2023
Si ma Kanë Bekuar Jetën Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme
Tetor 2023


Mesazh i Udhëheqjes Zonale

Si ma Kanë Bekuar Jetën Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme

Ndërsa botohet ky numër i revistës Liahona, ne do të jemi në pritje të një konference tjetër të përgjithshme. Libri Doktrina e Besëlidhje na jep një model për mbledhjet tona.

“Kur të mblidheni së bashku, ju do të udhëzoni dhe lartësoni njëri-tjetrin, që të mund të dini se si të veproni dhe se si të drejtoni kishën time, …. dhe ju duhet ta detyroni veten tuaj për të vepruar gjithë shenjtëri përpara meje.”1

Ne duhet të i) udhëzohemi, ii) lartësohemi dhe iii) ta detyrojmë veten tonë që të veprojmë sipas asaj që kemi dëgjuar.

Disa vjet më parë fola me një mik që kishte frekuentuar një mbledhje të kishës pak më herët atë ditë dhe e pyeta se si ishte. Përgjigjja ishte negative; me sa duket bisedat ishin të varfra dhe mbledhja aspak lartësuese. Më vonë gjatë asaj dite, fola me një mik tjetër që kishte frekuentuar të njëjtën mbledhje dhe i bëra të njëjtën pyetje. “Ishte e mrekullueshme”, – qe përgjigjja.

Shpesh përsiata rreth përvojës së këtyre dy miqve. Të dy frekuentuan të njëjtën mbledhje dhe dëgjuan të njëjtat biseda, prapëseprapë njëri ishte larguar shpirtërisht i uritur dhe tjetri tërësisht i ushqyer. Ka mundësi që thjesht miku im i dytë ta ketë gjetur më shumë veten tek temat e bisedave. Sidoqoftë, përfytyroj se ishte shumë më tepër se kaq. Miku im i dytë kishte shkuar shpirtërisht i përgatitur për të mbajtur vesh me një zemër të hapur dhe me dëshirë për të vepruar sipas asaj që dëgjoi.

Sigurisht, ata që caktohen për të folur ose dhënë mësim duhet që me zell të kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit në lidhje me temën, përmbajtjen dhe paraqitjen e udhëzimit të tyre. Megjithatë, përvoja ime është që frekuentuesit kanë të paktën një përgjegjësi të barabartë për t’u përgatitur shpirtërisht në mënyrë që të lartësohen dhe të zotërojnë një gatishmëri për të vepruar sipas asaj që dëgjojnë.

Kur e lexoj Librin e Mormonit, ndiej fuqinë e madhe të fjalëve të Nefit, mbretit Beniamin, të Almës, Mosias dhe të tjerëve. Në konferencën e përgjithshme, e njëjta fuqi është e pranishme nga profeti ynë, Presidenti Nelson dhe drejtuesit e tjerë të përgjithshëm të Kishës.

Merrni parasysh vetëm disa udhëzime nga konferencat e përgjithshme vitet e fundit:

“Por, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, shumë gjëra të bukura na presin. Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota. Nga tani e deri në kohën kur Ai të kthehet ‘me fuqi dhe lavdi të madhe’, Ai do t’u japë privilegje, bekime dhe mrekulli të panumërta besnikëve.”2

“Po mësoj se Ati Qiellor është më i interesuar në rritjen time si dishepulle e Jezu Krishtit sesa është i interesuar për rehatinë time. Mund të mos dua gjithmonë që të jetë ashtu – por është!

Të jetuarit në rehati nuk sjell fuqi. Fuqia që na nevojitet për ta përballuar nxehtësinë e kohës sonë, është fuqia e Zotit dhe fuqia e Tij rrjedh përmes besëlidhjeve tona me Të.”3

“Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushq[yerjes] me bollëk [çdo ditë] me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare.”4

“Shpëtimtari dëshiron shumë që të rivendosë atë që ju nuk mund ta rivendosni; Ai dëshiron shumë të shërojë plagë që ju nuk mund t’i shëroni; Ai dëshiron shumë që të ndreqë atë që është thyer në mënyrë të pariparueshme; Ai dëmshpërblen për cilëndo padrejtësi të shkaktuar mbi ju dhe Ai dëshiron shumë që t’i shërojë përgjithmonë edhe zemrat e thyera.”5

Çfarë udhëzimi i mrekullueshëm, lartësimi dhe ftesash për të vepruar nga këto dhe qindra biseda të tjera të frymëzuara! Ndërsa marrim pjesë në konferencën e përgjithshme, qoftë fizikisht, nëpërmjet transmetimeve të drejtpërdrejta ose leximit apo shikimit të bisedave pas ngjarjes, e ftoj secilin prej nesh që të përgatitet shpirtërisht për t’u lartësuar dhe për të qenë i gatshëm të veprojë sipas asaj që dëgjon. Ashtu sikurse mbreti Beniamin e këshilloi popullin e kohës së tij, ashtu do të na udhërrëfejnë udhëheqësit e sotëm përgjatë këtyre kohëve të pasigurta e të trazuara, duke e ndërtuar besimin tonë te Jezu Krishti dhe duke na ftuar të bëjmë zgjedhje që do të na mbajnë të sigurt në shtegun e besëlidhjeve.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 43:8–9.

  2. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, tetor 2022.

  3. Shihni M. Russell Ballard, ‘Like a Flame Unquenchable,’ prill 1999, cituar në bisedën “Me Gjithë Zemër” nga Mishel D. Krejgu, tetor 2022.

  4. Presidenti Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, prill 2018.

  5. Plaku Dejll G. Renland: “Kini Parasysh Mirësinë dhe Madhështinë e Perëndisë”, prill 2020.

Shtyp në Letër