshpëritës, tha se kishte ende shumë ditë kur ndihej i harruar dhe i vetmuar. Ne folëm pak më gjatë, u lutëm së bashku dhe u ndamë si miq. Pak orë më vonë, mësova se Eriku kishte ndërruar jetë.

Udhëtimi i Erikut përgjatë jetës ishte i vështirë. Por së fundi ai arriti t’i njihte dhe t’i donte Atin Qiellor, Jezu Krishtin dhe veten e tij. Dhe kjo është ajo që ka rëndësi. Në përjetësitë, nuk mendoj se do të ketë rëndësi se ku apo se si ne arritëm ta njihnim Jezusin. Ajo që do të ketë rëndësi, është se çfarë bëri secili prej nesh me jetën tonë pasi e gjetëm Atë.

Rrethanat dhe zgjedhjet që çuan në burgimin tuaj, nuk kanë përse jua përcaktojnë jetën. Mund të keni bërë gabime, të mëdha e të vogla. Mund të keni kryer një krim një herë apo shumë herë. Kjo është pjesë e së kaluarës suaj, por e kaluara juaj nuk e vendos të ardhmen tuaj. Ju keni fuqinë të bëni zgjedhje që do të ftojnë lumturinë, madje edhe gjatë kohëve të vështira.

Identiteti Juaj i Vërtetë

Motra Xhoi D. Xhons, Presidente e Përgjithshme e Fillores, i ka vizituar disa herë burgjet. Njëherë ajo më tregoi këtë histori.

“Më kujtohet hera e parë që vizitova burgun pranë vendit ku jetoj. Ndërsa fola me një grup të burgosurash, u ndjeva sikur isha në një mjedis të shenjtë, sepse e dija se ato dëshironin me zell që të ndryshonin dhe të vinin te Krishti. Ne biseduam për identitetin tonë hyjnor si fëmijë të Perëndisë.

Në një çast, u tregova për mbesën time dy-vjeçare, e cila erdhi tek unë një ditë, duke buzëqeshur. Me entuziazëm shpalli: ‘Gjyshe, jam një fëmijë i Perëndisë!’ Pastaj një person qetësisht tha: ‘Pyes veten se si do të kishte qenë jeta ime sot nëse dikush do të më kishte thënë kur isha e vogël se isha një fëmijë i Perëndisë’.

Lajmi i mirë është se ne jemi të gjithë fëmijë të Perëndisë”, vijoi Motra Xhons, “qoftë nëse e mësojmë kur jemi fëmijë apo më vonë në jetë. Nuk është kurrë tepër vonë. Ju nuk jeni të harruara. Perëndia ju njeh. Ai ju do. Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari ynë. Ai shleu për secilin dhe çdonjërin prej nesh. Për këtë shkak, Jezusi i kupton në mënyrë të përsosur jetët tona dhe ne mund të falemi plotësisht për mëkatet tona. Ai tha: ‘Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj. … Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua janë vazhdimisht përpara meje’ (1 Nefi 21:15–16).”

Të besosh se ju dhe çdo njeri që njihni, është një fëmijë i Perëndisë mund të jetë një burim force i brendshëm. Kur e pranoni këtë të vërtetë dhe e lejoni t’jua udhërrëfejë jetën, ju do të gjeni paqe më të madhe dhe do të bëheni një shembull i mirësisë për të tjerët.

Rindërtimi i Mirëbesimit

hand sending out a dove from window of prison cell

Gjatë gjithë jetës mund të jetë e vështirë të dimë se kujt t’i besojmë, por ju mund t’i mirëbesoni gjithmonë Atit tuaj Qiellor. Te shkrimet e shenjta jepet mësim se Perëndia ju njeh në mënyrë të përsosur. Ai ju njeh dhe nuk mund të gënjejë.1 Nëse mirëbesimi te të tjerët – përfshirë Perëndinë – është i vështirë për ju, lutuni për këtë. Pyeteni Atin Qiellor: “A më do Ti mua? A mund të kem besim tek Ti?” Pastaj mbani vesh për një përgjigje. Ajo mund të vijë si një ndjenjë paqësore ose një mendim i qetë. Mund të kërkojë kohë. Por Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tuaja.

Përveç që të dini se kujt t’i mirëbesoni, është e rëndësishme të bëheni dikush të cilit mund t’i mirëbesohet. Mund të mos jetë e përshtatshme që të keni kontakte me ata që i keni dëmtuar. Por ju prapëseprapë mund t’i shqyrtoni ngjarjet e kaluara nga pikëpamja e tyre, të zhvilloni dhembshuri për ta dhe të luteni për ata. Mund të zgjidhni të jeni një person i besuar në marrëdhëniet e reja që krijoni.

Mund të jetë një udhë e gjatë. Jam mirënjohës për këtë inkurajim nga Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Vazhdoni të doni. Vazhdoni të përpiqeni. Vazhdoni të mirëbesoni. Vazhdoni të besoni. Vazhdoni të rriteni. Qielli po gëzohet për ju sot, nesër dhe përgjithmonë.”2

Prindërimi gjatë Burgimit

Mund të tundoheni të mendoni se nuk mund të jeni një prind gjatë periudhës suaj të burgimit. Bëjini ballë këtij mendimi. Sa herë që të jetë e mundur, gjeni mënyra për t’i përkrahur familjen dhe fëmijët tuaj.

