Dhiata e Re 2023
8 Tetor. Si Mund të më Ndihmojë Ungjilli i Jezu Krishtit për ta Forcuar Familjen Time? Efesianëve


“8 Tetor. Si Mund të më Ndihmojë Ungjilli i Jezu Krishtit për ta Forcuar Familjen Time? Efesianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023 (2022)

“8 Tetor. Si Mund të më Ndihmojë Ungjilli i Jezu Krishti për ta Forcuar Familjen Time?”, Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone dhe Klasat e Të Rejave: Temat Doktrinore 2023

nënë dhe bijat duke gatuar

8 Tetor

Si Mund të më Ndihmojë Ungjilli i Jezu Krishtit për ta Forcuar Familjen Time?

Efesianëve

ikona këshillohuni së bashku

Këshillohuni së Bashku

Udhëhiqet nga një anëtare e presidencës së klasës ose një anëtar i presidencës së kuorumit; përafërsisht 10–20 minuta

Në fillim të mbledhjes, përsëriteni së bashku Temën e Të Rejave ose Temën e Kuorumit të Priftërisë Aarone. Më pas, përveç këshillimit rreth punëve të veçanta të klasës ose kuorumit, ju mund të doni të diskutoni për mbresat dhe temat nga konferenca e përgjithshme. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë.

  • Cilat tema ose mesazhe na bënë përshtypje? Çfarë e forcoi besimin tonë te Jezu Krishti?

  • Çfarë i forcoi dëshmitë tona për profetët e gjallë? Çfarë u ndiem të nxitur të bëjmë për shkak të asaj që mësuam apo ndiem?

  • Çfarë na nevojitet të bëjmë si klasë ose kuorum për të kujtuar dhe vepruar sipas këshillës që dëgjuam në konferencën e përgjithshme?

Në fund të mësimit, si të jetë e përshtatshme, bëni sa vijon:

  • Dëshmoni për parimet e dhëna mësim.

  • Kujtojuani anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit planet dhe ftesat e bëra gjatë mbledhjes.

ikona jepeni mësim doktrinën

Jepeni Mësim Doktrinën

Udhëhiqet nga një udhëheqës/e në moshë madhore ose nga një i ri apo e re; përafërsisht 25–35 minuta

Përgatituni Shpirtërisht

Disa njerëz në klasën ose kuorumin tuaj mund të kenë familje të forta e të dashura që e ushqejnë besimin dhe shpirtshmërinë. Të tjerë mund të jenë të vetëm në përpjekjet e tyre për ta jetuar ungjillin dhe disa mund të hasin grindje dhe lëndime në shtëpi. Por asnjëri në klasën ose kuorumin tuaj nuk ka një familje të përsosur, pa sfida. Dhe gjithsecili ka të drejtën ta përdorë fuqinë e Jezu Krishtit, e cila mund t’i shërojë dhe forcojë familjet.

Shpëtimtari dëshiron t’i bekojë familjet. Ndonjëherë mënyra se si Ai e bën këtë është nëpërmjet dashurisë dhe shembullit të një personi të ri në moshë që po has vështirësi për ta ndjekur Atë dhe për ta jetuar ungjillin e Tij. Ndërsa përgatiteni t’u mësoni të rinjve dhe të rejave për fuqinë që është në dispozicion të tyre dhe familjeve të tyre nëpërmjet Jezu Krishtit, përsiatni parimet tek Efesianëve që mund të na ndihmojnë t’i forcojmë marrëdhëniet familjare. Ju gjithashtu mund të studioni dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” (ChurchofJesusChrist.org).

Mësoni së Bashku

Pasi t’u jepni anëtareve të klasës ose anëtarëve të kuorumit mundësinë për të treguar atë që u mësoi Shpirti këtë javë ndërsa studiuan letrën drejtuar Efesianëve, kërkoni mënyra për të paraqitur temën se si Jezu Krishti mund të na ndihmojë që t’i forcojmë familjet tona. Për shembull, mund t’i ftoni të rinjtë dhe të rejat të gjejnë dhe të lexojnë fragmente te letra drejtuar Efesianëve që përmbajnë parime që mund t’i përdorim për të forcuar marrëdhëniet familjare. Disa shembuj mund të përfshijnë: Efesianëve 2:19–22; 3:14–19; 4:1–3, 25–26, 29–32; 5:1–2; 6:1–4. Si mund ta bekojë një familje këshilla te këto vargje? Si ka qenë një bekim për shtëpitë tona Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij? Këtu janë disa ide shtesë për veprimtari që lidhen me këtë temë.

