Seminari
Alma 45–46: Moroni Ngre Lart Titullin e Lirisë


“Alma 45–46: Moroni Ngre Lart Titullin e Lirisë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 45–46”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 45–46

Moroni Ngre Lart Titullin e Lirisë

Pamja
Moroni me titullin e lirisë

Kur Moroni dëgjoi për mosmarrëveshjet mes popullit të tij të shkaktuara nga Amalikia, ai u zemërua. Ai hartoi titullin e lirisë dhe në të renditi gjëra të rëndësishme që populli i tij t’i kujtonte gjithmonë. Fjalët e Moronit i frymëzuan njerëzit ta forconin zotimin e tyre ndaj Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kuptosh mënyrat se si mund ta tregosh zotimin tënd ndaj Perëndisë.

Ndihmojini nxënësit ta kujtojnë Zotin. Të kujtuarit e Zotit dhe mirësisë së Tij është një temë e vazhdueshme gjatë gjithë Librit të Mormonit (shihni te 2 Nefi 10:2; Jakobi [LiM] 6:4; Moroni 10:3). Ftojini nxënësit të marrin pjesë në veprimtaritë e të mësuarit që do t’i ndihmojnë ta kujtojnë Jezu Krishtin dhe të reflektojnë mbi atë se si Ai i ka bekuar dhe forcuar ata.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të gjërave që i frymëzojnë ose u kujtojnë t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mos harro

Paraqitini pyetjet e mëposhtme. Nxënësit mund t’u përgjigjen atyre me një partner ose në një grup të vogël. Ju mund të tregoni edhe një shembull vetjak nga jeta juaj.

  • Kur ke harruar diçka të rëndësishme? Çfarë ndodhi si rrjedhojë e saj?

  • Cilat janë disa gjëra që nuk do që t’i harrosh asnjëherë? Përse?

Sot do të mësosh rreth një kohe kur nefitët nuk arritën të kujtoheshin për Zotin, edhe pasi kishin përjetuar çlirim të mrekullueshëm nëpërmjet Tij. Nga studimi i kapitujve tek Alma 43–44 ti mund të kujtosh se Zoti i ndihmoi nefitët t’i mundnin lamanitët në një betejë pavarësisht se nefitët ishin shumë më të paktë në numër (shih tek Alma 43:51–54).

Lexo tek Alma 45:1, duke kërkuar se si reaguan nefitët pas kësaj fitoreje të mrekullueshme.

  • Çfarë gjete?

Gjatë kësaj kohe paqeje, i biri i Almës, Helamani, emëroi priftërinj dhe mësues mbi Kishën nëpër të gjithë vendin dhe e predikoi fjalën e Perëndisë me vëllezërit e Tij.

Lexo tek Alma 45:23–24; 46:1–5, 7–8, duke kërkuar se si njerëzit u përgjigjën ndaj këtyre mësimeve.

  • Çfarë të bën përshtypje rreth qëndrimeve dhe sjelljeve të nefitëve në këto vargje?

  • Cila është një e vërtetë që mund të mësojmë nga vargu 8 rreth asaj që mund të ndodhë kur e harrojmë Zotin?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Alma 46:8 është se kur e harrojmë Zotin, mund të shtyhemi më lehtësisht të bëjmë paudhësi.

Mendo se si ke parë prova të kësaj të vërtete në jetën tënde. Ndërsa vazhdon të studiosh sot, kërko mësime që mund të të ndihmojnë ta kujtosh Zotin më mirë dhe ta tregosh zotimin tënd ndaj Tij.

Moroni harton titullin e lirisë

Moroni ishte i zemëruar me Amalikian që i shkaktoi këto mosmarrëveshje mes nefitëve.

Lexo tek Alma 46:12–14, 19–20, duke kërkuar atë që bëri Moroni për t’i frymëzuar nefitët të ishin besnikë ndaj Perëndisë.

Përpara se t’i bëni pyetjet vijuese, merreni parasysh t’i renditni këto zëra nga vargu 12 në tabelë: Perëndi, fe, liri, paqe, familje (bashkëshorte dhe fëmijë).

  • Si mendon, pse zgjodhi Moroni t’i paraqiste këto fjalë që të tjerët t’i shihnin gjatë kësaj kohe të vështirë?

  • Në ç’mënyrë i sheh një ose më shumë nga këta zëra të harrohen ose mos theksohen në botë sot?

Ashtu si Moroni, udhëheqësit e Kishës në kohën tonë na kanë ftuar t’i mbajmë mend dhe t’i mbrojmë po këto vlera. Lexoji thëniet vijuese, duke kërkuar mësime bashkëkohore që lidhen me zërat e renditur në titullin e lirisë.

Shpërndajeni fletushkën vijuese dhe jepuni nxënësve kohë për t’i studiuar thëniet në të në mënyrë individuale ose me një partner.

Ose mund t’i shtypni thëniet në letër në mënyrë individuale dhe t’i paraqitni ato në muret nëpër dhomë. Çdo thënie mund të shtypet në letër ose të ngjitet në një figurë flamuri për t’u dukur si një titull lirie. Nxënësve mund t’u jepet kohë për të ecur nëpër klasë dhe për ta lexuar secilën thënie.

