“25 Shtator. Cilat Janë Përgjegjësitë Tona në Punën e Shpëtimit dhe Ekzaltimit? Isaia 40–49”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022 (2021)
“25 Shtator. Cilat Janë Përgjegjësitë Tona në Punën e Shpëtimit dhe Ekzaltimit?” Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2022
25 Shtator
Cilat Janë Përgjegjësitë Tona në Punën e Shpëtimit dhe Ekzaltimit?
Këshillohuni së Bashku
Udhëhiqet nga një anëtar i presidencës së kuorumit ose një anëtare e presidencës së klasës; 10–20 minuta
Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Pastaj udhëhiqni një diskutim rreth punës së shpëtimit dhe ekzaltimit duke përdorur një ose më shumë nga pyetjet më poshtë ose vetë pyetjet tuaja (shih Manuali i Përgjithshëm, 10.2, 11.2, ChurchofJesusChrist.org). Planifikoni mënyra që të veproni sipas asaj që diskutoni.
-
Jetojeni ungjillin. Çfarë diskutuam herën e kaluar dhe çfarë ftesash ose caktimesh u bënë? Çfarë kemi bërë për të vepruar sipas atyre ftesave ose caktimeve?
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Çfarë mund të bëjmë ose themi për t’ju ardhur në ndihmë atyre që mund të ndihen të vetmuar ose larg nga Ati Qiellor?
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin. Cilat janë disa mënyra se si ne mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit?
-
Bashkojini familjet për përjetësinë. Çfarë idesh mund t’i tregojmë njëri-tjetrit për të ndihmuar që familjet tona të forcohen?
Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:
-
Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.
-
Kujtojuni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.
Jepeni Mësim Doktrinën
Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; 25–35 minuta
Përgatituni Shpirtërisht
Është e qartë nga shkrimet e shenjta se ndihma në punën e Zotit nuk është vetëm për të rriturit. Samueli ishte i vogël kur Zoti i foli për herë të parë. Maria me gjasë ishte një vajzë e re kur një engjëll e vizitoi atë, duke e njoftuar se ajo do të ishte nëna e Shpëtimtarit. Dhe Jozef Smithi ishte 14 vjeç kur Zoti e thirri që të rivendoste ungjillin. Kohët e fundit, Presidenti Rasëll M. Nelson i ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të “rekrutohen në batalionin e rinisë së Zotit që të ndihmo[jnë] që Izraeli të mblidhet” (“Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org). Sigurisht, kur Zoti tha: “Por ti, Izrael, [je] shërbëtori im” (Isaia 41:8), kjo përfshinte të gjithë popullin e Tij të besëlidhjes, përfshirë ata dhe ato në klasën ose kuorumin tuaj.
Ndonëse të gjithë besëlidhim që t’i shërbejmë Perëndisë kur pagëzohemi, jo të gjithë të rinjtë dhe të rejat e shohin veten si shërbëtorë/e të Zotit. Ata mund të mos i dallojnë mënyrat e pashoqe se si mund të ndihmojnë në punën e Tij. Kërkoni fragmente tek Isaia 41–44 dhe pjesa 1.2 i materialit Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat ta kuptojnë se çfarë do të thotë të jenë shërbëtorë/e të Zotit.
Mësoni së Bashku
Kapitujt Isaia 41–44 mund t’i ndihmojnë të rinjtë dhe të rejat të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh një shërbëtor/e i/e Zotit. Për të filluar një diskutim, ju mund të shkruani në tabelë referenca si këto: Isaia 41:8–10; 42:6–7; 43:9–12; 44:21. Secili person mund të zgjedhë një fragment, ta lexojë atë dhe të tregojë se çfarë mëson ai ose ajo për atë se çfarë do të thotë të jesh një shërbëtor/e i/e Zotit. Në çfarë mënyrash jemi shërbëtorë/e të Zotit? Çfarë bekimesh vijnë kur jemi në shërbim të Tij? Këtu janë mënyra të tjera për t’i ndihmuar ata të cilëve u jepni mësim, që t’i sjellin njerëzit te Krishti si pjesëmarrës aktivë në punën e Tij.
-
A e kuptojnë ata të cilëve u jepni mësim, se çfarë është “puna e shpëtimit dhe ekzaltimit”? Për t’i ndihmuar ata, ju mund t’u caktoni që të studiojnë (individualisht ose në grupe të vogla) një nga katër nënpjesët e pjesës 1.2 të materialit Manuali i Përgjithshëm. Secila nënpjesë përshkruan një aspekt të punës. Kërkojuni të rinjve dhe të rejave të përsiatin për pyetje si këto: Cilat janë gjërat specifike që një person në moshën time mund të bëjë për të marrë pjesë në këtë aspekt të punës së shpëtimit? Çfarë mund të bëjë klasa ose kuorumi ynë? Secili person ose grup mund të tregojë se çfarë mësoi, bashkë me përgjigjet për pyetjet.
-
Ata të cilëve u jepni mësim, mund të përfitojnë duke mësuar më shumë rreth katër aspekteve të punës së shpëtimit dhe ekzaltimit – të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit, përkujdesjes për njerëzit nevojtarë, ftesës ndaj të gjithë njerëzve për ta marrë ungjillin dhe bashkimit të familjeve për përjetësinë. Ata mund të zgjedhin një aspekt për të cilin janë të interesuar dhe të eksplorojnë disa nga artikujt që lidhen me të në pjesën “Burime Mbështetëse”. Lejojini të rinjtë dhe të rejat të tregojnë se çfarë zbuluan që i frymëzon të bëhen më të kthyer në besim te Zoti dhe t’i ndihmojnë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Më pas ata mund të bëjnë plane për të bërë diçka që i ndihmon ta përmbushin këtë punë. Presidentja e klasës ose presidenti i kuorumit mund ta drejtojë këtë diskutim.
-
Për t’i ndihmuar të rinjtë dhe të rejat të përsiatin se si mund t’i përdorin talentet e tyre për të sjellë shpirtra te Krishti, ju mund t’i kërkoni secilit prej tyre të studiojë një pjesë nga mesazhi i Plakut Xhon C. Pingri i Riu “Unë Kam një Punë për Ty” (Liahona, nëntor 2017, f. 32–35). Ata mund të tregojnë se si ajo çka mësuan mund ta ndihmojë dikë që nuk është i/e sigurt se ai ose ajo mund të ndihmojë në punën e Zotit. Ju gjithashtu mund të shqyrtoni së bashku pjesën “Zbuloni dhe Zhvilloni Dhurata Shpirtërore” te mesazhi i Plakut Pingri. Si na ndihmon Zoti për t’i zbuluar dhe zhvilluar talentet tona?
Veproni me Besim
Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse do të duan, mund t’i shprehin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë mbi mënyrën se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, nëse ata veprojnë sipas mbresave të veta.
Burime Mbështetëse
-
Jetojeni ungjillin e Jezu Krishtit: 2 Nefi 31:17–21; 3 Nefi 27:13–21; “Following God” [“Të Ndjekësh Perëndinë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org
-
Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë: Mateu 25:34–40; Mosia 18:8–9; “You Are the Gift” [“Ti Je Dhurata”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org
-
Ftojini të gjithë që ta marrin ungjillin: Mateu 5:14–16; 1 Pjetër 3:15; “Sharing Your Beliefs” [Përhapja e Bindjeve Tuaja”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org
-
Bashkojini familjet për përjetësinë: Doktrina e Besëlidhje 2; 128:18; “Because of James” [“Për Shkak të Xhejmsit”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org