2023
Ajo që Nevojitet të Dini rreth Shërbimit në një Mision Shërbimi për Misionarë në Moshë
Tetor 2023


Shërbimi Misionar i Lartë

Ajo që Nevojitet të Dini rreth Shërbimit në një Mision Shërbimi për Misionarë në Moshë

Zgjidhni një mision shërbimi për misionarët në moshë ose krijoni vetë misionin tuaj të shërbimit

Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne besojmë në dhënien e shërbimit. Si misionarë shërbimi, ju mund të zgjidhni të shërbeni nëpër botë, por shumë misionarë do të shërbejnë ndërkohë që jetojnë në shtëpi. Në disa situata, mund të jetë më e efektshme të shërbeni në vendin ose zonën tuaj.

Mbi 27 000 misionarët në moshë me shërbim të Kishës ndihmojnë për t’i mbështetur Komunikimet e Kishës, zyrat e misionit, qendrat e shpërndarjes, qendrat dhe bibliotekat e programit FamilySearch, programet për mbështetjen te vetja, programin BYU-Pathway Mbarëbotëror , qendrat e punësimit dhe shumë vende të tjera. Mundet edhe të keni një mision të përshtatur në bazë të aftësive dhe interesave tuaja të posaçme.

Kisha po nxjerr një sistem të ri botëror për Administrimin e Misionarëve në Moshë për t’i ndihmuar misionarët në moshë të gjejnë ose të krijojnë një mundësi misioni me shërbim. Nën drejtimin e Plakut Robert Gejl dhe Motrës Lesli Gejl, po thirren bashkërendues zonalë nëpër botë për t’ju ndihmuar të zbuloni se cili mision mund të jetë i duhuri për ju.

Nëse mund të shërbeni jashtë vendit si një misionar/e kohëplotë, ka mundësi dhe nevoja të shumta. Nëse keni sfida shëndetësore, nevoja familjare ose shqetësime të tjera, një mision shërbimi mund të jetë shtegu i duhur për ju. Nëse keni aftësi të veçanta për të ofruar, mundësia më e mirë mund të jetë të punoni me bashkërenduesin tuaj zonal për të krijuar një mision posaçërisht për ju.

Misionarët me shërbim shërbejnë tetë deri në 40 orë në javë për gjashtë muaj deri në dy vjet. Misionarët mund të jenë të martuar ose beqarë. Ata mund të shkojnë me automjet në vendndodhjen e shërbimit të tyre ose të ulen përpara kompjuterit të shtëpisë së tyre për të përfunduar detyrat.

Pasi shërbyen në një mision kohëplotë, Plaku Piter Kop dhe Motra Beatris Kop punuan si misionarë me shërbim për mirëqenien dhe mbështetjen te vetja pranë shtëpisë së tyre në Zvicër. Gjatë kësaj kohe, ata morën një dëshmi të palëkundur për nismën e Kishës për mbështetjen te vetja. Për misionin e tyre me shërbim ata thanë: “Duke qenë se i njihnim thuajse të gjithë udhëheqësit e kunjeve me të cilët u thirrëm të punonim, ishte e lehtë t’u qaseshim të gjithëve. Ata ishin të gatshëm të na dëgjonin dhe e ndien entuziazmin tonë për këtë pjesë të veprës.”

Si një psikolog dhe këshillues i kualifikuar, Plaku Robert Darkin pati një mision të përshtatur për të. Ai u thirr si Bashkërendues i Vlerësimit Para Misionit. Ai bashkërendoi edhe bashkërenduesit e programit të riaftësimit nga varësitë në mbarë Zonat e Europës ku po përdoret programi i riaftësimit nga varësitë. Ai i trajnoi bashkërenduesit dhe u sigurua që dokumentet të mbaheshin të përditësuara.

Ai dhe bashkëshortja e tij shërbyen në një mision kohëplotë në QTM në Çorli ku ai ishte në presidencën e QTM-së. Pasi ajo ndërroi jetë, ai vendosi të shërbente edhe në një mision tjetër. Ai donte të shërbente dhe të jetonte në Gjermani, ndaj po planifikonte të shpërngulej nga Mbretëria e Bashkuar për në Frankfurt, ku do të kishte paguar vetë shpenzimet e tij si misionar me shërbim në vend që të paguante tarifat mujore si misionar. Për shkak të COVID-it, ai qëndroi në MB dhe e përfundoi misionin e tij nga shtëpia. Ai thotë se qe në gjendje të bënte gjithçka që i nevojitej të bënte, ndërkohë që jetonte në shtëpi. Ai i nxit të tjerët të shërbejnë në një mision. Ai thotë: “Mos e humbni mundësinë. Misioni është një mënyrë e shkëlqyer për t’u afruar më shumë me Zotin.”

Nëse keni përvojë në politikën vendore, mund të shërbeni në një mision për ndihmesë si udhëheqës kyç i opinionit për ta ndihmuar Kishën të ndërtojë marrëdhënie në komunitet. Nëse ju pëlqen të shkruani, mund të shërbeni në një mision duke shkruar artikuj, duke komunikuar me median në zonën tuaj vendore dhe duke publikuar artikuj në mediat shoqërore. Nëse jeni aktiv/e në komunitetin e shërbimit, mund të ndihmoni të zhvillohen mundësi për programin ThjeshtShërbe të cilat të publikohen në këndin e internetit në zonën tuaj. Ju madje mund të jepni mësim për programin BYU-Pathway Mbarëbotëror në Afrikë ndërkohë që jetoni në shtëpinë tuaj në Europë.

Vizitojeni portalin e ri për shërbimin misionar në këndin e internetit të Kishës poshtë butonit “Serve” [“Shërbeni”] “Volunteer & Serve” [“Dilni Vullnetar dhe Shërbeni”], “Senior Service Missionary” [Misionar/e në Moshë me Shërbim”], pastaj zgjidhni butonin “Search Opportunities” [“Kërkoni Mundësi”] ose klikoni te kjo hallkë lidhëse seniorservicemissions për të shqyrtuar mundësitë për misione me shërbim. Mund edhe të bisedoni me presidentin e kunjit ose misionit tuaj për mënyrën se si mund të shërbeni. Ndërsa thirren bashkërenduesit zonal, mund të bisedoni me ta për mundësitë dhe ata do t’ju ndihmojnë të vendosni për një mision ose t’ju vijnë në ndihmë që të krijoni një mision tuajin.

Shtyp në Letër