“1 Nefi 1: ‘Erdhën Shumë Profetë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“1 Nefi 1: ‘Erdhën Shumë Profetë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
1 Nefi 1
“Erdhën Shumë Profetë”
Profetët nuk japin gjithnjë mesazhe që janë të pranuara në botë, por mësimet dhe paralajmërimet e tyre demonstrojnë dashurinë e Zotit për popullin e Tij. Lehi u thirr nga Perëndia për t’i predikuar pendim popullit të Jerusalemit. Pavarësisht nga lutjet dhe paralajmërimet e tij, ata i refuzuan fjalët e tij dhe u përpoqën ta vrisnin. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh rëndësinë e pranimit dhe ndjekjes së profetëve të Perëndisë.
Paralajmërimet
Imagjinoni sikur keni mundësinë të pluskoni ose të lundroni me kanoe në këtë lumë.
-
A do të kishit ndonjë shqetësim? Përse po ose përse jo?
Ndërsa jeni gati për të filluar ekskursionin tuaj, dikush ju paralajmëron se lumi duket i qetë por një pjesë e tij do t’ju dalë i rrezikshëm dhe kërcënues për jetën.
-
A do t’i besonit personit që ju paralajmëroi? Përse po ose përse jo?
Fotografia në vijim është po ky lumë me pjesën që patë më parë të vënë në fokus:
-
Çfarë do të dinit dhe ndienit tani për personin që dha paralajmërimin?
-
Çfarë mund të na mësojë kjo situatë imagjinare rreth rolit të profetëve të Perëndisë?
Ndalu për pak minuta dhe përsiat për këtë në vijim:
-
Rreziqet për të cilat profetët na kanë paralajmëruar në kohën tonë
-
Bekimet e bindjes dhe pasojat e mundshme të shpërfilljes së paralajmërimeve të tyre
-
Ndjenjat e tua rreth ndjekjes së paralajmërimeve të tyre
-
Arsyet përse ke nevojë për paralajmërimet e Perëndisë nëpërmjet profetëve të Tij
Ndërsa studion, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë të ndiesh një dëshirë më të madhe për t’i ndjekur profetët e Perëndisë.
“Erdhën shumë profetë”
Libri i 1 Nefit fillon rreth vitit 600 pr.K në Jerusalem. Në këtë kohë, shumë nga judenjtë po e braktisnin Perëndinë dhe po adhuronin perëndinë e rreme Baalin, duke u mirëbesuar fjalëve të profetëve gënjeshtarë dhe duke u përfshirë në sjellje mëkatare të tilla si vjedhja, vrasja dhe imoraliteti i neveritshëm (shih Jeremia 2; 7). Mendo për atë se si këto rrethana janë të ngjashme me botën e sotme.
Lexo te 1 Nefi 1:1–4, duke kërkuar se si e filloi Nefi analin e tij.
-
Çfarë mendon se është e rëndësishme të kuptosh nga këto vargje? Përse?
Profetët e përmendur te vargu 4 mund të përfshijnë profetët e Dhiatës së Vjetër: Jeremian, Habakukun, Abdian, Nahumin, Sofonian dhe të tjerë.
Lexo te 1 Nefi 1:5–15 dhe kërko hollësi rreth thirrjes së Lehit për të qenë profet. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Zoti e Urdhëron Familjen e Lehit që të Largohet nga Jerusalemi” nga kodi kohor 00:39 në 05:53, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë të bëri më shumë përshtypje rreth përvojës së Lehit? Përse?
-
Çfarë mësoi Lehi rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga ato që pa?
-
Përse këto të vërteta për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin do të ishin të rëndësishme të dihen në rrethanat e tua?
Lexo te 1 Nefi 1:18–20 për të parë se çfarë dha mësim Lehi dhe se si u përgjigjën njerëzit e Jerusalemit. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Zoti e Urdhëron Familjen e Lehit që të Largohet nga Jerusalemi” nga kodi kohor 05:53 në 07:26.
-
Ku ngjasonte Lehi me Jezu Krishtin në përpjekjet e tij?
-
Çfarë mëson rreth profetëve nga përvojat e Lehit?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga shembulli i Lehit është se Perëndia thërret profetë që të paralajmërojnë për pasojat e mëkatit dhe të dëshmojnë për Jezu Krishtin.
-
Si i keni parë profetët t’i përmbushin këto përgjegjësi në kohën tonë?
-
Në çfarë mënyrash disa njerëz sot tregojnë zemërim kundrejt profetëve ose i refuzojnë fjalët e tyre? Përse mendoni se ata përgjigjen në këtë mënyrë?
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e asaj që na mësojnë profetët e Perëndisë:
“Hedhja e spirancës së shpirtit tonë te Zoti Jezu Krisht kërkon që t’i dëgjojmë ata që Ai i dërgon. …
Zëri i profetit, edhe pse flet me mirësi, shpesh do të jetë një zë që na kërkon të ndryshojmë, të pendohemi dhe të kthehemi te Zoti. Kur nevojitet korrigjim, mos u vonofshim. Dhe mos u alarmoni kur zëri paralajmërues i profetit ndeshet me opinionet e sotme, të pranuara gjerësisht. Goditjet e zjarrta të talljes nga njerëz të irrituar mosbesues gjithmonë ndizen në çastin kur profeti fillon të flasë. Kur jeni të përulur në ndjekjen e këshillës së profetit të Zotit, ju premtoj një bekim më të madh sigurie dhe paqeje. …
… Përgjegjësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar e një profeti për ne është dëshmia e tij e sigurt, dituria e tij e patundur se Jezusi është Krishti.” (Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 26, 27)
-
Pse mendoni se përgjegjësia më e madhe e profetit është të japë dëshminë e tij për Jezu Krishtin?
-
Çfarë mund t’ju ndihmojë t’u përgjigjeni me besnikëri këshillës dhe paralajmërimeve të profetëve të Perëndisë në kohën tonë?
Roli i profetëve dhe rëndësia e ndjekjes së tyre
Përsiat se si u je përgjigjur paralajmërimeve të fundit nga profetët. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të përcaktuar mënyra se si mund t’ua vësh veshin më me kujdes këshillës së tyre. Shkruaji ato ide në ditarin tënd të studimit dhe përzgjidh me lutje njërën për ta zbatuar në jetën tënde.