“Helamani 13, Pjesa 1: Mëshira e Zotit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Helamani 13, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Helamani 13, Pjesa 1
Mëshira e Zotit
Si mendon se ndihet Perëndia rreth nesh kur kemi mëkatuar? Shumë nefitë u rebeluan kundër Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij, ndaj Perëndia dërgoi Samuel lamanitin tek ata me një mesazh të qartë për t’u penduar që të mund të merrnin faljen. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë natyrën e mëshirshme dhe falëse të Zotit.
Mjerim nga mëkati
Presidenti Rasëll M. Nelson, tregoi historinë vijuese rreth një gruaje në rrethana të vështira. Mendo rreth asaj se çfarë do të doje që ajo të dinte rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Shikoje “Repentance and Conversion” [“Pendimi dhe Kthimi në Besim”], në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:00 deri në 0:50, ose lexoje thënien vijuese.
“Ndërsa Plaku Dejvid S. Bakster dhe unë po udhëtonim me makinë për në një konferencë kunji, u ndalëm në një restorant. Më vonë, kur po ktheheshim në makinën tonë, na u afrua një grua e cila po na thërriste. Ne u befasuam nga pamja e saj. Përkujdesja për paraqitjen e saj të jashtme (ose mungesa e saj) ishte ajo që mund ta quaja me mirësjellje “ekstreme”. Ajo na pyeti nëse ishim pleq në Kishë. I thamë se po. Pothuajse pa u rezervuar në fjalor, ajo na tregoi historinë e jetës së saj tragjike, përplot me mëkat. Tashmë, veçse 28‑vjeçare, ishte në gjendje të mjerë. Ndihej e pavlerë, pa pasur më asgjë për të cilën të jetonte. … Me lutje të përlotur, na pyeti nëse kishte për të ndonjë shpresë, ndonjë mënyrë për të dalë jashtë batakut të saj të pashpresë.” (Russell M. Nelson, “Repentance and Conversion”, Liahona, maj 2007, f. 102)
-
Nëse do t’i flisje kësaj gruaje, cilat të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit do të doje që të dinte ajo?
-
Çfarë do të bëje që të përpiqesh për ta ndihmuar këtë grua?
-
Si mund të ndikojnë ndjenjat e saj aktuale në dëshirën e saj për t’u kthyer te Shpëtimtari?
Mbase ti ose dikush që ti njeh është ndier gjithashtu i pavlerë ose që nuk ka marrë faljen. Përsiate atë që beson me të vërtetë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe faljes.
Ndërsa e studion këtë mësim, kërko ide për natyrën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit dhe se si Ata ndihen ndaj nesh edhe kur mëkatojmë. Përsiat se si këto të vërteta mund të të ndihmojnë ty dhe ata që ti njeh.
Samuel Lamaniti
Ashtu si kjo grua, nefitët ishin të zhytur në mëkat. Nga dashuria e Tij, Zoti dërgoi profetin Samuel me një mesazh për ta.
Lexo te Helamani 13:5–8, 11, 39; 14:11–13; 15:3 dhe kërko se çfarë mëson rreth Zotit, sidomos idetë që mund të na ndihmojnë kur kemi mëkatuar. (Mund të jetë e dobishme të dish se të ndëshkosh [shih te Helamani 15:3] do të thotë të qortosh ose disiplinosh. Shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ndëshkoj, Ndëshkues”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org)
Mëshira dhe falja e Zotit
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto fragmente është se Zoti e paralajmëron me mëshirë popullin për pasojat e mëkatit dhe i fal ata që pendohen.
Profeti Jozef Smith (1805–1844) dëshmoi se “të gjitha janë brenda sferës së veprimit të mëshirës falëse” (“Fjalim, 3 tetor 1841, të botuar në Times and Seasons”, f. 577, josephsmithpapers.org).
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria për natyrën e mëshirshme dhe falëse të Zotit në mënyrën si ndihemi për mëkatet tona dhe pendimin?
Është e rëndësishme të kuptohet se, ndonëse Zoti është i mëshirshëm, Ai është gjithashtu përsosurisht i drejtë. Ai nuk i shpërfill ose nuk i konsideron pasojat e mëkateve tona. Por për shkak se Shpëtimtari pagoi për mëkatet tona në Shlyerjen e Tij dhe “plotës[oi] kërkesat e drejtësisë” (Mosia 15:9), Ai na ofron falje kur pendohemi.
-
Si mund të ndikojë njohuria për drejtësinë dhe mëshirën e përsosur të Zotit në marrëdhënien tënde me Të?
Përfytyroje ndryshimin që një kuptueshmëri më e thellë për Zotin mund të sillte te gruaja për të cilën Presidenti Nelson foli në fillim të mësimit. Përgatite një shpjegim për të duke bërë sa vijon:
Presidenti Nelson tregoi se çfarë ndodhi me këtë grua. Shikoje “Repentance and Conversion” [“Pendimi dhe Kthimi në Besim”] nga kodi kohor 0:50 deri në 1:27, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org ose lexoje thënien vijuese.
“Ndërsa fliste, filloi të dukej ëmbëlsia e shpirtit të saj. Me lutje të përlotur, na pyeti nëse kishte për të ndonjë shpresë, ndonjë mënyrë për të dalë jashtë batakut të saj të pashpresë.
‘Po’, iu përgjigjëm, ‘ka shpresë. Shpresa lidhet me pendimin. Ju mund të ndryshoni. Ju mund “[të vini] te Krishti dhe [të] përsos[eni] në të”’ [Moroni 10:32].’ E nxitëm të mos e shtynte për më vonë [shih tek Alma 13:27, 34:33]. Ajo qau me përulje dhe na falënderoi sinqerisht.” (Russell M. Nelson, “Repentance and Conversion”, Liahona, maj 2007, f. 102)
Mësimi i radhës do të përqendrohet te pendimi dhe se si mund ta kapërcejmë çdo pengesë me të cilën përballemi për pendimin tonë.
Shpenzo kohë për të përsiatur me sinqeritet se si të kuptuarit më mirë të Zotit mund të të ndihmojë kur ke mëkatuar. Shkruaje atë që mësove dhe ndjeve se ishte më kuptimplotë për ty dhe përse. Mendo se si të kuptuarit më mirë të natyrës së mëshirshme dhe falëse të Zotit dhe pendimi i shpeshtë mund të sjellin më tepër paqe në jetën tënde.
Merre parasysh t’ia tregosh atë që mësove dhe ndjeve sot dikujt që ti e do.