Seminari
Alma 47–48: Amalikia dhe Lehonti


“Alma 47–48: Amalikia dhe Lehonti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 47–48”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 47–48

Amalikia dhe Lehonti

person duke qëndruar në majë të malit

A ke dëgjuar ndonjëherë dikë të thotë: “Një herë e vetme nuk të lëndon”, “Gjë e vogël është” ose “Nuk është aq keq”? Kur vendosim t’i dorëzohemi tundimeve të Satanit qoftë edhe pak, i japim atij fuqi mbi ne. Tek Alma 47, ne mësojmë për një njeri të quajtur Lehonti, i cili i lëshoi pak pe armikut të tij dhe e gjeti veten në rrethana shumë të rrezikshme dhe madje vdekjeprurëse. Ky mësim mund të të ndihmojë t’u bësh ballë përpjekjeve të Satanit për të fituar fuqi mbi ty.

Ndihmojini nxënësit të jenë aktivë në procesin e të mësuarit. Ndërsa jepni mësim, kërkoni mënyra për t’i ndihmuar nxënësit të jenë aktivë në procesin e të mësuarit. Për shembull, bëni pyetje të hapura që nxitin përgjigje të matura, dhe krijoni veprimtari që nxitin përfshirjen, si vizatimi ose të shkruarit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë te 2 Nefi 28:7–8, 21–22 dhe të mendojnë për shembujt se si Satani i përdor këto taktika në kohën tonë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Karremat

Përpara se të jepni shpjegimin vijues, merreni parasysh të tregoni një figurë të një kallami peshkimi me një karrem dhe t’u kërkoni nxënësve ta tregojnë atë që dinë rreth qëllimit të përdorimit të një karremi për peshkim.

kallam peshkimi dhe karrem

Karremi i peshkimit është një lloj mjeti mashtrimi që përdoret për të kapur peshk. Karremi tërheq vëmendjen e peshkut dhe mund ta joshë peshkun që të përpiqet ta kafshojë atë. Dhe pasi peshku zihet në grep, ai mund të kapet.

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi ngjashmëritë ndërmjet karremave të peshkimit dhe tundimeve të Satanit.

16:55
  • Cilët janë disa nga karremat që Satani përdor për të na joshur që të mëkatojmë?

    Nxënësit mund të përcaktojnë mënyra se si Satani përpiqet t’i bëjë tundimet e tij të duken tërheqëse, të tilla si të ofrojë kënaqësi ose popullaritet të përkohshëm, ose të na bëjë të ndihemi sikur nuk ka rrezik kur mëkaton.

  • Përse do të doje t’u bëje ballë këtyre karremave?

  • Çfarë mund ta bëjë të vështirë bërjen ballë të tundimit?

Mund të të kujtohet se Amalikia dhe një grup dezertorësh nefitë kërkuan ta përmbysnin lirinë e nefitëve dhe ta shkatërronin kishën e Perëndisë (shih tek Alma 46:10). Pasi u ndalua nga Moroni dhe nefitët e tjerë, Amalikia ia mbathi te lamanitët dhe u përpoq ta ndizte zemërimin e tyre kundër nefitëve (shih tek Alma 46:29–33; 47:1).

Sot ti do të mësosh rreth përpjekjeve të mëtejshme të Amalikias për të fituar fuqi. Shumë nga taktikat e tij janë të ngjashme me taktikat që Satani i përdor kundër nesh sot. Ndërsa studion, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë t’i shmangësh karremat që përdor Satani në përpjekjet e tij për të të lënduar.

Amalikia kërkon të bëhet mbreti i lamanitëve

Mund të jetë e dobishme t’i drejtoni nxënësit te hapat për krahasimin e shkrimeve të shenjta që i mësuan tek mësimi “Alma 43, 48–50”. Nxënësit mund ta ushtrojnë përdorimin e këtyre hapave ndërsa e studiojnë këtë rrëfim.

Lexo tek Alma 47:1–8 dhe kërko se cilat ishin planet e Amalikias ndërsa shkoi mes lamanitëve.

  • Çfarë bëri Amalikia për të fituar ndikim dhe fuqi mes lamanitëve?

  • Ku ngjasojnë qëllimet Amalikias me të Satanit? (Shih te 2 Nefi 26:22.)

  • Ku ndryshojnë qëllimet e Atit Qiellor për ty nga ato të Satanit? (Shih te Moisiu 1:39.) Përse është e rëndësishme kjo për t’u mbajtur mend?

Grupi i lamanitëve që refuzuan të shkonin në betejë kundër nefitëve u udhëhoqën nga një njeri i quajtur Lehonti.

Lexo tek Alma 47:9–12, duke kërkuar atë që Amalikia donte që të bënte Lehonti.

Merreni parasysh ta vizatoni diagramin vijues në tabelë për t’i ndihmuar nxënësit ta përfytyrojnë situatën që përshkruhet në këto vargje.

