Seminari
Ethëri 13–15: Mposhtja e Zemërimit


“Ethëri 13–15: Mposhtja e Zemërimit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Ethëri 13–15”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Ethëri 13–15

Mposhtja e Zemërimit

Pamja
i ri i acaruar me babanë në sfond

Në dashurinë e Tij të madhe, Ati Qiellor na lejon të përjetojmë një sërë emocionesh në vdekshmëri, si dashuria, paqja, trishtimi dhe acarimi. Përjetimi i këtyre emocioneve na mundëson të mësojmë. Ndërsa jareditët vazhduan të rebeloheshin kundër Zotit, ata lejuan që emocionet e tyre t’i çonin në vendime që shkaktuan shkatërrimin e qytetërimit të tyre. Ky mësim mund të të ndihmojë ta mposhtësh tundimin për të vepruar me zemërim gjatë gjithë jetës sate.

Ftojini nxënësit të veprojnë sipas asaj që mësojnë. Jepuni nxënësve mundësi për të bërë një plan për të vepruar sipas asaj që kanë mësuar. Nxitini ata që t’i shkojnë deri në fund. Ndihmojini ata t’i shohin bekimet e të vepruarit sipas mënyrave të Krishtit.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përsiatin se çfarë do të thotë se Jezu Krishti është “Princ i paqes” (Isaia 9:6) dhe çfarë do të thotë për ne të jemi ndjekësit e Tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Pasojat e zemërimit

Lexoje ose shikoje rrëfimin vijues, të treguar nga Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018), për dy vëllezër që jetuan së bashku gjatë gjithë jetës së tyre.

“Shumë vite më parë, lexova këtë njoftim të Associated Press (Asoshiejtëd Pres), që kishte dalë në gazetë: ‘Një burrë i vjetër, në funeralin e vëllait të tij, me të cilin kishte përdorur bashkërisht, që prej viteve të maturisë së hershme, një kabinë të vogël sa një dhomë, afër Kanisteos në Nju-Jork, rrëfeu hapur se në vijim të një grindjeje, ata e kishin ndarë dhomën përgjysmë me një vijë me shkumës dhe asnjëri nuk e kishte kaluar vijën apo t’i kishte thënë një fjalë tjetrit që prej asaj dite – 62 vjet më parë.’ Thjesht mendoni për pasojat e atij zemërimi.” (Tomas S. Monson, “O Vëllai Im, Disiplino Ndjenjat e Tua”, Liahona, nëntor 2009, f. 68–69)

  • Çfarë mëson nga historia e Presidentit Monson për dy vëllezërit? Si mendon, përse ky mesazh është i rëndësishëm në botën sot?

Mendo rreth ndjenjave të tua dhe sa shpesh zemërohesh. Merre parasysh se në cilat rrethana mund të zemërohesh dhe se si ai zemërim mund të ndikojë në të menduarit, veprimet dhe marrëdhëniet e tua.

Një rrethanë delikate e shkatërruar nga zemërimi

Në kohën e profetit Ethër, njerëzit ishin shumë të ligj. Ethëri u detyrua të jetonte në një shpellë për t’u fshehur nga ata që kërkuan ta vrisnin. Ushtritë rivale ishin vazhdimisht në luftë. Njëra ushtri drejtohej nga një mbret i quajtur Koriantumri dhe tjetra drejtohej në periudha të ndryshme nga mospajtues të ndryshëm, përfshirë një njeri të quajtur Shared. Ethëri e paralajmëroi Koriantumrin të pendohej ose populli do të shkatërrohej.

Lexoji vargjet tek Ethëri 13:22–31, duke kërkuar për atë se si ndikoi zemërimi në veprimet e njerëzve.

  • Çfarë gjete?

Shkatërrimi i jareditëve ilustron rreziqet e mbajtjes së zemërimit. Koriantumri dhe ushtritë e tij arritën përfundimisht ta mundnin Sharedin. Por u ngritën të tjerë për t’i udhëhequr mospajtuesit, duke përfshirë Shizin. Pasi miliona nga njerëzit e tij ishin vrarë tashmë, Koriantumri u përpoq ta ndalonte gjakderdhjen duke i shkruar shumë letra Shizit duke kërkuar paqe.

Lexo tek Ethëri 15:5–6, 15–30, duke kërkuar për ndikimin që pati zemërimi i jareditëve mbi individët dhe grupet e njerëzve.

  • Në ç’mënyrë ndikoi zemërimi tek individët si Koriantumri, Shizi dhe të tjerët? Si ndikoi zemërimi i tyre te personat që i rrethonin?

Një e vërtetë që na mëson ky rrëfim është: zemërimi mund të na shtyjë të bëjmë zgjedhje që na lëndojnë ne dhe të tjerët.

