“3 Nefi 24: Ligji i Zotit për të Dhjetën”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 24”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 24
Ligji i Zotit për të Dhjetën
Çfarë na ka premtuar Zoti nëse e paguajmë të dhjetën? Shpëtimtari i përdori fjalët e Malakias për t’u dhënë mësim nefitëve rreth ligjit të së dhjetës dhe bekimeve të të jetuarit të këtij urdhërimi. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë për ta paguar të dhjetën.
Përvojat e tua
Lexoji skenarët vijues duke kërkuar ata që duken më të përshtatshëm për ty ose të rinjtë në zonën tënde:
-
Arbri po kursen para për një telefon. Atij nuk i shkon në mendje ta paguajë të dhjetën.
-
Erisa e ka paguar gjithmonë të dhjetën kur ishte e re, por tani që ka një punë dhe fiton më shumë para, është bërë më e vështirë që ta bëjë këtë.
-
Megi ia jep të gjitha paratë që fiton familjes së saj për ta ndihmuar. Ajo e pyet veten nëse duhet ta paguajë të dhjetën ndërkohë që familjes së saj i duhen paratë.
-
Edi nuk fiton para, prandaj e pyet veten se si ose nëse ligji i së dhjetës është i zbatueshëm për të.
-
Cilat situata ndien se janë më të përshtatshme? Përse?
-
Çfarë pyetjesh ose shqetësimesh mund të kenë të rinjtë rreth së dhjetës?
Mendo për përvojat dhe kuptueshmërinë tënde për të dhjetën. A e paguan të dhjetën, apo a je i gatshëm ta paguash të dhjetën? Përse po ose përse jo? Çfarë ke mësuar nga përvojat e tua me të dhjetën? Teksa e studion këtë mësim, kërkoje udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë për të të ndihmuar që t’i bindesh këtij ligji.
Ligji i Zotit për të dhjetën
Ndërkohë që u dha mësim nefitëve, Jezusi i urdhëroi ata t’i shkruanin fjalët që Malakia i kishte shënuar rreth 400 vjet më parë. Malakia profetizoi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit dhe për rolin e Shpëtimtarit në gjykimin e të ligut (shih te 3 Nefi 24:1–6).
Lexo tek 3 Nefi 24:7, duke e kërkuar problemin me të cilin u përballën njerëzit në kohën e Malakias.
-
Çfarë ngjashmërie mund të kenë pasur nefitët me njerëzit në kohën e Malakias?
-
Çfarë u premtoi Zotit njerëzve nëse ata do të ktheheshin tek Ai?
Për t’i nxitur njerëzit të ktheheshin te Zoti dhe të përgatiteshin për ardhjen e Tij, Zoti, nëpërmjet Malakias, u dha mësim rreth së dhjetës.
Lexo tek 3 Nefi 24:8–12 dhe merre parasysh ta shenjosh atë që Zoti dha mësim rreth ligjit të së dhjetës. Vër re që “gllabëruesi” (vargu 11) mund të nënkuptojë edhe insektet e dëmshme, thatësirat ose përmbytjet, madje edhe Satanin.
-
Çfarë të bie në sy nga këto vargje?
-
Si mund të jetë i ngjashëm refuzimi për të paguar të dhjetën me vjedhjen e Perëndisë?
-
Si mund ta përfundosh fjalinë vijuese: “Nëse i bindemi ligjit të Zotit për të dhjetën …”?
Këtu është një mënyrë se si mund ta kesh përfunduar fjalinë: Nëse i bindemi ligjit të Zotit për të dhjetën, Ai do t’i derdhë bekimet e Tij mbi ne.
Ka të ngjarë që në kohën e Malakias dhe në kohën e nefitëve shenjtorët ta kenë paguar të dhjetën duke dhënë një të dhjetën e ushqimit ose mallrave të tyre. Sot “anëtarët e Kishës ia japin një të dhjetën e të ardhurave të tyre Zotit nëpërmjet Kishës së Tij. Këto fonde përdoren për të ndërtuar Kishën dhe për ta çuar më tej punën e Zotit anekënd botës” (Gospel Topics, “Tithing”, topics.ChurchofJesusChrist.org). Nëse dikush nuk ka të ardhura, atij nuk i kërkohet ta paguajë të dhjetën, megjithëse duhet të jetë i gatshëm ta bëjë në të ardhmen.
Zoti përdori fraza të fuqishme dhe të gjalla kur foli rreth së dhjetës: “Më provoni [ose më vini në provë] … në qoftë se nuk do t’u hap dritaret e qiellit dhe nuk do të derdh një bekim, që nuk do të ketë mjaft vend për ta mbajtur” (3 Nefi 24:10).
-
Çfarë mendon se po theksonte Zoti duke i përdorur fjalët dhe frazat që përdori? Çfarë mëson rreth Tij?
Zbatimi në planin vetjak
Mendo për atë që ke mësuar dhe ndier sot ndërsa e lexon thënien vijuese nga Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:
“Pagimi i ndershëm i së dhjetës është shumë më tepër sesa një detyrë; është një hap i rëndësishëm në procesin e shenjtërimit shpirtëror. Atyre prej jush që e paguani të dhjetën tuaj, ju përgëzoj.
Atyre prej jush që tashmë nuk po i bindeni ligjit të së dhjetës, ju ftoj t’i merrni parasysh rrugët tuaja dhe të pendoheni. Ju dëshmoj se nëpërmjet bindjes suaj ndaj këtij ligji të Zotit, pragjet e qiellit do të hapen për ju.” (Dejvid A. Bednar, “Pragjet e Qiellit”, Liahona, nëntor 2013, f. 20)