“14 Gusht. Si Mund të Gjej Gëzim Duke Ndjekur Shpëtimtarin? Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)
“14 Gusht. Si Mund të Gjej Gëzim Duke Ndjekur Shpëtimtarin?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
14 Gusht
Si Mund të Gjej Gëzim Duke Ndjekur Shpëtimtarin?
Psalmeve 1–2; 8; 19–33; 40; 46
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Si po gjejmë gëzim duke ndjekur Jezu Krishtin?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Kush ka nevojë për ndihmën tonë në lagjen e Kishës ose komunitetin tonë? Si mund t’i ndihmojmë ata?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin që të përgatitet për shërbim misionar?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Si mund të kontribuojmë në përpjekjet e lagjes sonë për të bërë punë për historinë familjare dhe punë në tempull?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Çfarë ju sjell gëzim? Njerëzit mund të thonë se ata gjejnë gëzim në kohën me miqtë dhe familjen, te një hobi i parapëlqyer ose madje thjesht te një ditë pa sprova. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë. Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij” (“Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, Liahona, nëntor 2016, f. 82). Shumë nga psalmet i bëjnë jehonë po këtij mesazhi: “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde” (Psalmeve 16:11).
Mendoni për disa nga sfidat me të cilat mund të përballen anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj. Si do t’i ndihmoni ata të kuptojnë se gëzimi i vërtetë vjen nga ushtrimi i besimit te Shpëtimtari – edhe gjatë kohëve të vështira? Përsiateni këtë pyetje ndërsa përgatiteni të jepni mësim. Kërkoni fragmente të ngjashme te libri i Psalmeve ose në mesazhin e Presidentit Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore”, që mund t’ia tregoni klasës ose kuorumit tuaj.
Mësoni së Bashku
Merrni parasysh t’i ftoni anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit tuaj të shqyrtojnë disa nga kapitujt në vijim: Psalmeve 1; 8; 19; 23; 27. Çfarë mësojmë nga këto psalme rreth asaj që na sjell gëzim? Më pas ju mund të përdorni një ose më shumë nga veprimtaritë në vijim për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë më mirë se gëzimi i vërtetë vjen nga ndjekja e Jezu Krishtit.
-
Ne të gjithë duam të gjejmë gëzim, por nevojitet të kuptojmë se çfarë sjell gëzim të vërtetë dhe çfarë faktikisht çon në hidhërim. Kërkojuni të rinjve dhe të rejave të tregojnë disa nga gjërat që u sjellin gëzim, dhe përse këto gjëra u sjellin gëzim. Shkruani në tabelë: “Njerëzit janë, që ata të mund të kenë gëzim” (2 Nefi 2:25). Më pas ftojini të rinjtë dhe të rejat, si individë ose grupe të vogla, të shqyrtojnë një ose më shumë nga shkrimet e shenjta te pjesa “Burime Mbështetëse” dhe ta renditin atë që gjejnë, që çon në gëzim. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “We Can Find Happiness” [“Ne Mund të Gjejmë Lumturi”] (ChurchofJesusChrist.org). Cilat janë disa mënyra se si njerëzit përpiqen të gjejnë gëzim që faktikisht çojnë në hidhërim? Si na ka sjellë gëzim Shpëtimtari?
-
Ne të gjithë njohim njerëz që përballen me sfida edhe pse po përpiqen të bëjnë më të mirën për ta jetuar ungjillin. Si mund t’i ndihmoni ata të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë se ne mund të gjejmë gëzim edhe kur jeta jonë po sfidohet? Ju mund t’u kërkoni atyre të shqyrtojnë mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Gëzimi dhe Mbijetesa Shpirtërore” ose mesazhin e Presidentit Stiven J. Land “Gjetja e Gëzimit në Krisht” (Liahona, nëntor 2020, f. 35–37). Çfarë shembujsh gjejmë të njerëzve që gjetën gëzim te Krishti pavarësisht nga sfidat e tyre? Çfarë mësojmë nga këto përvoja? Çfarë përvojash mund të tregojmë?
-
Të gjithë ne jemi të prekshëm nga ndjenjat e ankthit dhe depresionit ndërsa përballemi me sfidat e jetës. Për disa njerëz, këto ndjenja janë një betejë që zgjat gjithë jetën. Klasa ose kuorumi juaj mund të përfitojë nga një diskutim rreth këtyre sfidave dhe rreth mënyrës se si Shpëtimtari mund t’i ndihmojë ata që luftojnë me ankthin dhe depresionin. Për ta filluar këtë diskutim, ju mund t’u kërkoni të rinjve dhe të rejave të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Xhefri R. Holland “Si një Vazo e Thyer”, veçanërisht katër paragrafët e fundit (Liahona, nëntor 2013, f. 40–42) ose mesazhin e Motrës Reina I. Aburto “N’Qoft Shi a Diell, Zot, me Mua Rri!” (Liahona, nëntor 2019, f. 57–59). Ftojini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të kërkojnë të vërteta që janë domethënëse për ta dhe ta tregojnë atë që gjetën. Nxitini të rinjtë dhe të rejat të flasin me një prind ose udhëheqës të besuar apo të vizitojnë faqen mentalhealth.ChurchofJesusChrist.org nëse ndiejnë se kanë nevojë për ndihmë.
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Mateu 5:1–12; 1 Pjetër 4:12–13; 2 Nefi 2:25–27; Mosia 2:41; 3:3–7; 4:2–3; Alma 36:16–22; 4 Nefi 1:15–16 (Si të gjejmë gëzim)
-
D. Tod Kristoferson, “Gëzimi i Shenjtorëve”, Liahona, nëntor 2019, f. 15–18
-
“Suicide Prevention and Ministering” [“Parandalimi dhe Dhënia e Shërbesës për Vetëvrasjen”], ChurchofJesusChrist.org