Bazat e Ungjillit
Perëndia na Flet Neve Sot
Ati Qiellor dëshiron të na ndihmojë. A po e dëgjojmë Atë?
Dyqind vjet më parë, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti iu shfaqën një adoleshenti të quajtur Jozef Smith. Vegimi i Parë na mëson të vërteta të rëndësishme. Jezusi edhe njëherë po e udhëheq një Kishë mbi tokë. Profetët ekzistojnë sot si në kohët e lashta. Dhe Perëndia e njeh secilin prej nesh me emër dhe po i dëgjon lutjet tona. Ne bekohemi kur përpiqemi që ta dëgjojmë zërin e Tij çdo ditë.
Çfarë Është Zbulesa?
Kur Perëndia u flet fëmijëve të Tij, quhet “zbulesë”. Ka lloje të ndryshme zbulesash.
Zbulesë vetjake është kur Perëndia na flet individualisht nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai mund të na ngushëllojë dhe të na udhërrëfejë.
Ne gjithashtu mund të marrim zbulesë rreth mënyrës se si t’i ndihmojmë ata, të cilët jemi thirrur për t’i udhëhequr. Për shembull, prindërit mund të marrin zbulesë për familjet e tyre dhe një peshkop mund të marrë zbulesë për lagjen e tij.
Vetëm Profeti mund të marrë zbulesë për të gjithë Kishën, por secili prej nesh mund të lutet për të ditur a është e vërtetë ajo që na japin mësim udhëheqësit tanë.
Si Mund ta Ftoj Zbulesën?
Ne mund t’i flasim një Ati Qiellor të dashur, të gjithëfuqishëm e të gjithëditur në çdo kohë nëpërmjet lutjes. Ai do që ne ta falënderojmë për bekimet e Tij, të flasim me Të për jetën tonë dhe të kërkojmë për atë që na nevojitet. Më pas, ne duhet t’u kushtojmë vëmendje mendimeve dhe ndjenjave që vijnë nga Fryma e Shenjtë, i cili është si një lajmëtar nga Ati ynë Qiellor.
Si Tingëllon Zbulesa?
Nuk ka një mënyrë të vetme për ta përshkruar zbulesën. Perëndia i flet secilit prej nesh në një mënyrë që ne do ta kuptojmë (shih Doktrina e Besëlidhje 1:24). Njerëzit nganjëherë përjetojnë ëndrra dhe vegime. Por më shpesh, Perëndia na flet nëpërmjet ndjenjave të qeta nga Fryma e Shenjtë, si ngrohtësia, paqja ose gëzimi.
Në studimin gjatë këtij muaji te Doktrina e Besëlidhje, ne lexojmë rreth Oliver Kaudërit, të cilit iu dha mësim se zbulesa do të vinte si në mendjen edhe në zemrën e tij (shih Doktrina e Besëlidhje 8:2).
Cilët Janë Shembuj të Zbulesës në Shkrimet e Shenjta?
Shumë histori nga shkrimet e shenjta e përshkruajnë Perëndinë duke i folur popullit të Tij:
-
Perëndia i tregoi Noeut se si ta ruante të sigurt familjen e tij (shih Zanafilla 6:17–18).
-
Ati Qiellor dhe Jezusi e ngushëlluan një dishepull të quajtur Stefan (shih Veprat e Apostujve 7:55).
-
Zbulesa e ndihmoi Nefin që t’i zbatonte urdhërimet (shih 1 Nefi 4:6).
-
Ndërkohë që shkrime të tjera të shenjta vijnë nga anale të lashta, Doktrina e Besëlidhje është përpiluar nga zbulesat moderne. Këtë vit ne kemi mundësinë e veçantë që të studiojmë një libër të mbushur me fjalë të drejtpërdrejta nga Zoti.