Gratë dhe Fuqia e Besëlidhjeve
Ne mund të gjejmë gëzim në privilegjet dhe fuqinë që kemi nëpërmjet priftërisë.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se qiejt janë po aq të hapur ndaj grave që u është dhuruar fuqia e Perëndisë që rrjedh nga besëlidhjet e tyre të priftërisë, sa janë edhe ndaj burrave që e mbajnë priftërinë.
“Unë lutem që kjo e vërtetë do të shënohet në secilën prej zemrave tuaja, sepse besoj se ajo do ta ndryshojë jetën tuaj”, tha ai. “Dëshiroj të lë një bekim mbi ju, që ju të mund ta kuptoni fuqinë e priftërisë që ju është dhuruar, dhe që ju do ta shtoni atë fuqi duke e ushtruar besimin tuaj te Zoti dhe te fuqia e Tij.”
Presidenti Nelson i ftoi gratë e Kishës që të “studio[jnë] me lutje” rreth fuqisë së priftërisë dhe të “zbulo[jnë] atë që Fryma e Shenjtë do [të na] mësojë”. Më pëlqen shumë që profeti ynë i gjallë e ftoi secilin prej nesh, për të mësuar, për të marrë zbulesë dhe për ta “m[arrë], kupt[uar] dhe përdor[ur më mirë] fuqinë e cila [na] është dhuruar”1.
Shumë herë gjatë jetës sime kam përjetuar bekimet e premtuara që vijnë nga ndjekja e këshillës së profetëve. Kjo ftesë nuk ishte e ndryshme. Duke menduar për ftesën e Presidentit Nelson, mendja ime menjëherë u kthye tek tempulli – në vendin ku m’u dhurua fuqia e priftërisë – dhe te dhurata që ajo fuqi ka qenë gjatë gjithë jetës sime. Më janë dashur vite për ta dalluar se si ajo fuqi shfaqet në jetën time.
Fuqia e priftërisë, pothuajse si dhurata e Frymës së Shenjtë, vjen nga Ati ynë i dashur në Qiell dhe nga drejtësia jonë vetjake. Në mbajtjen e besëlidhjeve tona me Zotin, ne kemi mundësinë për të marrë zbulesë për jetën tonë, për familjet tona, punën, shkollën tonë – gjithçka për të cilën kërkojmë udhërrëfim. Nuk ka asgjë që është e rëndësishme për ne, që të jetë e parëndësishme për Zotin. Dhe kur e ftojmë Shpirtin që të jetë me ne, ne mund të arrijmë në një kuptueshmëri më të madhe mbi fuqinë e priftërisë nëpërmjet udhërrëfimit nga Fryma e Shenjtë.
Sa më shumë që kam mësuar rreth fuqisë së priftërisë nëpërmjet studimit dhe përvojës vetjake, aq më shumë e kuptoj se sa e rëndësishme është ajo për të gjitha aspektet e jetës sonë. Fuqia e priftërisë na ndihmon të marrim zbulesë për sfidat tona të përditshme.
Në thirrjet e mia, ngaqë po shërbej me autoritetin e priftërisë që më është dhënë nga dikush që ka çelësat, ka pasur raste të panumërta kur më janë dhënë mendime ose fjalë, të cilat janë pikërisht ato çfarë një e re ose një motër e Shoqatës së Ndihmës apo një fëmijë i Fillores kishte nevojë të dëgjonte. Unë e di se ato fjalë më erdhën për shkak të autoritetit të priftërisë që m’u dha kur u veçova për atë thirrje.
Në martesë, si në çfarëdo marrëdhënie, njerëzit kalojnë nëpër etapa dhe faza të të mësuarit dhe të rritjes. Kam mësuar se kur e kujtoj se kush është bashkëshorti im, se kush jam unë dhe se çfarë supozohet të bëjmë së bashku si fëmijë të Perëndisë, kjo ma ka ndryshuar zemrën. Të qenit të vulosur së bashku nëpërmjet autoritetit të priftërisë na ka dhënë forcë dhe shtysë të dyve për të pasur më shumë unitet. Kur Shpëtimtari tha: “Nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë” (Doktrina e Besëlidhje 38:27), Ai nuk e ka fjalën vetëm në kuadrin e Kishës. Ai nënkupton edhe në marrëdhëniet tona familjare.
