Seminari
Ethëri 12:23–27: “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta”


“Ethëri 12:23–27: ‘Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 12:23–27”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 12:23–27

“Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta në Ta”

Moroni duke shkruar në fletë

Ndërsa Moroni vazhdoi ta përmblidhte librin e Ethërit, ai pati frikë se johebrenjtë do ta përqeshnin punën e tij për shkak të dobësisë së tij në të shkruar. Zoti iu përgjigj se, ndërsa vijmë tek Ai me përulësi dhe besim, Ai mund t’i kthejë gjërat tona të dobëta në të forta (shih tek Ethëri 12:27). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vish te Jezu Krishti për t’i mposhtur dobësitë nëpërmjet hirit të Tij.

Planifikoni veprimtari të të mësuarit që ftojnë shqyrtimin e vetvetes. Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit kërkon nxënie të vazhdueshme dhe përkushtim për të vepruar me besim. Planifikoni veprimtari të studimit që i lejojnë nxënësit ta vlerësojnë veten dhe të shohin se si zbatimi i parimeve të ungjillit mund ta bekojë jetën e tyre. Nxitini nxënësit të përpiqen fort t’i ndjekin nxitjet e Shpirtit ndërsa studiojnë.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë tek Ethëri 12:27 dhe të mendojnë për një dobësi në jetën e tyre që duan ta mposhtin me ndihmën e Shpëtimtarit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dobësia dhe pika e fortë

Ftojeni një nxënës të vijë përpara dhomës dhe të plotësojë një detyrë që do të kërkonte më shumë forcë fizike sesa ka ai ose ajo. Diskutojeni se si të zhvillohet forca e kërkuar për të qenë i suksesshëm në këtë detyrë.

Në vdekshmëri, ne të gjithë përballemi me dobësi. Ndonjëherë kjo mund të jetë shkurajuese. Në këtë mësim, ti do të mësosh rreth një modeli që Zoti ia mësoi Moronit që mund t’i shndërrojë dobësitë në pika të forta.

Shqetësimet e Moronit

Moronit iu dha detyra e përmbledhjes së rrëfimit të jareditëve dhe ai e dinte se ky rrëfim do të lexohej nga shumë njerëz në të ardhmen. Ndërsa e mbaroi përmbledhjen e tij, ai i shënoi disa nga mendimet e tij të fundit dhe i përfshiu shqetësimet dhe brengat e tij vetjake rreth asaj që iu kërkua të bënte.

Lexo tek Ethëri 12:23–25, duke kërkuar se çfarë shqetësimesh pati Moroni.

  • Për çfarë ishte Moroni veçanërisht i shqetësuar?

Merreni parasysh t’i diskutoni dhe t’i renditni si klasë disa nga dobësitë e zakonshme që kanë adoleshentët. Nxënësit mund të reflektojnë në heshtje dhe t’i shënojnë në ditarët e tyre të studimit disa nga dobësitë e tyre vetjake që do të donin t’i mposhtnin. Shpjegoni se nxënësit nuk duhet t’ia tregojnë klasës këto mendime vetjake.

Përgjigjja e Zotit ndaj Moronit

Lexo tek Ethëri 12:26–27, duke kërkuar mënyrën se si Zoti iu përgjigj shqetësimeve të Moronit.

Ethëri 12:27 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merre parasysh t’i shenjosh fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjesh me lehtësi. Do të kesh mundësi në mësimin e ardhshëm që ta ushtrosh zbatimin e doktrinës që jepet mësim në këtë fragment, për një pyetje ose situatë.

Ndihmojini nxënësit t’i analizojnë thëniet te vargu 27 që janë të renditura më poshtë. Mund t’i vini ata ta shkruajnë secilën nga frazat në tabelë në kuadrate të ndryshme. Mund të drejtoni një diskutim si klasë duke përdorur përmbajtjen më poshtë.

Përndryshe, mund t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i jepni secilit grup një copë letër. Vërini grupet t’i ndajnë fletët e tyre në katër katrorë. Në secilin katror, nxënësit mund të shënojnë njërën prej frazave nga vargu 27. Më pas, si grup, nxënësit mund të krijojnë pyetje që mund t’i ndihmojnë ata ta kuptojnë secilën frazë. Pasi t’i shënojnë pyetjet e tyre, ata mund t’i ndajnë frazat dhe secili të kërkojë përgjigje për pyetjet që i shënuan.

“Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre”

  • Çfarë mendon se do të thotë të vish te Krishti?

Disa përgjigje që mund të japin nxënësit mund të jenë bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve me Krishtin dhe zgjedhja për t’i ndjekur mësimet dhe shembullin e Tij.

Vër re që Zoti thotë se Ai do të na i tregojë dobësitë tona nëse vijmë tek Ai.

  • Përse është ky një bekim për ne?

Fjala dobësi në këtë frazë i referohet gjendjes sonë të rënë, që përfshin “gjëra të dobëta” individuale dhe paaftësinë tonë për të qenë të përsosur.

  • Çfarë mëson nga Ethëri 12:27 rreth arsyes përse Shpëtimtari dëshiron që ti ta dallosh dobësinë tënde?

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se dallimi me përulësi i kufizimeve dhe papërshtatshmërive tona mund të na çojë t’i bëjmë thirrje Atit Qiellor për ndihmë hyjnore. Është nëpërmjet hirit të Tij që Zoti mund ta kthejë dobësinë në forcë. (Shihni te 2 Korintasve 12:6–10; Ethëri 12:37.)

Nëse dëshironi, mund të jepni gjithashtu thënien nga Vëllai Daglas D. Holms në pjesën “Komente dhe Informacion për Rrethanat”.

Ftojini nxënësit të përsiatin në heshtje nëse Perëndia ua ka treguar kohët e fundit dobësinë e tyre. Sigurojini ata që ky është një tregues i mirë se ata po vijnë tek Ai.

“Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur”

Lexoji disa shembuj të individëve në shkrimet e shenjta që i dalluan dobësitë e tyre:

  • Si i ndihmoi dallimi i dobësive të tyre individët në këto rrëfime që të ishin të përulur?

  • Si mendon, përse Zoti dëshiron që të jemi të përulur?

“Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje”

  • Si mendon, çfarë do të thotë që hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të gjithë ata që përulen para Tij?

Nëse nxënësit e kanë të vështirë t’i përgjigjen pyetjes së mëparshme, merreni parasysh t’ua tregoni thënien vijuese nga Plaku Kevin S. Hamilton.

Plaku Kevin S. Hamilton, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi:

“Hiri … forcues e aftësues [i Jezu Krishtit] na jep fuqi për t’i kapërcyer të gjitha pengesat, të gjitha sfidat dhe të gjitha dobësitë teksa kërkojmë të ndryshojmë. …

Shpëtimtari e realizoi Shlyerjen e Tij të pafundme dhe të përjetshme që ne në fakt të mund të ndryshonim, të pendoheshim dhe të bëheshim më të mirë. Ne vërtet mund të lindim përsëri. Ne mund t’i mposhtim zakonet, varësitë dhe ‘prirje[n] [për] të bë[r]ë keq’ [Mosia 5:2].” (Kevin S. Hamilton, “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”, Liahona, maj 2022, f. 52)

Vër re se si populli i mbretit Beniamin e përjetoi hirin e Zotit te Mosia 4:3.

  • Kush tjetër në shkrimet e shenjta e demonstroi se hiri i Shpëtimtarit është i mjaftueshëm për të na ndihmuar t’i mposhtim dobësitë tona?

Disa shembuj që nxënësit mund t’i tregojnë mund të jenë Alma (shihni te Mosia 27:24–29) dhe bijtë e Mosias (shihni te Mosia 28:4).

“Në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta”

Plaku Hamilton vuri në dukje se “gjërat e dobëta” në këtë varg mund t’u referohen sjelljeve tona që janë dobësi.

“Teksa fillimisht e ndryshojmë natyrën tonë të rënë, dobësinë tonë, atëherë do të jemi në gjendje të ndryshojmë sjelljet tona, dobësitë tona.” (Kevin S. Hamilton, “Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”, Liahona, maj 2022, f. 51)

Për t’i ndihmuar nxënësit të mendojnë rreth asaj që kanë mësuar sot, ftojini ata ta bëjnë njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  1. Në një paragraf me të paktën tri fjali, shënoje atë që ke mësuar dhe dëshiron të kujtosh nga ky mësim.

  2. Në një paragraf me të paktën tri fjali, përshkruaje se si do ta zbatosh atë që ke mësuar sot.