Seminari
Ethëri 6: Jareditët Udhëtojnë për në Tokën e Premtuar


“Ethëri 6: Jareditët Udhëtojnë për në Tokën e Premtuar”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 6

Jareditët Udhëtojnë për në Tokën e Premtuar

Maune jaredite duke u lëkundur nga dallgët

Imagjino se si mund të jenë ndier jareditët kur hynë në maunet e tyre dhe i kaluan ujërat e paana ndërsa udhëtonin drejt tokës së premtuar. Megjithëse udhëtimi i tyre ishte i gjatë dhe i vështirë, jareditët e dalluan se Zoti po i ndihmonte gjatë rrugës. Zoti mund të na ndihmojë edhe ne gjatë udhëtimit tonë përgjatë vdekshmërisë dhe sërish në praninë e Atit Qiellor. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i krahasosh shkrimet e shenjta në mënyrë që të mësosh të vërteta që mund të të ndihmojnë gjatë udhëtimit të jetës sate.

Udhëtimi i jetës

Jeta jonë në vdekshmëri mund të krahasohet me një udhëtim të gjatë, vendmbërritja e dëshiruar e të cilit është jeta e përjetshme. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj “Unë” në njërën anë të faqes dhe “Jeta e përjetshme” në anën tjetër. Në hapësirën ndërmjet këtyre dy krerëve, shkruaj disa nga pengesat që mund të dalin gjatë udhëtimit tonë, që na e bëjnë të vështirë të kthehemi në mënyrë të denjë tek Ati Qiellor. Më pas mendo se si po shkon udhëtimi yt drejt jetës së përjetshme dhe me cilën prej pengesave të përcaktuara po përballesh aktualisht.

Sot ti do të studiosh rreth udhëtimit që bënë jareditët për në tokën e premtuar pasi mbaruan ndërtimin e mauneve të tyre. Ndërsa studion, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë t’i kapërcesh pengesat me të cilat përballesh në udhëtimin tënd të kthimit në praninë e Perëndisë.

Krahasimi i shkrimeve të shenjta me jetën tënde

Hapat vijues mund të të ndihmojnë ta krahasosh atë që do të lexosh në shkrimet e shenjta me rrethanat e tua vetjake. Në ditarin tënd të studimit, shkruaj kreun “Mënyrat për t’i krahasuar shkrimet e shenjta me jetën time”. Shënoji këta hapa poshtë kreut.

  1. Gjej hollësi të rëndësishme.

  2. Bëj krahasime.

  3. Zbulo mësime të vyera.

  4. Përcakto zbatimin në planin vetjak.

Hapi 1: Gjej hollësi të rëndësishme

Lexo tek Ethëri 6:1–3, duke kërkuar hollësi të rëndësishme. Këto hollësi mund të përfshijnë njerëz, vende, sende ose veprime që theksohen.

Një hollësi e rëndësishme që mund ta kesh vënë re është se Zoti bëri që gurët që vëllai i Jaredit i kishte sjellë më parë tek Ai (shih tek Ethëri 3:1–6) të ndriçonin në mënyrë që jareditët të kishin dritë në maunet e tyre.

Hapi 2: Bëj krahasime

Mendo se si hollësitë që përcaktove në hapin e mëparshëm mund të krahasohen me diçka shpirtërore ose me situata në jetën tënde.

  • Çfarë krahasimesh mund të bësh me hollësitë që përcaktove në hapin e mëparshëm?

Për shembull, ti mund t’i kesh krahasuar gurët e ndritshëm me burimet e dritës shpirtërore me të cilat Ati Qiellor na ka bekuar, si mësimet dhe shembulli i Jezu Krishtit, Fryma e Shenjtë, shkrimet e shenjta dhe profetët e gjallë. (Shih te Psalmeve 119:105; Gjoni 8:12 dhe 1 Nefi 17:13. Mund t’i lidhësh si referencë-kryq këto vargje me vargun tek Ethëri 6:3.)

Hapi 3: Zbulo mësime të vyera

Mendo se çfarë mësimesh ose të vërtetash mëson ndërsa i krahason këto vargje me jetën tënde ose me diçka shpirtërore. Gjithashtu, merre parasysh atë që mëson rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  • Cilat janë disa mësime ose të vërteta që ti i mëson nga këto vargje? Çfarë gjen që mund të të ndihmojë në jetën tënde të përditshme?

Një e vërtetë që mund të mësojmë është se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na japin udhërrëfim dhe dritë për të na ndihmuar gjatë udhëtimit tonë përgjatë vdekshmërisë.

Hapi 4: Përcakto zbatimin në planin vetjak

Reflekto se si mund t’i zbatosh në jetën tënde mësimet që përcaktove në hapin e mëparshëm.

  • Çfarë mund të bësh për ta ndjekur ose për të marrë më shumë nga drita e Perëndisë në jetën tënde?

Mund të kesh menduar për veprime si përmirësimi i studimit tënd të shkrimeve të shenjta, të kërkuarit me lutje të udhërrëfimit nga Ati Qiellor në vendimet e tua të përditshme, ose përpjekja më e zellshme për ta mbajtur Frymën e Shenjtë si shoqëruesin tënd të përhershëm.

Ushtroje krahasimin e vargjeve të tjera nga ky rrëfim

Maune jaredite

Studioje pjesën tjetër të rrëfimit të udhëtimit të jareditëve drejt tokës së premtuar duke lexuar tek Ethëri 6:4–12. Kërko më shumë mënyra se si udhëtimi i jareditëve mund të lidhet me udhëtimin tënd përgjatë jetës. Ndërsa studion, ushtroje përdorimin e procesit me katër hapa për krahasimin e shkrimeve të shenjta.

Kushtoji vëmendje të veçantë asaj që të japin mësim këto vargje rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

  1. Përgjigju për pyetjet vijuese:

    • Çfarë hollësish të rëndësishme përcaktove nga ajo që studiove?

    • Cilat janë disa krahasime që bëre mes atyre hollësive dhe aspekteve nga jeta jote?

    • Cili është një ose më shumë mësime që mësove rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga këto vargje?

    • Cila është një gjë nga këto vargje që do të përpiqesh fort ta zbatosh në jetën tënde?