“Alma 37: ‘Nëpërmjet Gjërave të Vogla dhe të Thjeshta’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 37”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 37
“Nëpërmjet Gjërave të Vogla dhe të Thjeshta”
Ndonjëherë problemet tona duken shumë të mëdha dhe të ndërlikuara, saqë ne supozojmë se edhe zgjidhet duhet të jenë të mëdha dhe të ndërlikuara. Megjithatë, Alma i dha mësim djalit të tij, Helamanit, se Zoti shpesh përdor gjëra të vogla dhe të thjeshta për të bërë gjëra të mëdha, siç është t’i lejojë shkrimet e shenjta të na tregojnë “udhën nga duhe[t] të shko[jmë]” në jetën tonë (Alma 37:40). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta ushtrosh besimin tënd te Jezu Krishti ndërsa e studion fjalën e Tij në shkrimet e shenjta.
Madhësia e gjërave të vogla dhe të thjeshta
-
Cilat janë disa gjëra të vogla dhe të thjeshta që bëjnë një ndryshim të madh në jetën tënde?
Siç shënohet tek Alma 37, Alma i besoi Helamanit një përgjegjësi të rëndësishme që Zoti e përdori për të ndikuar shumë te fëmijët e Perëndisë. Lexo tek Alma 37:1–2, 5–7 për të parë se çfarë ishte dhe përse ishte kaq e rëndësishme.
Nëse do të doje të shihje një material filmik që i portretizon këto vargje, shikoje [“Alma Këshillon Bijtë e Tij” nga kodi kohor 3:15 deri në 5:05, në dispozicion në kishaejezukrishtit.org]. Ndiqe rrëfimin në shkrimet e tua të shenjta.
Një e vërtetë që mund të mësojmë tek Alma 37 është se Zoti i përdor shkrimet e shenjta për t’u sjellë shpëtim shumë njerëzve.
-
Si mendon, pse Zoti i përdor shkrimet e shenjta për t’i ndihmuar njerëzit ta ndërtojnë besimin te Jezu Krishti dhe të vijnë tek Ai për shpëtim?
Ndërsa e vazhdon studimin tënd, përsiati këto pyetje: Si ndihmojnë shkrimet e shenjta për t’i sjellë njerëzit te Jezu Krishti dhe shpëtimi i Tij? Si duhet të studioj në mënyrë që t’i marr këto bekime të mëdha?
Nëse nuk e ndien se po i merr këto bekime të mëdha nëpërmjet studimit të shkrimeve të shenjta, kërko udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të ditur se çfarë mund të të duhet të dallosh ose ndryshosh.
Fuqia e madhe e shkrimeve të shenjta
Alma i kujtoi Helamanit mënyrat se si shkrimet e shenjta ndikuan shumë te nefitët dhe lamanitët. Lexo tek Alma 37:8–10, 14, duke kërkuar bekimet e mrekullueshme që Zoti i solli nëpërmjet shkrimeve të shenjta. Merre parasysh t’i shenjosh këto bekime ose t’i renditësh ato në ditarin tënd të studimit.
-
Cilat nga këto bekime të bënë përshtypje? Përse?
Alma dha mësim se shkrimet e shenjta e “kanë zgjeruar kujtesën e këtij populli” (Alma 37:8). Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e shpjegoi këtë bekim:
“Kujtesën tonë shkrimet e shenjta e zgjerojnë duke na ndihmuar që përherë të kujtojmë Zotin dhe marrëdhënien tonë me Të dhe me Atin. Na rikujtojnë për ato që dinim në jetën paratokësore. Dhe kujtesën tonë ato e zgjerojnë në një kuptim tjetër, duke na mësuar në lidhje me epoka, njerëz dhe ngjarje që nuk i përjetuam vetë.” (D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 33)
Liahona dhe fjalët e Krishtit
Pasi i dha Helamanit këshillë shtesë, Alma i krahasoi fjalët e Krishtit me një gjë të veçantë të vogël e të thjeshtë që e përdorën Lehi dhe familja e tij: Liahona. Reflekto mbi atë që ti di rreth Liahonës.
Lexo tek Alma 37:38–46 duke kërkuar gjërat e vogla dhe të thjeshta që familjes së Lehit iu desh t’i bënte në mënyrë që Liahona t’i udhërrëfente ata.
Studimi vetjak i shkrimeve të shenjta
Reflekto mbi synimet e tanishme të studimit vetjak të shkrimeve të shenjta, zakonet, si dhe përvojat. Mbaji shënim në ditarin tënd se çfarë rregullimesh të vogla mund të bësh për t’i lejuar Zotit të të bekojë në mënyra madhështore. Sa vijojnë janë disa sugjerime:
Studioji shkrimet e shenjta duke e kërkuar më shumë “njohurinë e Zotit” ose të “gëzohe[sh] në Jezu Krishtin” (Alma 37:9).
-
Kjo mund të përfshijë kërkimin për përmendje të Jezu Krishtit, roleve të Tij dhe misionit të Tij. Ndërsa i përcakton këto përmendje, mund të mendosh rreth asaj se si Jezu Krishti kryen role të ngjashme në jetën tënde. Mund t’i mbash shënim shprehjet e mirënjohjes në ditarin tënd ose në një program Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit] ndërsa i gjen ato.
Trego besim te Perëndia ndërsa studion (shih tek Alma 37:40).
-
Kjo mund të përfshijë kërkimin e mënyrave se si të veprosh sipas asaj që po studion dhe të vish te Krishti. Ti mund të përpiqesh rregullisht t’i përgjigjesh pyetjes “Si mund të më ndihmojë ajo që po studioj të vij te Krishti për t’i marrë bekimet e Tij dhe ta ndjek shembullin e Tij?”. Mund t’i mbash shënim përgjigjet e tua në një ditar.
Përcaktoje në studimin tënd se si mund ta shmangësh të qenit “përtac” dhe harresën që ta “ushtrosh besimin dhe zellin” (Alma 37:41).
-
Kjo mund të përfshijë përzgjedhjen e një kohe të rregullt çdo ditë për t’i studiuar shkrimet e tua të shenjta. Mund të ftosh gjithashtu një pjesëtar të familjes ose shok që ta ndjekë rregullisht ecurinë e përpjekjeve tuaja për studimin e shkrimeve të shenjta. Nëse është në dispozicion, mund të caktosh çdo ditë një kujtues kalendarik në telefon ose në pajisje të tjera digjitale.