“2 Nefi 9:1–26: ‘Një Shlyerje të Pafund’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 9:1–26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 9:1–26
“Një Shlyerje të Pafund”
Jakobi u dha mësim nefitëve rreth kushteve me të cilat përballet i gjithë njerëzimi për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës. Ai dëshmoi se vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe fuqisë së Tij shëlbuese mund t’i mposhtë njerëzimi vdekjen shpirtërore dhe fizike. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh vlerësim më të madh për rolin që ka Jezu Krishti për të na ndihmuar të mposhtim mëkatin dhe vdekjen.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një situatë e vështirë
Përsiat se si do të reagoje në rrethanat vijuese:
“Më 5 gusht 2010, 33 minatorë nga Kili mbetën të bllokuar nga një shembje masive pasi shkëmbi brenda minierës u shkatërrua. Ata u kufizuan në një zonë të vogël të sigurt dhe tek tunelet nëntokësore të minierës poshtë shembjes, 700 metra thellë nën tokë.
Situata dukej e zymtë. Ata i ndante nga shtëpia dhe familja një masë shkëmbore mbi kokë, e palëvizshme dhe pothuajse 1 km e trashë dhe ata kishin vetëm një furnizim të vogël me ushqim dhe ujë. Ndonëse kishin mjete dhe dije, për shkak të paqëndrueshmërisë së minierës ata nuk mund të shpëtonin veten. Mundësia e vetme e tyre ishte që t’i gjenin e t’i shpëtonin.” (Connie Goulding, “Seeking Rescue”, Ensign, qershor 2015, f. 63)
-
Nëse do të kishe qenë në këtë situatë, çfarë mendimesh apo ndjenjash mund të kishe pasur?
-
Cilat janë disa gjëra prej të cilave kemi nevojë të shpëtohemi, të cilat nuk mund t’i kapërcejmë vetë?
Për shkak të Rënies së Adamit dhe Evës, secili prej nesh do të përjetojë vdekje fizike dhe shpirtërore. Vdekja shpirtërore i referohet ndarjes nga Perëndia që përjetojmë si rezultat i mëkatit.
Lexo te 2 Nefi 9:10, duke kërkuar se me çfarë i krahasoi Jakobi vdekjen fizike dhe shpirtërore.
-
Si mendon, pse Jakobi e përshkroi vdekjen (vdekjen e trupit) dhe ferrin (vdekjen e shpirtit që rezulton nga mëkati për të cilin nuk jemi penduar), si një “përbindësh të tmerrshëm”?
Mendo rreth faktit se si do të ishte jeta po të mos shpëtoheshim nga vdekja fizike dhe shpirtërore. Merr parasysh se si mund t’ia komunikosh dikujt nevojën tonë të skajshme për një Shpëtimtar që të na shpëtojë nga vdekja fizike dhe shpirtërore. Ndërsa vazhdon të studiosh, përsiat se si ndihesh kundrejt Jezu Krishtit, i cili na ndihmon t’i kapërcejmë këto kushte nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
Jakobi jep mësim rreth rolit të Shpëtimtarit në çlirimin tonë nga mëkati dhe vdekja
-
Plotësoje veprimtarinë vijuese të studimit
Vizato një tabelë me tre titujt vijues në ditarin tënd të studimit. Studioji vargjet e renditura në çdo kolonë dhe shënoji idetë e tua në tabelën tënde. Vazhdo të shtosh ide në tabelën tënde gjatë gjithë mësimit.
Po të mos kishte Shpëtimtar … (2 Nefi 9:7–9) |
Për shkak se ka një Shpëtimtar … (2 Nefi 9:10–13) |
---|---|
Mund të duash të shikosh edhe materialin filmik “Why We Need a Savior” [“Përse na Nevojitet një Shpëtimtar”] (2:15), i cili mund të gjendet te ChurchofJesusChrist.org. Merre parasysh t’i shtosh idetë e tua të tjera në tabelën tënde.
-
Çfarë mendimesh apo ndjenjash ke pasur për Jezu Krishtin kur i studiove këto vargje?
Një e vërtetë që i përmbledh mësimet e Jakobit në vargjet që ke studiuar, është që nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti na ndihmon t’i mposhtim mëkatin dhe vdekjen.
-
Si mund të ndikojë të kuptuarit e kësaj të vërtete në jetën tënde?
-
Kur ka qenë më kuptimplotë për ty njohuria për fitoren e Jezu Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen?
Zgjedhja për ta pranuar shpëtimin
Sille ndërmend tregimin për minatorët nga Kili nga fillimi i mësimit. Ndërsa mëson rreth pjesës së mbetur të historisë së tyre, mendo rreth ngjashmërive mes përvojës së tyre dhe shpëtimit tonë nga vdekja fizike dhe shpirtërore.
“Më shumë se dy javë pasi minatorët qenë bllokuar, shpëtuesit gjetën një mënyrë për t’u siguruar ushqim, ujë dhe mjete. Përafërsisht dy muaj më vonë, shpëtuesi qenë më në fund në gjendje të krijonin një çarje mjaftueshëm të madhe sa të ulnin një kabinë të vogël që mund t’i shpëtonte minatorët një e nga një. Çdo minator hynte brenda në kabinë dhe zgjidhte ta linte vullnetin e tij në dorë të planit të shpëtimit dhe shpëtuesve në mënyrë që të shpëtonte. Pasi ishin bllokuar për 69 ditë gjithsej, secili nga minatorët u shpëtua” (shih Connie Goulding, “Seeking Rescue”, Ensign, qershor 2015, f. 63–65).
-
Çfarë ngjashmërish sheh mes kësaj historie dhe Shpëtimtarit që na shpëton nga mëkati dhe vdekja?
-
Çfarë do të mendoje nëse njëri nga minatorët që kishte ngecur, do të refuzonte të futej në kabinën e shpëtimit? Pse?
Ndërkohë që çlirimi nga vdekja fizike është një dhuratë që Shpëtimtari ia ofron të gjithë njerëzimit, çlirimi ynë nga vdekja shpirtërore varet pjesërisht nga dëshirat dhe veprimet tona.
Lexo te 2 Nefi 9:21–24 dhe kërko zgjedhjet që duhet të bëjmë në mënyrë që Shpëtimtari të na shpëtojë nga vdekja shpirtërore. Merre parasysh të shënosh ide shtesë që të vijnë rreth Shpëtimtarit, në kolonën e dytë të tabelës sate.
-
Çfarë mësove rreth asaj që duhet të bëjmë në mënyrë që Shpëtimtari të na shpëtojë nga vdekja shpirtërore?
-
Si mendon, pse ne “nuk mund të shpëtohe[mi] në mbretërinë e Perëndisë” nëse nuk i bëjmë këto gjëra?
Reflekto për pak çaste mbi atë që mësove sot rreth Jezu Krishtit, dhe mbi atë që Ai ka bërë për ty. Mund të duash të shënosh ndonjë mendim ose përshtypje që ke pasur, ose të përfshish vlerësimin tënd për Shpëtimtarin tonë të dashur.