“Ethëri 12:28–41: Jezu Krishti: ‘Burimi i të Gjithë Drejtësisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Ethëri 12:28–41”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Ethëri 12:28–41
Jezu Krishti: “Burimi i të Gjithë Drejtësisë”
Në varësi të asaj që kërkojmë, ne mund të gjejmë shumë të mira ose shumë të këqija në botë. Pasi mësoi për shkatërrimin e jareditëve dhe dëshmoi shkatërrimin e nefitëve, Moroni iu përgjërua të gjithë lexuesve të tij ta kërkonin Jezu Krishtin dhe bekimet që Ai ka për të ofruar. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për ta kërkuar Jezu Krishtin në jetën tënde.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Burime
Një burim përkufizohet si “burimi nga i cili del ose furnizohet diçka”, për shembull, “një burim uji që buron nga toka” (Merriam-Webster.com Dictionary, “burim”).
-
Nëse do të kishe mundësi të përdorje një burim mrekullibërës që do të të furnizonte me një fluks të vazhdueshëm të gjithçkaje që do të zgjidhje, çfarë do të doje që të prodhonte?
Vizato një figurë të shpejtë të një burimi që prodhon atë që zgjodhe dhe shpjegoje shkurtimisht se përse do ta doje atë.
Lexoje vargun tek Ethëri 12:28, duke kërkuar burimin të cilit iu referua Zoti pasi i dha mësim Moronit rreth aftësisë së Tij për t’i kthyer dobësitë tona në pika të forta.
-
Cili është burimi të cilit iu referua Zoti?
-
Çfarë të mëson ky varg rreth mënyrës se si ne vijmë te Krishti?
Një e vërtetë që na mëson ky varg është se besimi, shpresa dhe dashuria hyjnore na sjellin te Jezu Krishti, Burimi i të Gjithë Drejtësisë.
-
Përse është “Burimi [i] të Gjithë Drejtësisë” një titull i mirë për Jezu Krishtin?
-
Çfarë mendon ose ndien se buron vazhdimisht prej Tij?
-
Si mendon se zhvillimi i besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore na sjell te Jezusi?
Renditi disa nga shembujt që e ilustrojnë mënyrën se si Shpëtimtari është Burimi i të Gjithë Drejtësisë. Këta shembuj mund të vijnë nga shkrimet e shenjta, nga jeta jote ose nga jeta e njerëzve që ti njeh. Nëse ke nevojë për ndihmë për të menduar për një shembull, mund të lexosh rrëfimin e Shpëtimtarit te Marku 2:1–12 ose të shikosh materialin filmik “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi Fal Mëkatet dhe Shëron Një Njeri të Goditur nga Paraliza”] (2:57).
Përsiat se si këta shembuj ndikojnë në ndjenjat e tua ndaj Jezu Krishtit. Mendo për dëshirën tënde të tanishme për të ardhur te Jezu Krishti dhe për të marrë pjesë në drejtësinë që vjen prej Tij. A është dëshira jote aq e fortë sa do të doje të ishte? Përse po ose përse jo?
Ndërsa vazhdon të studiosh, kërko të vërteta rreth Jezu Krishtit që mund të ndikojnë në mënyrë pozitive në dëshirën dhe aftësinë tënde për të ardhur tek Ai dhe për të marrë pjesë në drejtësinë që ofron Ai.
Dhuratat që burojnë nga Krishti
Lexo tek Ethëri 12:29–37, duke kërkuar bekimet që u ofron Jezu Krishti atyre që vijnë tek Ai me besim, shpresë dhe dashuri hyjnore.
-
Çfarë bekimesh tha Moroni se vijnë nga kërkimi i Jezusit?
-
Cilin prej këtyre bekimeve ke përjetuar ti ose të tjerët ndërsa e ke kërkuar Shpëtimtarin?
-
Cilin prej këtyre bekimeve e pret me shumë padurim për ta marrë në të ardhmen? Përse?
Kërko Jezusin
Në fund të kapitullit tek Ethëri 12, Moroni tregoi një përvojë të shenjtë që pati. Lexo vargun 39 dhe përpiqu të imagjinosh se si mund të ketë qenë ajo përvojë për Moronin.
Lexoje dhe merre parasysh ta shenjosh ftesën e Moronit te vargu 41.
-
Pasi pati përvojën që ai e përshkroi te vargu 39, përse mendon se Moroni do të na e ofronte këtë ftesë?
Ashtu si Moroni, Plaku Melvin J. Ballard (1873–1939), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, pati një përvojë të shenjtë me Shpëtimtarin. Lexoje përshkrimin e tij të kësaj përvoje dhe provo sërish ta imagjinosh se si duhet të ketë qenë.
“E gjeta veten time një mbrëmje në ëndrrat e natës në atë ndërtesë të shenjtë, tempullin. Pas një periudhe lutjesh dhe gëzimi, më informuan se duhet të kem privilegjin të hyj në njërën nga ato dhoma, për të takuar një personazh të lavdishëm dhe, ndërsa hyra në dhomë, pashë, të ulur mbi një platformë të ngritur, qenien më të lavdishme që kishin soditur ndonjëherë sytë e mi ose që kisha imagjinuar ndonjëherë të ekzistonte në të gjitha botët e përjetshme.
Ndërsa iu afrova që të njiheshim, Ai u ngrit dhe eci drejt meje me krahët të shtrirë dhe më buzëqeshi ndërsa e tha butësisht emrin tim. Edhe sikur të jetoj një milion vjet, nuk do ta harroj kurrë atë buzëqeshje. Ai më mori në krahët e Tij dhe më puthi, më shtrëngoi pas kraharorit të Tij dhe më bekoi, derisa u duk sikur palca e kockave të mia po shkrinte! Pasi Ai përfundoi, rashë te këmbët e Tij dhe, ndërsa i lava me lotët dhe puthjet e mia, pashë shenjat e gozhdëve në këmbët e Shëlbuesit të botës. Ndjenja që pata në praninë e Atij që i ka të gjitha gjërat në duart e Tij, të të pasurit të dashurisë së Tij, përzemërsisë së Tij dhe bekimeve të Tij ishte e tillë që, nëse mund të marr atë për të cilën pata vetëm një parashikim, do ta jepja gjithçka që jam, gjithçka që shpresoj të jem ndonjëherë, për të ndier atë që ndjeva atëherë!
… E shoh Jezusin jo tani mbi kryq. Nuk e shoh ballin e Tij të shpuar me gjemba, as duart e Tij të copëtuara nga gozhdët, por e shoh Atë duke buzëqeshur, me krahët e shtrirë, duke na thënë ne të gjithëve: ‘Ejani tek unë!’” (Melvin J. Ballard, “I Know That He Lives”, Ensign, dhjetor 2014, f. 80)
-
Çfarë të bëri përshtypje më shumë nga përvoja e Plakut Ballard? Përse?
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash rreth Shpëtimtarit të sjellin në mend përvojat e Plakut Ballard dhe të Moronit?
Përsiat për atë që ke mësuar dhe ndier sot. Çfarë ndikoi më shumë në dëshirën tënde për ta kërkuar Jezusin në jetën tënde? Zotohu të veprosh sipas ndonjërës prej nxitjeve ose mbresave që ke pasur.