Mësime Bashkëkohore që Lidhen me Titullin e Lirisë

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024) – “Alma 45–46: Moroni Ngre Lart Titullin e Lirisë”

“Në kujtim të Perëndisë tonë”

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Ka shumë njerëz në botë që dinë fare pak për Jezu Krishtin, dhe, në disa pjesë të botës ku emri i Tij është shpallur ndër shekuj, besimi në Jezu Krisht po pakësohet. …

Kur bota flet më pak për Jezu Krishtin, le të flasim ne më shumë për Të. Kur bindjet tona të vërteta si dishepuj të Tij zbulohen, shumë përreth nesh do të jenë të përgatitur të dëgjojnë.” (Nil L. Andersen, “Ne Flasim për Krishtin”, Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 88, 90)

“Në kujtim të … fesë sonë”

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim:

“Nëse ndalojmë së vlerësuari kishat tona për çfarëdo arsyeje, ne kërcënojmë jetën tonë vetjake shpirtërore dhe numri i konsiderueshëm i atyre që shkëputen nga Perëndia, i pakëson bekimet e Tij për kombet tona.

Frekuentimi dhe aktivizimi në një kishë na ndihmojnë të bëhemi njerëz më të mirë dhe të jemi ndikim më i mirë në jetën e të tjerëve. Në kishë na mësohet se si t’i zbatojmë parimet fetare. Ne mësojmë nga njëri‑tjetri. …

… Lutem që të gjithë ne të jemi të palëkundur në këto përvoja të Kishës ndërsa kërkojmë jetën e përjetshme, më të madhen nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.” (Dallin H. Ouks, “Nevoja për një Kishë”, Liahona, nëntor 2021, f. 24, 26)

“Në kujtim të … lirisë sonë”

Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Çfarë është liria fetare?

Është liria e adhurimit në të gjitha format e saj: liria për t’u mbledhur, liria e fjalës, liria për të vepruar sipas bindjeve vetjake dhe liria që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Liria fetare e lejon secilin prej nesh të vendosë vetë se çfarë besojmë, si jetojmë e si veprojmë sipas besimit tonë dhe se çfarë pret Perëndia prej nesh. …

Ju ftoj ta mbroni kauzën e lirisë fetare. Ajo është shprehje e parimit të lirisë së zgjedhjes të dhënë nga Perëndia.

Liria fetare i sjell në ekuilibër filozofitë konkurruese. E mira e fesë, shtrirja e saj dhe veprat e përditshme të dashurisë që feja frymëzon, shumëfishohen vetëm kur e mbrojmë lirinë për t’u shprehur dhe për të vepruar sipas bindjeve bazë.” (Ronald A. Rasband, “Për të Shëruar Botën”, Liahona, maj 2022, f. 91, 93)

“Në kujtim të … paqes sonë”

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Shëruesi i çdo plage, Ai i cili e ndreq çdo gabim, kërkon prej nesh që të punojmë me Të në detyrën e vështirë të paqebërësit në një botë që nuk do ta gjejë atë në ndonjë mënyrë tjetër. …

… Ju kërkoj të jeni paqebërës – ta doni paqen, ta kërkoni paqen, ta krijoni paqen dhe ta çmoni paqen. E bëj atë thirrje në emër të Princit të Paqes.” (Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2018, f. 79)

“Në kujtim të … [familjeve] tona”

Motra Boni L. Oskarson, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim:

“Çdonjëra, pavarësisht nga rrethana e saj martesore apo numri i fëmijëve, mund të jetë mbrojtëse e planit të Zotit të përshkruar në proklamatën mbi familjen. Nëse është plani i Zotit, ai duhet të jetë edhe plani ynë! …

… Le të ndihmojmë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë duke u ngritur në këmbë me guxim dhe duke u bërë mbrojtëse të martesës, prindërimit dhe të shtëpisë. Zoti do që ne të jemi luftëtare trimëresha, të patundura dhe të palëvizshme, të cilat do ta mbrojnë planin e Tij dhe do t’ua japin mësim të vërtetat e Tij brezave të ardhshëm.” (Boni L. Oskarson, “Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 15, 17)

Ftojini nxënësit të tregojnë se çfarë u bëri përshtypje nga këto thënie. Diskutoni për mënyrat specifike se si ata mund t’i kujtojnë dhe mbrojnë në një mënyrë si e Krishtit zërat e renditur në titullin e lirisë.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i kujtosh vlerat e renditura në titullin e lirisë?

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i mbrosh ato në një mënyrë si e Krishtit?

Ndikimi i titullit të lirisë

Pasi u kujtuan për këto të vërteta të rëndësishme nga Moroni, shumë nga nefitët bënë një besëlidhje që nuk do ta braktisnin kurrë Perëndinë dhe do të përpiqeshin fort për paqen (shih tek Alma 46:21–22, 28–31).

Lexo tek Alma 46:36–38, duke kërkuar se çfarë bëri Moroni për ta ndihmuar popullin e tij të kujtonte Perëndinë dhe gjëra të tjera të rëndësishme të renditura në titullin e lirisë.

  • Cilin nga zërat e renditur në titullin e lirisë e ndien se dëshiron ta kujtosh ose ta mbrosh më plotësisht në jetën tënde?

  • Çfarë është diçka që mund të bësh për ta mbajtur mend më mirë këtë temë ose për t’i mbrojtur bindjet e tua rreth saj?

Dëshmoni për të vërtetat e diskutuara sot. Nxitini nxënësit që të bëjnë përpjekje për ta nderuar dhe kujtuar Perëndinë dhe zërat e tjerë që renditen në titullin e lirisë.

Shtyp në Letër