Pasi të lexoni vargun 11, ju mund të bëni pyetjen: “Përse mund të kishte qenë e pamatur të zbritnin në rrëzë të malit për t’u takuar me Amalikian?” Më pas nxënësit mund të lexojnë vargun 12 dhe të kërkojnë atë që bëri Amalikia ndryshe herën e katërt që u përpoq ta joshte Lehontin për t’u takuar me të.

Për ta ilustruar qasjen e ndryshme të Amalikias, ju mund të shtoni shigjeta në diagramin në tabelë për të treguar Amalikian që shkoi pothuajse në majë të malit, si edhe kërkesën e tij që Lehonti të zbriste vetëm pak.

paraqitje e Lehontit dhe Amalikias në Malin Antipas
  • Cilat janë disa arsye pse Lehonti mund të kishte marrë parasysh ta pranonte ftesën përfundimtare të Amalikias te vargu 12?

  • Çfarë do t’i kishe thënë Lehontit nëse do të kishe qenë në ushtrinë e tij dhe ai do të të kishte kërkuar këshillë rreth mënyrës se si të takohej me Amalikian? Përse?

Lexo tek Alma 47:13–19, duke kërkuar se si Lehonti iu përgjigj përpjekjeve shtesë nga Amalikia dhe çfarë ndodhi si rrjedhojë e saj.

  • Në ç’mënyra qenë taktikat e Amalikias të ngjashme me taktikat që përdor Satani për të na shkatërruar? (Nëse është e nevojshme, shih te 2 Nefi 28:7–8, 21–22.)

Në përgjigje të pyetjes së mëparshme, nxënësit mund të vënë në dukje se Satani është këmbëngulës, mashtrues, dinak dhe i pamëshirshëm. Si Amalikia, Satani mund të kërkojë të na mbushë mendjen t’i ulim gradualisht standardet tona dhe ta vendosim veten në rrethana që na bëjnë të cenueshëm ndaj sulmeve të tij. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë frazën “zbriste/zbriste poshtë” kudo që shfaqet tek Alma 47:10–13. Cila është një e vërtetë që ju e mësoni nga ky rrëfim rreth rrezikut të dorëzimit ndaj tundimeve të Satanit, qoftë edhe pak?

Lufta jote kundër Satanit

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se nëse i dorëzohemi tundimeve të Satanit qoftë edhe pak, ne i japim atij ndikim më të madh për të na çuar në rrugën e gabuar.

Mendo se si e ke parë këtë të vërtetë të demonstrohet në jetën tënde ose në jetën e të tjerëve. Veprimtaria vijuese mund të të ndihmojë të përcaktosh disa mënyra se si Satani mund të përpiqet të të bëjë të cenueshëm ndaj tundimeve të tij dhe mënyrat se si Shpëtimtari mund të ndihmojë për t’u mbrojtur kundër atyre tundimeve.

Merreni parasysh ta bëni këtë veprimtari në tabelë si klasë. Përndryshe, mund t’i paraqitni udhëzimet për veprimtarinë dhe t’i vendosni nxënësit në grupe të vogla për ta punuar së bashku. Secili grup mund t’ia tregojë më pas figurën e tij klasës.

Për t’i përgatitur nxënësit për këtë veprimtari, ju mund të përdorni thëniet e materialit filmik nga Motra Elen S. Dalton dhe Presidenti Henri B. Ajring te pjesa “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

  • Hapi 1: Vizato një adoleshent duke qëndruar në majë të një mali. Në rrëzë të malit, rendit tundimet ose taktikat që përdor Satani për t’u përpjekur që të na “zbr[esë] poshtë” pak në mënyrë që të mund të fitojë fuqi mbi ne. Sigurohu që të lësh hapësirë ndërmjet adoleshentit dhe tundimeve që rendit në mënyrë që të kesh hapësirë për hapin 2.

  • Hapi 2: Në majë të malit, rendit disa nga burimet ose mësimet që Zoti na ka dhënë që mund të na mbrojnë kundër tundimeve të Satanit. (Për disa shembuj, merre parasysh t’i studiosh disa nga vargjet vijuese: 1 Nefi 15:24; Helamani 5:12; Doktrina e Besëlidhje 10:5; 11:12–13; 20:22; 87:8.)

Bëj një plan

Mendo se si të vërtetat që ke studiuar sot gjejnë zbatim në jetën tënde. Merre parasysh t’i mbash shënim përgjigjet e tua për pyetjet vijuese:

Paraqitini pyetjet e mëposhtme dhe jepuni nxënësve kohë për t’i mbajtur shënim përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.

  • Kur u ke bërë ballë tundimeve të Satanit duke përdorur mjetet që të ka siguruar Zoti?

  • Si do të përpiqesh për ta kërkuar më mirë ndihmën e Perëndisë për t’u bërë ballë tundimeve të Satanit?

Ftoni vullnetarë t’i tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjen e parë. Përmendni se ata nuk duhet të tregojnë ndonjë gjë tepër vetjake ose të shenjtë.

Nxitini nxënësit t’u bëjnë ballë tundimeve të Satanit duke vepruar sipas mendimeve dhe mbresave që renditën në ditarët e tyre. Dëshmoni për fuqinë e Shpëtimtarit për t’i ndihmuar ata.