Dhe si nënë, më kujtohet që u shqetësova për një të ri, i cili po bënte gjërat që e dija se nuk do ta lumturonin atë bir. Kishim rënë dakord ta diskutonim shqetësimin dhe kishim vendosur një orar për të biseduar. Përpara orarit të caktuar të telefonatës sonë, e kisha gati leksionin tim; e dija me saktësi se çfarë do të thosha. U luta që ta kisha Shpirtin me vete. Ajo që më doli nga goja që në fillim të bashkëbisedimit tonë dhe gjatë gjithë telefonatës ishte tërësisht ndryshe nga ajo që kisha planifikuar të thosha. Por ishte saktësisht ajo që i nevojitej atij biri. Dhurata e Frymës së Shenjtë bëri të mundur që zemrat të zbuteshin dhe të përcaktohej një zgjidhje më e mirë. Ky është një demonstrim i mënyrës se si vepron fuqia e priftërisë në jetën tonë.
Shumë shpesh, gratë e krahasojnë veten me gra të tjera. Por asnjëra nga ne nuk ndihet mirë kur e krahason veten me gra të tjera. Secila grua ka një gërshetim të pashoq aftësish dhe talentesh dhe të gjitha janë dhurata të dhëna nga Perëndia. Thjesht sepse ju dhe unë nuk jemi të njëjta – apo sado gra të ketë që nuk janë të njëjta – nuk na bën të jemi më pak ose më shumë. Ne kemi nevojë që t’i gjejmë dhuratat tona dhe t’i zhvillojmë, duke kujtuar se kush na i dha ato dhe më pas t’i përdorim për qëllimet e Tij. Teksa i japim dhuratat tona për t’i bekuar të tjerët, ne po përjetojmë fuqinë e priftërisë në jetën tonë.
Kam pasur privilegjin që të takoj kaq shumë gra të shkëlqyera që tregojnë besim dhe fuqi nëpërmjet veprimeve të tyre. Gratë japin nga talentet dhe aftësitë e tyre në mënyra të jashtëzakonshme dhe të larmishme. Ato sjellin një ndryshim të madh në jetën e të gjithë njerëzve përreth tyre – në familjet e tyre, vendet e tyre të punës, në kishë, në shkollë apo kudo tjetër ku e shpenzojnë kohën e tyre.
Një nga gjërat që kam mësuar rreth priftërisë, është se ne bëjmë më të mirën kur punojmë të ndërvarur me njëri-tjetrin. Kjo është mënyra se si e projektoi Zoti; ky është modeli hyjnor. Ne s’kemi nevojë të konkurrojmë sepse të gjitha ato dhurata, talente dhe aftësi të ndryshme janë të nevojshme – si nga burrat edhe gratë. Zoti është duke na udhëhequr butësisht përgjatë atij shtegu, që të gjithë ne të mund të fitojmë një kuptueshmëri më të mirë mbi mënyrën se si të punojmë së bashku dhe se si t’i vlerësojmë ndihmesat e njëri-tjetrit. Me të vërtetë kjo është mënyra më e mirë për ta përmbushur veprën e Tij.
Gratë nuk kanë nevojë të presin për dikë që t’u thotë se çfarë të bëjnë me dhuratat, talentet dhe fuqinë e tyre. Ne kemi aftësinë që të marrim zbulesa për veten tonë. Nuk duhet të presim që të detyrohemi të veprojmë; na nevojitet të kemi kurajën për të vepruar sipas zbulesës që marrim. Kërkimi i frymëzimit dhe reagimi ndaj atij udhërrëfimi shpirtëror janë provë se ne po mbështetemi te fuqia e priftërisë që na është premtuar kur i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë.
Ashtu siç dha mësim Presidenti Nelson: “Çfarë mund të jetë më emocionuese sesa të punosh me Shpirtin për të kuptuar fuqinë e Perëndisë – fuqinë e priftërisë?” Ai premtoi se: “Ndërkohë që rritet të kuptuarit tuaj dhe ndërkohë që ushtroni besim te Zoti dhe fuqia e priftërisë së Tij, do të rritet aftësia juaj për t’u mbështetur te ky thesar shpirtëror që Zoti e ka vënë në dispozicion”2. Dhe unë e di se këto premtime nga profeti ynë i gjallë janë të sigurta.