  • Nëse doni të diskutoni për urdhërimin “ndero babanë tënd dhe nënën tënde” (Efesianëve 6:2), ju mund të filloni duke i pyetur anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit se çfarë do të thotë për ta fjala ndero. Ndoshta dikush mund të lexojë përkufizimin nga një fjalor ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Ftojini të rinjtë dhe të rejat të flasin për mënyrën se si ata mund ta zbatojnë në jetën e tyre këtë urdhërim. Mund të jetë gjithashtu frymëzuese të eksploroni se si Jezu Krishti e nderoi Atin e Tij në Qiell dhe nënën e Tij, Marinë (shih, për shembull, Lluka 2:41–52 ). Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Jezusit që mund t’i forcojë marrëdhëniet me prindërit tanë?

  • Mund të jetë e dobishme të flisni rreth materialeve që janë të nevojshme për të ndërtuar një shtëpi të qëndrueshme. Cilat janë disa nga gjërat e nevojshme për të ndërtuar një familje të fortë? Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund të lexoni këtë thënie nga Plaku L. Uitni Klejton: “Ajo që ka rëndësi, është mobilimi i brendshëm i shpirtrave të banorëve dhe jo vetë struktura” (“Shtëpitë më të Mira”, Liahona, maj 2020, f. 107–109). Ju gjithashtu mund të diskutoni katër sugjerimet që dha Plaku Klejton në mesazhin e tij për mënyrën se si të ndërtojmë “shtëpitë më të mira”.

  • Dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” përfshin këtë premtim: “Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht”. Në ç’mënyrë mësimet e Shpëtimtarit krijojnë themelin për një familje të lumtur? Proklamata drejtuar familjes dhe shkrimet e shenjta në pjesën “Burime Mbështetëse” japin shembuj. Si mund ta ndihmojnë pjesëtarët e familjes njëri‑tjetrin për t’i jetuar këto mësime?

  • Ndoshta anëtarët e klasës mund të shohin materialin filmik “Through Small Things” [“Nëpërmjet Gjërave të Vogla”] në të cilin dy motra dhe një vëlla flasin rreth pranimit të ftesës së peshkopit të tyre për të menduar për mënyra se si ta bëjnë shtëpinë e tyre një vend më të shenjtë. Si u bekua familja në materialin filmik për shkak të veprimeve të këtyre të rinjve? Si mund ta bëjmë shtëpinë një vend të shenjtë? Merrni parasysh t’i ftoni të rinjtë dhe të rejat ta pranojnë të njëjtën ftesë që bëri peshkopi. Për t’i ndihmuar ata të marrin parasysh se çfarë mund të bëjnë, ju mund të diskutoni për pyetjen që u bë në materialin filmik: “Çfarë jeni të gatshëm të bëni për ta pasur Shpirtin në shtëpinë tuaj?”

familje duke studiuar së bashku

Mësimet e Jezu Krishtit janë themeli për lumturinë në jetën familjare.

Veproni me Besim

Nxitini anëtaret e klasës ose anëtarët e kuorumit të përsiatin dhe ta shënojnë atë që do të bëjnë për të vepruar sipas mbresave që morën sot. Nëse duan, mund të japin idetë e tyre. Ftojini të mendojnë se si do të forcohen marrëdhëniet e tyre me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin po të veprojnë sipas mbresave të veta.

Burime Mbështetëse

Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit

Nëse të rinjtë dhe të rejat ndiejnë se ju u mirëbesoni atyre, mirëbesimi i tyre në potencialin e tyre hyjnor do të rritet dhe ju do të befasoheni nga ajo që ata mund të arrijnë. Ndihmojini ata të kenë një përfytyrim të asaj që Ati Qiellor e di se ata mund të bëhen.