“2 Nefi 17–19: Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 17–19”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 17–19
Titujt dhe Rolet e Jezu Krishtit
Pse Shpëtimtarit Jezu Krisht është dikush të cilit mund t’i mirëbesosh? Në këta kapituj, Zoti i inkurajon dy mbretër të cilët kërcënohen nga ushtri të forta, që t’i mirëbesojnë Atij. Isaia më pas profetizon për Shpëtimtarin Jezu Krisht, duke renditur disa nga titujt dhe cilësitë e Tij. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i mirëbesosh Jezu Krishtit nëpërmjet studimit dhe të kuptuarit të cilësive dhe titujve të Tij.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Çfarë mund të mësojmë nga titujt?
Imagjino sikur nuk i ke takuar kurrë katër njerëzit në vijim, por i di titujt e tyre:
-
Mjek
-
Polic
-
Peshkop
-
Presidente e Të Rejave
-
Te cili nga këta njerëz do të shkoje për ndihmë nëse dikush po përpiqej të të vidhte? Po të kishe një problem të vështirë shëndetësor? Për këshillë shpirtërore?
-
Në çfarë situatash të tjera mund të jenë këta njerëz të kualifikuar në mënyrë unike që të ndihmojnë?
-
Si të ndihmon njohja e titujve të tyre për të kuptuar se për çfarë janë të kualifikuar të ndihmojnë?
Shpenzo një çast për të përsiatur ndonjë situatë ose sfidë me të cilën mund të përballesh, për të cilën do të doje ndihmë.
Jezu Krishti ka shumë role dhe tituj. Secili prej tyre na mëson diçka të rëndësishme rreth Tij dhe aftësisë së Tij për të na ndihmuar. Ndërsa studion sot, kërko titujt dhe rolet e Tij dhe përsiat se si Ai mund të jetë i kualifikuar në mënyrë unike për të të ndihmuar.
Fjalët e Zotit drejtuar dy mbretërve të Judës
Gjatë kohës së Isaias, mbreti Ashaz i Judës dhe më pas biri i tij, mbreti Ezekia, që të dy u përballën me situata skajshëm të vështira: kombe të fuqishme kërcënuan t’i sulmonin. Në të dyja rastet, Zoti i nxiti mbretërit dhe popullin e tyre që t’i mirëbesonin Atij në vend që të bënin aleanca me kombet e tjera. Lexoji vargjet vijuese, duke kërkuar fraza që vënë në dukje se Zoti po i fton ata t’i mirëbesojnë Atij.
-
2 Nefi 17:3–7. Mbretin Ashaz e kërcënuan mbreti Retsin i Sirisë dhe mbreti Pekah i Izraelit, të cilët planifikonin të sulmonin dhe të vendosnin një mbret të ri në fron.
-
2 Nefi 18:11–13, 17. Mbretin Ezekia po e pushtonin asirianët dhe e dinte se ushtria e tij nuk qe aq e fortë sa t’i ndalonte ata. (Fjala bashkim i referohet formimit të një aleance me vendet e tjera për t’u mbrojtur.)
-
Çfarë gjete?
-
Pse mund të jetë e vështirë për një mbret dhe për popullin e tij që t’i mirëbesojë Zotit në vend që të formojë një aleancë me një komb tjetër?
-
Çfarë do t’u duhej të dinin atyre rreth Zotit që të mirëbesonin tek Ai?
Ndërsa vazhdon të studiosh, përsiat atë që do të thotë t’i mirëbesosh Zotit në sfidat specifike me të cilat përballesh.
Titujt e Shpëtimtarit
Në një varg që studiove, Isaia përdori një titull specifik për Jezu Krishtin që, po të kuptohej, mund t’i ndihmonte këta mbretër dhe popullin e tyre të mirëbesonin tek Ai. Shqyrtoje vargun 2 Nefi 18:13 dhe merr parasysh ta shenjosh këtë titull.
Përcaktimi dhe të kuptuarit e titujve të Shpëtimtarit mund të na ndihmojë ta njohim, ta duam dhe t’i mirëbesojmë më shumë Atij në jetën tonë. Për të të ndihmuar ta kuptosh titullin “Zoti i Ushtrive”, kërko se çfarë do të thotë ai tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.
Profecitë e Isaias
Isaia u profetizoi gjithashtu këtyre mbretërve dhe popullit të tyre për lindjen dhe mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit. Lexo te 2 Nefi 17:14–15; 19:2, 6–7, duke kërkuar atë që dha mësim Isaia rreth Jezu Krishtit, veçanërisht titujt e Tij.
Nëse do të doje të përcaktoje tituj të tjerë për Shpëtimtarin të shënuar në Librin e Mormonit deri tani, merre parasysh të lexosh disa nga vargjet vijuese: 1 Nefi 10:4–6; 12:18; 13:41; 15:14–15; 17:30; 19:12; 2 Nefi 1:10; 2:6, 10; 9:5, 46; 10:3, 14; 15:16. Ka tituj dhe referenca të shkrimeve të shenjta edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, nën zërin “Jezu Krisht”.
Mirëbesimi te Zoti
Fatkeqësisht, mbreti Ashaz dhe shumë nga njerëzit e Judës zgjodhën të mos i besonin Isaias dhe nuk mirëbesuan te Zoti për mbrojtje. Njerëzit e tij u sulmuan dhe shumë u kapën rob dhe u morën skllevër. (Shih te 2 Mbretërve 16; 2 Kronikave 28.) Mbreti Ezekia, ndryshe nga i ati, zgjodhi të mirëbesonte te Zoti dhe ndoqi këshillën e Isaias. Si rezultat, Zoti i mbrojti njerëzit në Jerusalem duke dërguar një engjëll për të shkatërruar ushtrinë sulmuese. (Shih te 2 Mbretërve 19:15–20, 32–35.)
Përsiat atë që ke mësuar dhe ndier rreth Jezu Krishtit në këtë mësim. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj se si mund ta rritësh mirëbesimin tënd tek Ai. Mund të renditësh një titull ose rol specifik që ka Ai, dhe si do të doje t’i mirëbesoje më shumë Atij në atë rol.