Për shkak të natyrës së ndjeshme të pyetjes vijuese, më e mira do të ishte që nxënësit të reflektojnë në heshtje mbi të dhe t’i shenjojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.

  • A e ke parë ndonjëherë zemërimin të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet miqve, shokëve të skuadrës, anëtarëve të lagjes ose pjesëtarëve të familjes?

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi arsyen përse ne duhet të përpiqemi t’i mposhtim ndjenjat e zemërimit dhe grindjes:

“Jezusi ka kërkuar që ne të ‘jeto[jmë] së bashku në dashuri’ [Doktrina e Besëlidhje 42:45] pa ‘grindje mes [nesh]’ [3 Nefi 11:22]. ‘Ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi’, i paralajmëroi Ai nefitët [3 Nefi 11:29]. Njëmend, në një masë të madhe, marrëdhënia jonë me Krishtin do të përcaktohet – ose të paktën do të ndikohet – nga marrëdhënia jonë me njëri-tjetrin.” (Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”, Liahona, nëntor 2018, f. 78)

Ndihmojini nxënësit të mendojnë rreth mënyrës se si zemërimi mund të ndikojë në jetën e tyre dhe çfarë mund të bëjnë për ta mposhtur atë. Disa nga pyetjet vijuese mund të ndihmojnë.

  • Si mendon, përse marrëdhënia jonë me të tjerët ndikon në marrëdhënien tonë me Jezu Krishtin?

  • Çfarë e bën të vështirë shmangien e sjelljes me zemërim?

  • Si mund të na ndihmojë Jezu Krishti ta mposhtim zemërimin?

Për t’i ndihmuar nxënësit të krijojnë mënyra se si mund të kërkojnë ndihmën e Zotit për ta mposhtur zemërimin, mund t’i vini ata të plotësojnë njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese. Ata mund ta plotësojnë njërën mundësi si klasë dhe mundësinë tjetër në mënyrë individuale. Paraqitini udhëzimet që nxënësit t’i ndjekin.

Mundësia A. Shembulli i shpirtmirësisë së Shpëtimtarit

Studioje të paktën njërin shembull në jetën e Shpëtimtarit kur Ai mund të kishte reaguar me zemërim por zgjodhi të reagonte me dashuri dhe shpirtmirësi. Mund të studiosh Kryqëzimin e Tij (shih te Lluka 23:33–43) ose kur një grua e cila kreu shkelje kurore u soll tek Ai (shih te Gjoni 8:1–11).

Ftojini nxënësit të tregojnë se si ata mund ta ndjekin shembullin e Shpëtimtarit. Ata mund të mendojnë për një përvojë të kaluar kur vepruan me zemërim dhe të shënojnë në ditarët e tyre të studimit se si rezultati mund të kishte qenë ndryshe nëse do të kishin vepruar më shumë si Shpëtimtari.

Mundësia B. Ndjekja e shembullit të shpirtmirësisë së Shpëtimtarit

Për veprimtarinë vijuese, ndihmojini nxënësit të mbajnë mend të krijojnë skenarë të përshtatshëm.

Krijo një skenar imagjinar por realist ku dikush është i zemëruar me një person tjetër. Shto disa hollësi, duke përfshirë emrat dhe një arsye për zemërimin.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë skenarët e tyre në një fletë letër dhe t’i dorëzojnë. Ju mund t’i shqyrtoni shkurtimisht dhe më pas të lexoni disa nga skenarët, duke i ftuar nxënësit të sugjerojnë mënyra si të Krishtit për t’u përgjigjur.

Përndryshe, nxënësit mund të punojnë me një shok klase dhe të interpretojnë me role duke iu përgjigjur skenarëve të tyre.

Ftesë për ta shmangur zemërimin

Presidenti Rasëll M. Nelson, ka thënë: “Asnjëri prej nesh nuk mund t’i kontrollojë kombet, ose veprimet e të tjerëve, as pjesëtarët e vetë familjeve tona madje. Por ne mund të kontrollojmë veten” (“Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 97).

Bëj një plan për atë që mund të bësh për ta kontrolluar veten dhe mposhtur zemërimin. Plani yt mund të lidhet me mënyrën se si ti i trajton ose reagon ndaj njerëzve të caktuar. Mund të përfshijë mënyrat se si mund ta ndjekësh shembullin e Shpëtimtarit. Sigurohu të përfshish mënyra se si mund t’i drejtohesh Atit Qiellor për ndihmë hyjnore para ose gjatë situatave të vështira.

Jepni dëshminë tuaj se Shpëtimtari do t’i ndihmojë nxënësit ndërsa e kërkojnë ndihmën e Tij për shmangien dhe mposhtjen e zemërimit.

Shtyp në Letër