“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10: Libri i Mormonit; 1 Nefi–Moroni”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10
Libri i Mormonit; 1 Nefi–Moroni
Reflektimi për të mësuarit tënd shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të të ndihmojnë të afrohesh më pranë Shpëtimtarit dhe ta forcosh kthimin tënd në besim. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vlerësosh ecurinë dhe rritjen që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Librit të Mormonit këtë vit.
Studimi yt për Librin e Mormonit
Gjatë vitit të shkuar në seminar, ti ke studiuar: Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.
Në këtë mësim, ti do të kesh mundësinë ta shpjegosh një pjesë të asaj çfarë mësove dhe ndjeve, dhe të vlerësosh se si Libri i Mormonit të ka ndihmuar të bëhesh më i kthyer në besim te Jezu Krishti.
Si ndihesh rreth Librit të Mormonit?
Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të mendojmë për tri pyetje që lidhen me Librin e Mormonit:
“Së pari, si do të ishte jeta juaj pa Librin e Mormonit? Së dyti, çfarë nuk do të dinit? Dhe së treti, çfarë nuk do të kishit?” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)
Çfarë kupton rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Presidenti Rasëll M. Nelson e përshkroi njërin prej roleve kyç të Librit të Mormonit:
“Diçka e mrekullueshme ndodh kur një fëmijë i Perëndisë kërkon të dijë më shumë rreth Tij dhe Birit të Tij të Dashur. Askund tjetër nuk jepen mësim më qartë dhe më fuqishëm këto të vërteta sesa në Librin e Mormonit.” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)
Ndalu një çast për të reflektuar mbi atë që ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa e ke studiuar Librin e Mormonit këtë vit. Mund t’i shqyrtosh shkrimet e tua të shenjta dhe ditarin e studimit për të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që mund t’i kesh shenjuar ose për të cilat të kesh bërë shënime gjatë vitit. Në ditarin tënd të studimit, rendit tri ose katër të vërteta që ishin veçanërisht kuptimplota për ty.
Gjej të paktën një fragment të shkrimit të shenjtë që e mbështet secilën të vërtetë që rendite në ditarin tënd të studimit. Shkruaje referencën e shkrimit të shenjtë pranë secilës të vërtetë dhe shpjegoje se si mund ta përdorësh fragmentin e shkrimit të shenjtë për ta dhënë mësim atë të vërtetë.
Nëse është e nevojshme, mund t’i shqyrtosh disa prej fragmenteve vijuese të shkrimit të shenjtë:
Si ka ndikuar Libri i Mormonit në mënyrën se si ti e jeton jetën tënde?
Lexoje thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844), duke kërkuar atë që ai dha mësim rreth fuqisë së Librit të Mormonit:
“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga çdo libër mbi tokë dhe guri kyç i fesë sonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur parimeve të tij, sesa të ndonjë libri tjetër.” (Hyrje në Librin e Mormonit; shih edhe History of the Church, 4:461)
T’iu “bindesh parimeve të tij” do të thotë t’i jetosh parimet dhe mësimet që përmbahen në Librin e Mormonit. Reflekto për disa çaste se si mendimet, qëndrimet ose veprimet e tua janë ndikuar për shkak të asaj që ke mësuar nga Libri i Mormonit.