“2 Nefi 11: Dëshmitarët e Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 11”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 11
Dëshmitarët e Krishtit
Kush të vjen në mendje kur mendon për dëshmitarët e Jezu Krishtit? Nefit i pëlqenin aq shumë dëshmitë e vëllait të tij, Jakobit, dhe të profetit Isaia, saqë i mbajti shënim ato së bashku me dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Ky mësim mund të të ndihmojë ta forcosh dëshminë tënde për realitetin e Jezu Krishtit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Rëndësia e dëshmitarëve
Imagjino sikur të duhet të japësh llogari për faktin se ku ishe natën e shkuar nga ora 18:00 deri në 19:00.
-
Si mund ta vërtetosh se çfarë po bëje në atë kohë?
-
A ka ndonjë dëshmitar që mund ta vërtetojë se ku ishe?
-
Pse dëshmitarët janë të rëndësishëm kur po kërkojmë të vërtetën?
Lexo te 2 Nefi 11:2–3, duke kërkuar dëshmitarët që përmendi Nefi dhe çfarë përvoje patën ata.
-
Pse do të ishin këta tre njerëz dëshmitarë të fuqishëm?
-
Çfarë do të doje të mësoje prej tyre?
-
Çfarë të vërtetash mëson rreth Perëndisë te vargu 3?
Lexo te 2 Nefi 11:4, 6, duke kërkuar atë që Nefi donte posaçërisht që populli i tij ta dinte.
Një nga të vërtetat që mund të mësojmë nga 2 Nefi 11, është se Ati Qiellor dërgon dëshmitarë për të dëshmuar për realitetin e Birit të Tij.
-
Si mendon, përse Ati Qiellor përdor dëshmitarë për të dëshmuar për Birin e Tij?
Gjej një çast për të përsiatur për bindjet dhe ndjenjat e tua rreth Shpëtimtarit Jezu Krisht. Mendo rreth dëshmitarëve të Shpëtimtarit dhe mënyrën se si ata kanë ndikuar tek ti dhe te bindjet e tua rreth Tij. Ndërsa e vazhdon këtë mësim, kërko mënyra se si dëshmitarët mund të të ndihmojnë dhe të të forcojnë në jetën tënde.
Përpara kapitullit 2 Nefi 11, Nefi përfshiu mësimet dhe dëshminë e vëllait të tij më të vogël, Jakobit. Pas kapitullit 2 Nefi 11, Nefi përfshiu mësimet dhe dëshminë e profetit Isaia. Mund të duash të shkruash “2 Nefi 9–10 është dëshmia e Jakobit” në krah të emrit të Jakobit te vargu 3 dhe “2 Nefi 12–24 është dëshmia e Isaias” në krah të emrit të Isaias te vargu 2.
Dëshmitarët e Jezu Krishtit
Ky mësim mund të të ndihmojë ta thellosh dëshminë tënde vetjake për Jezu Krishtin. Qoftë nëse e di tashmë vetë se Ai jeton ose nëse ende po pyet veten a është real Ai, Fryma e Shenjtë mund të të ndihmojë të arrish ta njohësh Atë më mirë nëpërmjet dëshmitarëve të zgjedhur të Perëndisë. Thellësia aktuale e dëshmisë sate për Të nuk është aq e rëndësishme sa dëshira jote për ta njohur Atë më mirë këtej e tutje.
Studioji shkrimet e të paktën dy prej dëshmitarëve vijues të Jezu Krishtit. Merre parasysh të shënosh se çfarë mëson dhe ndien ndërsa studion.
-
Jakobi – Gjej një mësim ose dëshmi për Krishtin që është kuptimplotë për ty, që Jakobi e dha te 2 Nefi 9–10. (Vargjet e mundshme përfshijnë 2 Nefi 9:10–12, 20–23, 41; 10:25.)
-
Isaia – Gjej një mësim ose dëshmi për Krishtin që është kuptimplotë për ty, që Isaia e dha te 2 Nefi 12–24. (Vargjet e mundshme përfshijnë 2 Nefi 16:1–3; 17:14; 19:6–7; 22:2; 24:3.)
-
Nefi – Gjej një mësim ose dëshmi për Krishtin që është kuptimplotë për ty, nga shkrimet vetjake të Nefit. (Vargjet e mundshme përfshijnë 1 Nefi 11:31–33; 19:8–10; 2 Nefi 4:18–21; 25:26, 29.
Dëshmitarët bashkëkohorë të Krishtit
Sill ndër mend se Nefi dëshmoi se “Perëndia dërgon më shumë dëshmitarë” (2 Nefi 11:3). Disa nga këta dëshmitarë janë Apostujt e Tij në ditët e mëvonshme.
Dëshmia jote për Jezu Krishtin
Vër re se Nefi zgjodhi një profet që e admironte (Isaian), dikë që e njihte personalisht (vëllanë e tij Jakobin) dhe dëshminë e tij vetjake si tre dëshmitarë për të dëshmuar për realitetin e Jezu Krishtit.