Vitet e fundit, udhëheqësit e Kishës kanë theksuar se sa e rëndësishme është t’ua japim mësim ungjillin njëri--tjetrit në familjet tona. Pyeteni veten: “Si mund ta ndihmoj familjen time që të marrë bekimet e ungjillit?” Këtu janë disa ide:

  • Mund të luteni gjithmonë për familjen tuaj. Lutja është një tipar i fuqishëm i punës shpirtërore që nuk kufizohet nga muret apo largësia.

  • Nëse ju lejohet të komunikoni me fëmijët tuaj, gjeni mënyra të përshtatshme për ta shprehur dashurinë tuaj. Mësojuani atyre mësimet shpirtërore që po i mësoni.

  • Bëni përpjekje për t’u lidhur sërish me miq të besuar. Ndërtoni marrëdhënie me ata që do të ishin një ndikim i mirë për familjen tuaj.

  • Ndryshoni për mirë. Çdo përpjekje që bëni për ta përmirësuar veten dhe për të marrë përgjegjësi për zgjedhjet tuaja, do t’ju ndihmojë që të jeni një atë apo nënë më e mirë.

Ecja Përpara

Profeti ynë sot, Presidenti Rasëll M. Nelson, tha se qëllimi i kësaj jete është që të bëhemi gati për të takuar Perëndinë duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit. “Dhe e bëjmë atë teksa pendohemi çdo ditë dhe e marrim fuqinë e Tij pastruese, shëruese dhe forcuese”, dha mësim ai. “Atëherë ne mund të ndiejmë paqe dhe gëzim të qëndrueshëm, edhe gjatë kohëve të turbullta.”3

Pendimi është një pjesë thelbësore e shërimit. Ai fillon kur i luteni me sinqeritet Perëndisë, duke i treguar Atij atë që keni bërë gabim dhe kur kërkoni faljen e Tij. Do të filloni të ndiheni në paqe teksa mësoni më shumë rreth ungjillit dhe e ndiqni shembullin e Jezu Krishtit. Këto ndjenja dhe sjellja juaj në ndryshim e sipër, janë prova se ju po filloni të shëroheni.

Udhëheqësit e Kishës janë aty për t’ju ndihmuar që të ecni në këtë shteg për t’u kthyer te Perëndia. Nëpërmjet Jezu Krishtit do të jetë gjithnjë e mundur që të riktheheni tek Ati juaj Qiellor. Edhe pse mund të ndiheni të falur nga Perëndia shumë kohë përpara se t’ju falë familja, shoqëria apo madje disa anëtarë të Kishës, mos u dëshpëroni. Thjesht vazhdoni të ecni përpara. Mirëbesojuni premtimeve të Perëndisë dhe kohës së Tij të duhur.

Perëndia do t’ju Ndihmojë që të Shëroheni

Mbani mend se çfarëdolloj shërimi – përfshirë nga varësia, abuzimi ose trauma të tjera – kërkon kohë. Bibla tregon historinë e Jezusit që shëron një të verbër, të cilit shikimi iu kthye me faza. Fillimisht ai pa “njerëz si pemë që ecin”. Pastaj Jezusi ia “vuri përsëri duart mbi sytë” dhe në atë çast burri më në fund pa gjithçka qartësisht (Marku 8:24–25). Në mënyrë të ngjashme, kur Jezusi e shëroi një grua që kishte një sëmundje gjaku, kjo ndodhi pasi ajo kishte vuajtur me një problem shëndetësor për 12 vjet (shih Marku 5:25–34). Këto histori na kujtojnë se shërimi fizik, shpirtëror dhe mendor shpesh ndodhin me kalimin e kohës. Nëse ndieni se shërimi juaj nuk po ndodh aq shpejt sa do të donit, përpiquni të përcaktoni sukseset e vogla. Lutuni dhe flisni me Perëndinë për ndjenjat tuaja, përfshirë ta falënderoni Atë për çfarëdo përparimi që vini re.

Qoftë nëse jeni tashmë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që po mësoni më shumë rreth ungjillit, ose po riktheheni në anëtarësinë në Kishë, ju lutemi, dijeni se ne kujdesemi për ju. Pavarësisht se si ka qenë e kaluara juaj, apo se sa e gjatë është rruga përpara, e ardhmja juaj mund të jetë e mbushur me dritën e Perëndisë. Shtegu i ungjillit na jep forcë. Ai na sjell ngushëllim. Ai çon drejt më shumë lumturie në këtë jetë dhe gëzimi në përjetësi.

Ati juaj Qiellor dhe Jezu Krishti ju njohin dhe ju duan në mënyrë të përsosur. Ata nuk do t’ju braktisin kurrë. Ata nuk do t’ju lëndojnë kurrë. Ata nuk do t’ju harrojnë kurrë.